“Votova kundër Reformës Zgjedhore, se nuk barazon votën e qytetarëve”

613
Sigal

INTERVISTA/Gazmend Oketa, drejtuesi i FRD-së: “E shikoj të pamundur një bashkëpunim me PD-në dhe PS-në”

Nuk është e veçanta që dy vota ishin kundër votimit të Reformës Zgjedhore, e njëra prej tyre nga ish-deputeti i PD-së, Gazmend Oketa. Në intervistën për “Telegraf”, zoti Oketa shpjegoi përse votoi kundër dhe çfarë përfaqëson kjo Reformë Zgjedhore.

Nuk ka edhe shumë rëndësi çfarë tha zoti Oketa, përse ai votoi kundër. Qëndrojmë te thelbi i thënieve të tij. “Votova kundër se Reforma Zgjedhore nuk barazon votën e qytetarëve”. Sepse kjo nuk është reformë, sipas zotit Oketa, por një arnim i Sistemit Zgjedhor aktual. Madje, zoti Oketa tha edhe diçka që po të mos ishte zoti Oketa, rëndësia e së vërtetës, do të kishte përmasa të tjera. Zoti Oketa kritikoi Sistemin Elektoral, pasi u jep të drejtën kryetarëve të partive ( Berishës e Ramës)  që të emërojnë deputetët, dhe nuk është vota e qytetarëve që voton deputetin. Pyesim zotin Oketa: Ky sistem elektoral është ai që vetë Oketa votoi me zellshmëri e devotshmëri në 2008-n, si deputeti i PD-së. Edhe kur u largua nga PD-ja, zoti Oketa nuk ka pohuar gjëkundi që ka shprehur apo e kishte të pamundur të shprehej në 2008-n kundër këtij sistemi elektoral. Zoti Oketa vetë, edhe deri tani, është deputeti i emëruar i kryetarit të PD-së, e për këtë emërim nuk ka bërë asnjë konstentim. As dje dhe as kur u largua nga PD-ja! Vota kundër e zotit Oketa është shembulli, që interesat personale dhe partiake gjithmonë paragjykojnë dhe përcaktojnë klimën politike në Shqipëri. Në kë anë të peshores anojnë interesat e ngushta, në atë anë është edhe vota. Nga kushdo pa përjashtim.

– Zoti Oketa, miratimi i Reformës Zgjedhore do të thotë që kemi një Sistem Zgjedhor të ri?

– Nuk bëhet fjalë për një Kod të ri. Bëhet fjalë për një arnim të Kodit ekzistues dhe sigurisht për çështje politike marketing politik përdoret Reforma Zgjedhore. Arminet e bëra, në fakt, këto korrigjime mbeten për t’u vërtetuar pas zgjedhjeve të 2013-s, sesa realisht bëjnë një reformë, sesa realisht prekim thelbin e Kodit Zgjedhor, i cili nuk garanton në radhë të parë, parimin kushtetues të barazimit të votës.

– Nga kjo reformë e sapomiratuar, të humbura dalin të gjitha partitë e tjera, dhe kjo u pa edhe në reagimet e tyre kundër votimit të Reformës Zgjedhore në Kuvend?

– Pyetja nuk duhet shtruar në planin e rrezikut të partive të vogla apo të partive të mëdha. Në të gjitha garat, partitë duhet të hyjnë të barabarta. Loja e garave duhet të jetë e hapur për të gjithë. Pyetja duhet shtruar në planin moral, në planin e parimeve kushtetuese dhe ky Kod ekzistues, siç u dëshmua nga zgjedhjet e 2009-s, nuk garanton parimin kushtetues të barazisë së votave. Që do të thotë, që deputeti në një qark mund të dalë me 3.000 vota, në një qark tjetër, do t’i duhen 2-3 herë më shumë vota. Apo në një qark, votat e një partie zgjerohen për shkak të këtij Kodi e në një qark tjetër maksimalizohen, duke marrë votat e partive nuk i numërohen këto vota.

–  Kjo reformë e re, sa e përfaqëson votën e elektoratit?

– Ndryshimet që u bënë nuk prekin aspak thelbin e Kodit ekzistues dhe pikërisht për këtë arsye edhe vota ime si përfaqësues i FRD-së ishte kundër. Edhe vota e zotit Mediu ishte kundër, për shkak parimit kushtetues  të mosbarazisë të votës. Në rast se do të kishim realisht një reformë të re, duhet të ishte garantuar barazia e votës, duhet që në zgjedhjet e vitit 2013 forcat politike duke krijuar një frymë respekti e besimi reciprok, së paku  duhej që procesin e menaxhimit të zgjedhjeve duhet ta kalonin në administrimin publik, apo jo politik. Domethënë që procesi i menaxhimit të zgjedhjeve të mos ishte më pronë politike. Jemi i vetmi vend që vazhdojmë të zbatojmë një sistem të tillë, ku vetë lojtarët që luajnë, bëjnë edhe arbitrin e lojës. Është reforma e 16-të, në mos gaboj, zgjedhore dhe, fatkeqësisht, gjithmonë duartrokitet dhe, pas zgjedhjeve, palët ndodhen në të njëjtat pozicione në llogore, duke akuzuar njëri-tjetrin për manipulime. Fatkeqësisht, e njëjta gjë do të përsëritet edhe në zgjedhjet e 2013-s. Me këto arnime, me këtë klimë mosbesimi që është krijuar midis forcave politike, vështirë se zgjedhjet e 2013-s do të krijojnë standarde të larta, për të cilat, në radhë të parë ka nevojë Shqipëria.

