Votojnë kandidatët e 60 bashkive. Ja mesazhet e tyre për shqiptarët

379
Kandidatet per kryetar te 60 bashkive ne vend i jane drejtuar kete te diele kutive te votimit. Ja mesazhet e tyre drejtuar shqiptareve pasi kane shprehur vullnetin e tyre me vote. 
Kandidati i koalicionit te majte për Bashkinë e Durrësit Vangjush Dako i ka bërë apel qytetarëve të Durrësit për sa më shumë pjesëmarrje në votime. “Pjesëmarrje sa më e gjerë e qytetarëve te Durrësit votime sa më të qeta sepse nëpërmjet këtij votimi ne sigurojmë të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha Dako.
Kandidatja e djathtë për Durrësin Grida Duma tha se është reaguar ndaj incidenteve që janë shfaqur në qendrat e votimit në zonën e plazhit, për të garantuar zgjedhjet e lira.
“Ka momente të influencës për votën në zonën e plazhit po ashtu në zonën e Nishtullës ka informacione kudo që ka probleme por jemi duke reaguar me shpejtësi duke sigurisht duke mbrojtur vullnetin e zgjedhësve”, u shpreh Duma.
Votojnë kandidatët për Bashkinë e Vlorës, apeli: Pjesëmarrje masive
Kandidati i aleances se majte per Bashkine e Vlorës Dritan Leli i është drejtuar kutisë së votimit gjatë kësaj dite. “Zgjedhjet në lartësinë e qytetarisë vlonjate. Do të fitojë qytetaria vlonjate,” – u shpreh Leli, i cili ka qenë i shoqëruar nga familja e tij.
Gjithshtu i është drejtuar kutisë së votimit edhe kandidati i APPD për këtë bashki Genc Deromemaj, i cili e ka vlerësuar procesin e votimit. “Procesi eshte mjaft qytetar. Shpresoj ta mbyllim po kështu. Duhet pjesëmarrje për të bërë ndryshimin që duhet të ishte bërë prej kohësh,”- u shpreh Deromemaj.
Enkelejd Alibejaj voton në Baltëz të Fierit
Kandidati i APPD për Bashkinë e Fierit, Enkelejd Alibeaj ka votuar rreth orës 10:00 në qendrën e votimit 3146 në fshatin Baltëz të Fierit. Po ashtu kutise se votimit i eshte drejtuar edhe kandidati i majte per Fierin Armando Subashi. 
“Deri tani procesi po ecën mirë nga informacionet që kemi nuk ka pasur asnjë problem në të gjitha qendrat e votimit në bashkinë e Fierit ndërkohë që besoj që pjesëmarrja në votim po vjen gradualisht duke u rritur dhe jam i bindur që në orët në vijim padyshim që pjesëmarrja do vazhdoj që të rritet”, tha Subashi pasi votoi.
“Është kënaqësia më e madhe që të kesh mundësi të kontribuosh për vendin edhe duke votuar përfitoj nga rasti që të ftoj të gjithë banorët jo vetëm të vendlindjes time por të gjithë Fierit që të marrin pjesë në votime sot është një ditë ku të gjithë njerëzit vendosin”, u shpreh Alibeaj.
Safet Gjici nga Kamza: Situatë e qetë, uroj të vazhdojë e tillë
Kandidati i kamzës për ASHE Safet Gjici është shprehur pas përfundimit të votimit. “Në radhë të parë votojnë për veten e tyre është kënaqësi që shoh se ka një gjallëri një pjesëmarrje që për herë të parë gjendet, bëj thirrje të votojnë sa më shumë për të mirën e tyre. Është situatë e qetë dhe uroj të shkojë deri në fund kështu”, tha Gjici.
Një proces të qetë zgjedhor e ka vlerësuar kryebashkiaku Xhelal Mziu zhvillimet në këtë të dielë. Kandidati i së djathtës për Kamzës tha se është i kënaqur nga pjesëmarrja qytetare në votime.
