Vrasja e gjyqtares Hafizi, PD: Qeveria të japë llogari, Çako dhe Çipa nuk reaguan

104
Partia Demokratike do të propozojë ashpërsimin e ligjit për dhunën në familje, heqjen e amnistisë për veprat penale të vrasjes. I drejtohet qeverisë Rama me katër pyetje
Vrasja e nënës, gjyqtares Fildes Hafizi nga ish-bashkëshorti, katër ditë më parë, është shndërruar në jehonë për të gjitha institucionet ligjzbatuese në vend, por jo vetëm. Ndërsa kërkojnë zbatimin e ligjit, qytetarët, kolegët dhe opozita në vend, kërkojnë llogari nga qeveria, e cila sipas tyre duhet të lëshonte kambanat para se krimi të dalë në rrugë. Gjatë ditës së djeshme, ndërsa Gjykata e Krimeve të Rënda vendoste masën e sigurimit personal ndaj ish-bashkëshortit të gjyqtares, Partia Demokratike, i drejtohej qeveris ëme një letër, brenda së cilës shprehte indinjatën e saj për mosrespektimin e ligjit dhe për lejimin e një tragjedie të paralajmëruar. Mes rreshtave në deklaratë, PD akuzon fortë, Drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe Drejtorin e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Ardian Çipa. Sipas PD, të dy këta funksionarë të lartë të policisë, kanë pasur dijeni për vuajtjet, që ish-bashkëshorti kriminel, i shkaktonte gjyqtares. Madje, mësohet se Çako dhe Çipa janë takuar personalisht me gjyqtaren, por nuk kanë reaguar. Ky mosreagim, ka sjellë edhe reagimin e fortë të drejtuesve të Partisë Demokratike, të cilët kanë radhitur katër pyetje kryesore për shefin e qeverisë, Edi Rama. Për opozitën kryesore në vend, vrasja e gjyqtares nuk do të kishte ndodhur, nëse babai i fëmijëve të saj nuk do të ishte favorizuar nga ligji. Një nga pikat, ku janë përqendruar edhe diskutimet më të shumta, është edhe amnistia e aplikuar nga qeveria çdo fundviti.

“Vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi nuk do të kishte ndodhur, nëse krimineli nuk do të favorizohej nga veprimet e papërgjegjshme të shtetit. Nëse krimineli nuk do të ishte liruar nga një amnisti skandaloze apo nëse policia do t’i kishte dhënë gjyqtares mbrojtjen që i njeh ligji çdo qytetari, ajo sot do të jetonte. Ne nuk mund ta lëmë të kalojë në heshtje këtë krim, vetëm për të pritur krimin e radhës. Qeveria duhet të japë llogari: 

• Pse Edi Rama ka ofruar çdo vit amnisti masive, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë? 
• Pse amnistitë e tij kanë përfshirë ulje dënimi dhe lirim të kriminelëve që kanë kryer vrasje apo tentuar të kryejnë vrasje? 
• Pse policia nuk i afroi mbrojtje gjyqtares Hafizi kur ajo e kërkoi më shumë se një herë? 
• Pse nuk vepruan për parandalimin e tragjedisë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe Drejtori i Krimeve në Policinë e Shtetit, të cilët u takuan personalisht nga gjyqtarja ku ajo kërkoi ndihmën e tyre? 
Partia Demokratike do të propozojë në fillim të legjislaturës së re një ligj i cili ndalon në çdo rrethanë uljen e dënimeve për vrasje dhe amnistimin e tyre. Ne do të propozojmë edhe ashpërsimin e dënimit për ata që ushtrojnë dhunë në familje, si dhe rritjen e mbrojtjes për viktimat e kësaj dhune. Ndërkohë, Partia Demokratike i kërkon qeverisë të rishikojë me urgjencë procesin e ofrimit të mbrojtjes nga shteti, për të shmangur mundësinë e injorimit të qytetarëve që u kërcënohet realisht jeta.