Vrasja e deputetëve nga Enver Hoxha, Basha: I turpëruar që Kuvendi drejtohet sot nga ajo klikë kriminale

589
Në Kuvendin e Shqipërisë u përkujtua sot, vrasja 70 vjet më parë nga regjimi i Enver Hoxhës i grupit të deputetëve opozitarë. Pas fjalës së Kryeministrit, e mori fjalën kryetari i PD, Lulzim Basha, i cili deklaroi se ndihej “i turpëruar” që edhe pas 70 vjetësh, ishte ende në një Kuvend që drejtohet nga pjesë të asaj klike kriminale.
Më tej, ai foli për nismën ligjore që do ndërmerrte PD-ja për barbaritë e komunizimit me qëllim që ato të mos përsëriteshin më. Një ndër kërkesat kryesore do të ishte edhe mos gradimi në poste të drejtuesve të lartë të komunizmit.
Fjala e Bashës
70 vjet më parë regjimi i Hoxhës pushkatoi grupin e deputetëve sepse mendonin ndryshe, nuk u pajtuan me komunizmin, nuk u pajtuan me vdekjen e pluralizmit politik. Para tyre ishin eliminuar, burgosur, ekzekutuar, pjesa më e madhe e elitës së kombit. Klerikë intelektualë, profesionistë të shkëlqyer do ti pasonin në dekadat e ardhshme. Të gjithë u dënuan pa gjyq, ose me gjyqe farsë. Të gjithë u vranë ne emër të popullit. Eliminimi i deputetëve opozitarë 70 vite më parë varrosi çdo lloj lirie politike, mendimi, disidence apo mosbindje ndaj regjimit.
Pas tyre salla e ashtuquajtur e Kuvendit Popullor u mbush me kriminelë dhe injorantë. Pas kësaj në Shqipëri kishte vetëm një zë, një mendim dhe një ngjyrë: enverizmi. Të gjitha institucionet politike dhe shoqërore të vendit, organizatat e rinisë, të gruas, fronti demokratik, media dhe çdo institucion tjetër ishin thjeshtë instrumente të sundimit të Enver Hoxhës.
Vrasjet, burgosjet, internimi, shpronësimet, persekutimet dhe gjithë dhuna që ushtruan fillimet e regjimit komunist dëshmojnë një të vërtetë të madhe që i mbahet ende e fshehur këtij kombi. Komunizmi nuk ishte një zgjedhje e lirë, por iu imponua popullit me dhunë dhe me gjak. Kjo dhunë nisi që në ditët e para të ekzistencës së Partisë Komuniste. Vazhdoi gjatë gjithë luftës kundër fashizmit dhe nazizmit dhe u bë masive pas ardhjes së Enverit në pushtet dhe vazhdoi pa ndërprerë gjatë gjithë sundimit të tij.
Të ashtuquajtura ideale socialiste ishin thjesht preteksi për pushtetin personal të Enver Hoxhës. Pushteti i tij ishte një pushtet personal dhe gjakatar. Ideologjitë që ai përqafoi ishin instrumente për mbajtjen e pushtetit. Kjo ishte arsyeja që dhuna e tij nuk kurseu askënd. Disa nga deputetët e pushkatuar kishin kontribut në luftë në krah të komunistëve dhe kjo nuk i shpëtoi dot nga eliminimi.
Sot ndjej dhimbje sepse e di që ceremonia e sotme dhe fjalët që po fliten në këtë sallë, janë për shumë shqiptarë hera e parë që dëgjojnë për krimet e komunizmit. Sot ndihem fajtor si deputet, si politikan dhe si qytetar që kemi lënë pa bërë shumëçka për 3 dekada për të dënuar krimet e komunizmit.
70 vjet pas vrasjes së deputetëve ndihem i turpëruar që jam pjesë e këtij kuvendi që drejtohet nga njëri prej atyre që ishte pjesë aktive e asaj klike kriminale që vrau. Ndihem i trishtuar që 27 vjet pas rënies së komunizmit ky vend ka njerëz që drejtojnë institucione pasi janë mësuar me frymën e Enver Hoxhës.
Sigal