Votimi i emigrantëve, Kume: Mungon vullneti, Skënderaj: Ëndërr e largët

421
Reformimi i Kodit Zgjedhor është parë si domosdoshmëri nga të gjitha forcat politike. Më së shumti kohët e fundit kjo gjë është artikuluar nga Partia Demokratike
Diskutimi rreth programit të qeverisë ‘Rama 2’ në Kuvendin e Shqipërisë, solli edhe një herë në vëmendje domosdoshmërinë e reformimit të Kodit Zgjedhor. Partia Demokratike përmes juristit dhe deputetit Oerd Bylykbashi deklaroi gjatë seancës së djeshme, se nuk do të heqë dorë në asnjë moment nga kërkesa e saj për të nisur punën me qëllim reformimin e këtij kodi. Por kjo nuk është vetëm kërkesë e PD-së. Të gjitha forcat politike e kanë një qëllim të tillë dhe në shumë takime të përbashkëta e kanë shprehur. Ndërsa janë hedhur vetëm deklarata, deri në këto momente nuk shihet asnjë dritë jeshile për mënyrën se si do të bëhet ndryshimi i sistemit zgjedhor në vendin tonë. Është një temë për të cilin edhe vet ekspertët janë të ndarë. Por nuk diskutohet vetëm për sistemin, por edhe për hartën e ndarjes territoriale dhe për dhënien e mundësisë për të votuar gjithë shqiptarëve që ndodhen jashtë vendit. Për këto çështje ne morëm mendimin e dy ekspertëve të kësaj fushe, ish-kryetari i KQZ-së Kristaq Kume dhe anëtari aktual i këtij Komisioni, Bledar Skënderi. Për Kristaq Kumen, partitë politike duhet të rishikojnë mundësinë e uljes së numrit të rajoneve. Kjo sipas tij sjell numër deputetësh më të madh për çdo qark si dhe u vjen në ndihmë edhe partive të vogla. Ndërkohë lidhur për problemin e votimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, Kume shprehet se zgjidhja ndodhet në tavolinë, por mungon vullneti politikë. Ndryshe është mendimi i ekspertit tjetër, anëtarit të KQZ-së, Bledar Skënderaj. Ai shprehet se mundësia e votimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë, është një ëndërr e madhe. 
Zoti Kume, si mund të ndërhyhet për të rishikuar hartën e ndarjes territoriale në vend dhe çfarë efektesh do të sillte për Partitë Politike në zgjedhje?
Rishikimi ose trajtimi i problemit të hartës territoriale, që si pasojë të tyre mund të kenë ndryshimin e numrit të rajoneve ose edhe ndryshimin e numrit të bashkive, të dyja këto krijojnë efekte te Kodi Zgjedhor, jo njësoj. Efekt sjell vetëm nese ndryshohet numri i qarqeve, gjë që do të bëjë që numri i mandateve në çdo rajon do të jetë më i madh se sa ky i sotmi dhe për pasojë, kjo do të sjellë dhe përmirësim të pasqyrimit të vullneteve politike të shqiptarëve në kutitë e votimit, në strukturat politike të parlamentit. Ndryshe thuhet që rriten shanset edhe për partitë e vogla që të marrin mandate. Kurse të rritesh ose të zvogëlosh numrin e Bashkive , kjo nuk ndikon fare në Kodin Zgjedhor. 
Si mund të arrihet deri këtu?