– Për korrektimin e Kodit, a ka mundësi që në vjeshtë të bëhet diçka?

Sigurisht që gjithnjë ka hapësirë, në rast se ekziston vullneti politik, në rast se mbi interesat partiake, mbi interesat e luftës për pushtet, vendosin interesat e qytetarëve. Po të ekzistojnë këto, në sesionin e ardhshëm mund të bëjnë një korrektim të Kodit, për të mundësuar që votat e qytetarëve shqiptarë të numërohen siç duhet. Përveç kërkesës për korrektim, të vëmë të gjitha palët në pozita të barabarta, ajo çka besoj se duhet ndryshuar, është që edhe sistemi i listave, besoj se duhet të jenë lista të hapura. Pra sistemi aktual ka bërë që thjesht procesi të jetë i mbyllur. Janë kryetarët e partive të cilët emërojnë deputetët dhe nuk është populli që i zgjedh ata. Kjo vjen qoftë për shkak të një fryme autoritarizmi që është vendosur  pothuajse te të gjitha forcat politike shqiptare, por vjen  edhe prej frikës që  drejtuesit e këtyre partive kanë përkundrejt listave të hapura, duke e ndjerë frikën se ata do të votohen më pak se kandidatët e tjerë.

– A do të shikohet mundësia që FRD-ja të aleatojë me PS-në?

– Së pari është tepër herët për të folur për aleanca, por për një aleancë me PS-në, është praktikisht e pamundur, qoftë një aleancë parazgjedhore, qoftë edhe një aleancë paszgjedhore. Megjithatë, do të jenë organet drejtuese të FRD-së, të cilat do të marrin një vendimmarrje. Por, pozicioni i FRD-së është i artikuluar qartë. Ne jemi për një aleancë me qytetarët shqiptarë, pasi qoftë PD-ja, apo më saktë, lidershipet aktualë të të dy partive kanë krijuar këtë klimë të tensionuar politike, nuk toleron asnjë zhvillim politik, përkundrazi, produkt i tyre është konfliktualiteti, ka shkëputur komplet vëmendjen nga problemet kryesore të qytetarëve shqiptarë, që më pas shoqërohet edhe me tensione sociale, me rritjen e kriminalitetit, me rënie të ekonomisë, e me shumë problematika të tjera. Në vend që të japim zgjidhje për këto probleme, politika shtjellohet rreth ngërçeve politike të interesave të tyre partiake. E shikoj të pamundur një bashkëpunim me PD-në dhe PS-në.

Zoti Topi, a do t’i bashkohet FRD-së, pasi të mbarojë mandatin e Presidentit?

– Ndërkombëtarët përse nuk shqetësohen për mos barazinë e votës të Sistemit Elektoral, që nuk u garantua edhe me këtë reformë, edhe pse e përshëndetën me entuziazëm?

– Kjo është një pyetje për ndërkombëtarët. Unë nuk mund të them që ata nuk interesohen, qëndrimi i tyre , besoj, është përshëndetës, përsa i takon arritjes të kompromisit, por jo thelbit të këtij kompromisi. Përderisa kemi një tensionim të klimës politike, çdo hap, sado i vogël, e arritjes së një kompromisi midis palëve, duhet përshëndetur nga cilido. Por, nuk besoj se qëndrimet e tyre kanë përshëndetur thelbin e reformës.

Reforma Zgjedhore është një nga prioritetet e marrjes të statusit kandidat. Derisa edhe kjo reformë nuk arriti të plotësojë parimin kushtetues të barazisë së votës të elektoratit, a nuk ka një kundërshti me standardet demokratike që duam të arrijmë?

– Sigurisht, që ka një kundërshti dhe sigurisht që edhe unë votova kundër.

Zoti Topi dhe FRD-ja

Unë nuk e di nga e nxirrni këtë konkluzion, kur thoni këto. Zoti Topi është deklaruar, që pasi të mbarojë mandatin e tij, do të bëjë publik qëndrimin e tij dhe vendimmarrjen e tij politike. Unë do të dëshiroja që vetë zoti Topi ta artikulonte qëndrimin e tij politik. Dhe është çështje ditësh. Le të presim përfundimin e mandatit. Unë nuk mund të fsheh faktin që do të ishte një aset tepër i çmuar angazhimi i zotit Topi në FRD

– Faleminderit!