“Votuan persona që nuk janë në Shqipëri”, PD padit komisionerët e 30 qershorit për krime zgjedhore!

494
Sigal

Komisionerët e 14 qendrave të votimit të Bashkisë Kukës paditen për krimet zgjedhore të falsifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe shkelje të fshehtësisë së votimit. Në padi kërkohet sekuestrimi i listës së personave që kanë votuar, për ta krahasuar me sistemin TIMS, për të verifikuar praninë e tyre në vend me 30 qershor

Dega e Partisë Demokratike të Kukësit ka paditur pranë prokurorisë së rrethit verilindor komisionerët e 14 qendrave të votimit të bashkisë së Kukësit. Në padi theksohet se komisionerët, me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë kryer krimet zgjedhore të falsifikimit të dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve si dhe kanë shkelur fshehtësinë e votimit.

Ndër faktet e përmendura në padi përmendet dalja e numrit më të lartë të fletëvotimeve sesa numrit të votuesve, fenomen i përhapur gjerësisht, jo vetëm në qytetin e Kukësit, por në të gjitha njësitë administrative të bashkisë Kukës. Në Nenin 326 të Kodit Penal, thuhet se falsifikimi, shpërndarja ose përdorimi i fletëve të votimit, i dokumenteve dhe materialit zgjedhor, me qëllim ndryshmin e rezultatit të zgjedhjeve dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet, ndërsa në Nenit 327, Shkelja e rregullave që garantojnë fshehtësinë e votimit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj gjer në dy vjet.

Partia Demokratike dega Kukës, në padinë e vet i kërkon Prokurorisë që të sekuestrojë në cilësin e provave, fletët e votimit dhe listat e personave që kanë votuar për çdo qendër votimi, me qëllim verfikimin në sistemin TIMS të faktit nëse ata kanë qenë në Shqipëri me datën 30 Qershor 2019.