Duke bërë ndryshimin përkatës në ligjin e miratuar kohë më parë në bazë të cilit u bë ndarja territoriale e Shqipërisë. Po ndërkohë, nëse duhet të trajtohet ndarja e shqipërisë në rajone përkatëse, do të duhet të ndërhyhet edhe në Kushtetutë. Partitë politike le të bëjnë çfarë të duan. Efektet që sjell çdo ndryshim që mund të bëhet në hartën territoriale të Shqipërisë tek ligji zgjedhor ndodhin kur preket numri i rajoneve. Kjo ndikon tek rezultati i zgjedhjeve. Nëse e gjithë kjo punë bëhet në funksion të një procesi zgjedhor i cili mund të bëjë në mënyrë të mirë konvertimin e votave në parlament, gjithçka arrihet. Ulja e numrit të rajoneve është e duhur. Por në këtë rast do të thosha se duhet vetëm vullneti politik. Me sa di unë të gjitha partitë e diskutojnë, por deri tani nuk kanë arritur të bëjnë gjë. Kjo do vullnet, pra nuk preket sistemi zgjedhor por vetëm numri i rajioneve. 
Një nga pikat e diskutuara gjatë është edhe votimi i shqiptarëve jashtë vendit. PD-ja e ka deklaruar edhe dje në Kuvend. Mendoni se do të arrihet?
Kjo kërkon vetëm vullnet për tu bërë. Angazhim pasi zgjidhjet teknike janë në tavolinë. Unë këto zgjidhje i kam shtruar edhe përpara komisionit Ad Hok ngritur për Kodin Zgjedhor. Unë jam për votimin e shtetasve nëpërmjet postës. Pra procedura është e thjeshtë. Shqiptari kudo që ndodhet pasi sheh listën e zgjedhësve që është online e verifikon atë që është e regjistruar si zgjedhës dhe i drejtohet me kërkesë institucionit përkatës për ti mundësuar votimin me postë. Kjo kërkesë mund të bëhet online, ku ai jep dhe adresën e tij se cila është dhe pas kësaj institucioni në Shqipëri fillon korrespondencën. Kjo është një procedurë që përdoret në shumë vende të botës. Por kjo bëhet në kushtet kur sistemi postar është i besueshëm, funksional dhe kjo kërkon një fushatë sensibilizuese. Unë nuk e shoh domosdoshmërish të kushtëzuar votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë me hartimin e adresarit të tyre. Vetëm pasi të kemi këto adresa si kusht. Pra shtetasit që banojnë jashtë edhe, nëse për ta ne nuk kemi një adresar, vet ata duhet të komunikojnë për të dhënë adresat se ku ti çohet zarfi. Sepse midis shtetaseve që janë jashtë ka student, ka nga ata që shkojnë për arsye familjare e sëmundje, dhe nuk kanë adresa. Zgjidhjet teknike janë në tavolinë. Zgjidhja fillon me vullnetin e Partive Politike. 
Zoti Skënderi mendon se sistemi zgjedhor duhet të ndryshojë dhe nëse po si mund të bëhet?
Bledar Skënderi Reforma e Kodit Zgjedhor është e domosdoshme. Po kështu do të thoja se mund të shihet edhe ndërhyrje në uljen e numrit të rajoneve. S’ka asgjë për tu trembur, vetëm duhet gjithçka e detajuar. Unë besoj se reforma do konsistojë në gjithë sistemin zgjedhur, Ai do të riformatohet. Aktualisht ne kemi sistem proporcional rajonal. Unë këtë besoj. Partitë Politike janë duke parë disa variante të sistemit, një prej tyre është ai proporcional kombëtar me prim, ashtu sikundër e ka edhe Greqia. Gjithsesi reforma do të bëhet. Kjo reforma do të bëhet me konsensusin e të gjitha palëve politike. Kështu ka qenë gjithmonë kur bëhet fjala për Kodin Zgjedhor. Unë mendoj se PD nuk e ka problemin tek disa qarqe. Ata nuk kanë pasur humbje nga kjo në raport me votat. Pd ka më pak vota në çdo qark për një mandat të marrë.
Por lidhur me votimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, mendoni se mund të arrihet tek pika, ku secilit prej tyre t’i jepet e drejta e votimit?
Ah. Në këtë pika do të thosha shkurt. Votimi i emigrantëve është një ëndërr shumë e largët.
Sigal