Votimi për emigrantët, Majko: Ja si do të procedohet

588
Aksesi në votime i të gjithë shqiptarëve kudo në botë, është një nga prioritetet kryesore që diskutohet në këto momente. Për këtë Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ka depozituar pranë çdo anëtari të Komisionit të Reformës Elektorale informacionin dhe opinionin për të drejtën e votimit të shtetasve jashtë kufijve të vendit.

Ministri Majko ka hartuar një përmbledhje vlerësimesh mbi mundësitë ligjore dhe administrative për të drejtën e votës shtetasve shqiptarë të cilët jetojnë jashtë vendit.

Majko thekson se me pak guxim nga ana e politikës, votimi i emigrantëve mund të bëhet realitet. Majko u shpreh se, “kjo është një përmbledhje, e cila i jep informacion të detajuar të gjithë deputetëve të majtë e të djathtë në Komisionin e Reformës Zgjedhore”.

“Shpresoj të jetë një pikë për të filluar diskutimet për këtë çështje shumë të rëndësishme, e cila ka brenda ankthin dhe kërkesën e të gjithë Diasporës dhe të Migracionit shqiptar, për ata që do të kenë të drejtën e votës duke filluar nga Kanadaja dhe SHBA, në Evropë deri në Australi”, tha Majko.“Mendoj që ne me pak guxim dhe me një sistem të përshtatshëm, të cilin unë u përpoqa ta vlerësoj aq sa më lejonte posti që mbaj, t’u them kolegëve të mi të majtë dhe të djathtë në Komisionin e Reformës se i kemi të gjitha mundësitë që me konsensus ne ta kalojmë këtë reformë të rëndësishme për t’u dhënë të drejtën e votës shtetasve shqiptarë jashtë vendit”, u shpreh Majko. Në dokumentin e dorëzuar Majko, arsyeton se baza ligjore për të drejtën e votës në Shqipëri është jo koherente. Sa i përket modelit të përfaqësimit politik të votuesve jashtë vendit, Majko deklaron se përfaqësimi i migracionit sipas qarqeve elektorale ekzistuese në vend është i duhuri. Lidhur me regjistrimin e votuesve, Majko shprehet se, në këtë proces është e nevojshme që shtetasit jashtë vendit të shprehin vetë dëshirën e tyre për të votuar, duke bërë një kërkesë për këtë qëllim me anë të postës. Kërkesa mund të bëhet edhe nëpërmjet postës elektronike duke ju drejtuar një strukture të posaçme të krijuar pranë institucionit përgjegjës (pranë KQZ-së), i cili do të merret me procesin e regjistrimit të votuesve. Ose mund të bëhet duke u paraqitur në misionet diplomatike të Shqipërisë.
Sigal