Vrasja e gjyqtares, Meta merr 4 nisma: Nuk do të amnistoj asnjë të dënuar për krime në familje

470
Ashtu siç e kishte paralajmëruar në ditën e Kurban Bajramit, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka marrë disa nisma pas vrasjes së gjyqtares Fildez Hafizi, një prej tyre kontrolli nga KLD i 3 gjyqtarëve që dënuan me 3 vite burg ish-burrin e saj Fadil Kasemi ndërsa i kishte vënë armën tek koka 2 vjet më parë.
Po kështu Meta zotohet se nuk do të falë në amnistinë e fundvitit asnjë të dënuar për krime në familje.

Presidenti ka kërkuar gjithashtu të përfshihet në mbledhjen më të parë të KLD, një raportim mbi ndjekjen e detyrave të vendosura nga ky organ, për procedurat që duhet të ndiqen nga Gjykatat, në çështjet e lëshimit të urdhrave të mbrojtjes.

DEKLARATA E PLOTË E PRESIDENTIT META
Ditët e fundit opinioni publik u trondit nga një krim mizor i kryer ndaj gjyqtares Fildez Hafizi. Fenomeni i dhunës në familje është një plagë e madhe dhe tepër e ndjeshme në shoqërinë shqiptare.

Përpjekje të vazhdueshme janë bërë nga institucionet shtetërore përgjegjëse, për reduktimin e këtij fenomeni, si dhe mbrojtjen e integrimin e viktimave të dhunës në familje.

Por përsëri ato mbeten shumë pak, ndaj kërkohet që çdo institucion sipas kompetencës dhe përgjegjësisë që ka, të angazhohet maksimalisht dhe të bëjë gjithçka për parandalimin e dhunës, dekurajimin dhe ndëshkimin e dhunuesve, me qëllim mbrojtjen dhe shëndoshjen e familjes shqiptare.

Në cilësinë e Presidentit të Republikës, të kompetencave që më njohin Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi, po bëj publike këto nisma:

1. Duke qenë se deri në ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor, ushtroj funksionin e Kryetarit të KLD, kam kërkuar nga KLD dhe Inspektorati i saj, që në përputhje me kompetencat që iu njeh legjislacioni në fuqi, të fillojnë një procedurë për verifikimin e vendimit të marrë nga Gjykata e Kavajës, më 28 prill 2016, ndaj shtetasit Fadil Kasemi.

2. Gjithashtu kam kërkuar të përfshihet në rendin e ditës të mbledhjes më të parë të KLD, një raportim mbi ndjekjen e detyrave të vendosura nga ky organ, për procedurat që duhet të ndiqen nga Gjykatat, në çështjet e lëshimit të urdhrave të mbrojtjes, për viktimat e dhunës në familje.

3. Angazhohem që si President në ushtrimin e kompetencës kushtetuese të ushtrimit të së drejtës së faljes, do të zbatoj në germë dhe në frymë Kushtetutën e RSH, si dhe ligjin 10 295/2010 “Për faljen”, por jo vetëm.

Një familje e lumtur, në mirëqenie dhe paqe brenda saj, ka vlera të jashtëzakonshme për zhvillimin e shoqërisë. Duke pasur në konsideratë, sa të rëndësishme janë jeta dhe shëndeti për çdo anëtar të familjes, por edhe rrezikshmërinë që paraqesin individët dhunues në familje, me qëllim dekurajimin dhe parandalimin e tyre në kryerjen e këtyre veprave, angazhohem që gjatë mandatit tim presidencial, nuk do të ushtroj të drejtën e faljes për asnjë individ të dënuar për vepra penale në marrëdhëniet familjare (përfshirë këtu por jo vetëm, nenet 79/c, 130/a, të Kodit Penal).

Nëse për zbatimin e angazhimit të mësipërm në ushtrimin e të drejtës së faljes, nevojiten ndryshime në ligjin “Për faljen”, kërkoj angazhimin dhe bashkëpunimin e institucioneve të tjera, për ndërmarrjen e nismës ligjore për këtë qëllim.

4. Gjithashtu i bëj thirrje Ministrisë së Drejtësisë si nismëtare për projektligjet për dhënie amnistie, por edhe ligjvënësve të Kuvendit të Shqipërisë, që në vijim në asnjë rast në këto projektligje, të mos përfshihen si subjekte përfituese të tyre, të dënuarit të cilët kanë kryer vepra penale në marrëdhëniet familjare.

Është koha për të rritur bashkëpunimin dhe veprimin e të gjithë institucioneve me qëllim ndëshkimin shembullor të dhunës në familje.
Sigal