Votohen Shtylla e Kosta, Braho: Nishani në KLD, nëna e së keqes

509
Sigal

TIRANE – Deputetët e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve vlerësuan se Albana Shtylla dhe Vangjel Kosta plotësojnë të gjitha kriteret për të qenë anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe votuan unanimisht kandidaturat e tyre, te propozuara nje dite me pare ne mbledhjen e grupit parlamentar te PS-se.
 
Për deputetin Spartak Braho, marrja e postit të anëtarit të KLD-së do të thotë njëherësh edhe marrja përsipër e një rrisku!…Pasi kreu i këtij Këshilli, Bujar Nishani, që njëherësh është Presidenti i Republikës, sipas Brahos “është nëna e të gjitha të këqijave”.
 
Sipas tij, Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet përmbysur dhe anëtarët duhet të zgjidhen të rinj.

Kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj tha se propozimet e mazhorancës janë zgjedhja e duhur për KLD-në. “Fryma në Këshill është shumë e rëndësishme. Korrupsioni duhet të luftohet nga vetë gjyqësori”, tha ai.
 
Dy kandidaturat e Albana Shtyllës dhe Vangjel Kostës pas miratimit në Komisionin e Ligjeve do të kalojnë për votim në Parlament.

Dy kandidatet seance degjimore ne Kuvend. Kosta: Nuk kam dhene vendime politike
Dy kandidatët e mazhorancës për anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Albana Shtylla dhe Vangjel Kosta zhvilluan një seancë dëgjimore në Komisionin parlamentar të Ligjeve.

Vangjel Kosta, duke thënë konstatimin e tij se mungon këndvështrimi i drejtë ndaj gjyqtarëve, tha se nuk i janë besuar asnjëherë procese politike gjatë regjimit komunist, në kohën kur ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë (1993-2000).  “Nuk mund t’i konsideroj politike vendimet e gjykatave ndaj atyre që konsideroheshin armiq të luftës së klasës”, tha ai para deputeteve te mazhorances.

Kosta ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë në vitet 1993 – 2000 dhe nuk eshte pranuar nga PD per ne Gjykaten Kushtetuese me arsyetimin se kishte dhënë dënime politike gjatë rregjimit komunist.

Ndërsa Albana Shtylla tha se është vënë para një përgjegjësie të madhe për ata çka publiku pret mbi sistemin gjyqësor.

“Ju falenderoj për mbështetjen që i keni dhënë kandidaturës sime. Ndihem me peshë të madhe pasi përgjegjësia është e madhe për atë çka publiku pret për sistemin gjyqësor”, tha zonja Shtylla.

Për të rritur shkallën e besueshmërisë sipas Shtyllës duhet të ketë përfshirje të të gjithë anëtarëve në proceset që ndiqen në KLD, ndërsa vëmëndje të posaçme sipas saj, duhet të kenë rastet e shfaqjes së konfliktit të interesit.

Ndoka ndërhyn për shkarkimin e Çefës e Lelçajt. Fino: Je jashtë rendit!
Por gjatë seancës deputeti i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i vetmi nga opozita i pranishem ne mbledhje, ndërhyri duke pyetur se si e vlerëson zonja Albana Shtylla shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së Elvis Çefa dhe anëtarit Lulzim Leljcaj, procedurë politike apo parlamentare? Debate janë shkaktuar mes Ndokës dhe deputetit të mazhorancës Bashkim Fino i cili tha se pyetja është jashtë rendit të ditës!

Emrat e rinj, pas shkarkimit të Cefës dhe Lelcajt nga KLD
Dy kandidatët e propozuar nga mazhoranca do të zëvendësojnë në KLD anëtarë e shkarkuar së fundi nga Kuvendi, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj.

Kandidati Vangjel Kosta ka shërbyer si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë, ndërsa sot ushtron profesionin e avokatit. Në vitin 2010 ai u propozua nga Presidenti i Republikës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, por dekreti i emërimit të tij u rrëzua në atë kohë në Kuvend nga deputetët e mazhorancës së djathtë.

Kandidatja tjetër për anëtar të KLD-së, Albana Shtylla aktualisht mban postin e sekretares së përgjithshme të Kuvendit, ndërsa më parë ka qenë anëtare e KQZ-së.