“Është një proces për aq kohë sa është një proces mjaft normal qytetarët po shkojnë duke votuar. Po ndiqen të gjitha procedurat e nevojshme sipas Kodit Zgjedhor jam i gëzuar dhe me pjesëmarrjen uroj që të mos ngelet asnjë votues pa marrë pjesë në votim. Deri tani nuk kam dijeni për ndonjë problem uroj dhe shpresoj që të mbyllet dita pa asnjë lloj problemi”, tha Mziu.
Kandidatët për Bashkinë e Elbasanit: Qytetarë, ushtroni të drejtën e votës
Kandidati për kryetar Bashkie i cili kërkon një mandat të tretë, Qazim Sejdini, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, ka votuar në ZAZ-në nr. 50 në ambientet e shkollës “ Onufri”.
Pasi ka hedhur votën në kutinë e votimit, Sejdini i është përgjigjur edhe interesit të medias duke deklaruar se “pres të më respektojë qyteti dhe qytetarët, të cilët i kam respektuar dhe do t’i respektoj, do t’u fal dashuri për punën, jetën, familjen dhe gjithçka tjetër. Elbasani i Ri do të jetë Elbasan rajonal, do të jetë Elbasan për t’u pasur zili nga e gjithë Shqipëria”, tha kandidati i ASHE-së për Elbasanin.
Edhe kandidati për kryetar Bashkie i mbështetur nga PD, Ardjan Turku, i shoqëruar nga bashkëshortja, nëna dhe vajza e tij kanë shkuar për të votuar në ZAZ-në 48 të qytetit të Elbasanit. Pas përfundimit të votimit, Turku u bëri apel të gjithë bashkëqytetarëve që në këtë ditë të dalin dhe të ushtrojnë të drejtat e veta ligjore, të drejtat që kanë të bëjnë me lirinë e njeriut dhe individit”.
“Mbi të gjitha të votojnë jashtë çdo presioni dhe me mendje të hapur ashtu siç ia ndjen zemra”, tha ai. Duke u ndalur tek procesi i votimit, Turku tha se “deri më tani procesi është i rregullt”.
“Jam i qetë, fitorja nuk është as e imja as e rivalit, fitorja është kur zgjedhjet janë të lira dhe të ndershme, larg presioneve dhe jashtë joshjeve me para. Përsëris që i gjithë qyteti dhe komunat të votojnë të lirë të mendojnë me mendje dhe të ndiejnë me shpirtin e tyre se çfarë duhet të bëjnë, të gjitha joshjet e kanë cënuar procesin”, tha ai.
Pyetjes se a ka ndonjë mesazh për rivalin e tij, Turku tha se “nuk kam asnjë mesazh për rivalin, do të doja ta meritonte nëse do të ndodhte fitorja e tij. Por unë nuk e besoj ta meritonte emrin e qytetarit të parë, i cili meritohet kur vërtetë zgjedhjet janë të lira dhe të ndershme”, shtoi ai.
Ndërsa kandidati i koalicionit të majtë për bashkinë e Cërrikut, Altin Toska votoi rreth orës 11: 00 të paradites. Toska ftoi qytetarët të votojnë, për të shprehur atë që mendojnë. “Dua të falenderoj të gjithë qytetarët, komisionerët,si dhe forcat e rendit për këtë ditë sot, pasi është një akt qytetarie ndaj dua t’i falënderoj me gjithë zemër. Gjithashtu, dua të përshëndes të gjithë ata që votojnë për herë të parë, dhe i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të ndërgjegjësohen për të votuar, pasi vota e tyre është shumë e rëndësishme.Unë besoj se çdo gjë do të shkojë mirë në këtë fushatë, siç është thënë dhe më parë ku qytetarët e japin me votën e tyre, mendimin mbi drejtimin e tyre që duan të çojnë vendin. Për mua më tepër ka rëndësi standardi në këto zgjedhje, se sa vetë rezultati”,përfundoi Toska. 
Sigal