Vota kundër rezolutës së SHBA ndez parlamentin shqiptar

559
Debatet në parlament/ Deputetët e opozitës dhe mazhorancës janë përplasur duke e quajtur antiamerikane votën kundër rezolutës së Trump në OKB
Vota kundër rezolutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndezi debate dje në parlament ku u shndërrua edhe në një nga temat më të diskutuara mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës. Në debatet e atëhershme u përmend fakti se vota në OKB nuk ishte e diskutuar më parë mes palëve politike. 
Në fjalën e tij kryeministri i vendit Edi Rama u shpreh se: “Politika juaj është jashtë, sepse reforma në drejtësi që e votuat këtu me të dyja këmbët në një këpucë, sepse ju kemi futur në një hall shumë të madh. Sa të jetë kjo parti në qeveri ju s’keni asnjë shans të mbeteni pa drejtësi. Ju e kthyet shtetin shqiptar në një zhele pa asnjë lek. Ju mund të bëheni çdo gjë, vetëm që të fshiheni, të mos t’ju kapin”.

Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar duke u shprehur se vota kundër, ishte ndaj vendeve më miqësore me Shqipërinë, duke theksuar se kjo qeveri riktheu votën e Enver Hoxhës në OKB. Votuat kundër vendit që ka shfaqur ndjenjat më miqësore ndaj shqiptarëve. Këta mashtrues që duan të mbrojnë aktin e tyre të shëmtuar, gënjejnë çdo ditë shqiptarët. Sapo tha ministri juaj që të gjithë vendet kandidate të BE, votuan për rezolutën. Braktisi sallën dhe nuk votoi. Kemi të bëjmë me njerëz ordinerë si ky këtu, kreu juaj, që pa u skuqur tha se, nuk na e kërkoi njeri.

Në fjalën e saj kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi tha: “Në fakt, nuk duhet të kishim ardhur në këtë pikë dhe as nuk duhet të ishim bërë pjesë e kësaj vote anti-amerikane, pasi vendimi i Presidentit Trump për këtë çështje përfaqëson qëndrimin Sovran të popullit amerikan dhe institucioneve të tij të zgjedhura, Kongresi, Senati, administrata dhe Presidenti. Edi Rama duhet të kishte kujtuar Presidentin Willson dhe platformën e tij në Konferencën e Paqes, ku sanksionoi të drejtën e popullit shqiptar për vetëvendosje në një kohë që ishte pranë copëtimit dhe ndarjes mes fuqive ballkanike të kohës. Edi Rama duhet të kishte kujtuar qëndrimin e Presidentit Klinton dhe çlirimin e Kosovës nga okupimi në prag të shfarosjes së gjysmës së trungut shqiptar…”, u shpreh Kryemadhi. 

Në fjalën e tij lideri i partisë demokratike, Lulzim Basha është shprehur se: “Ndryshimi me rezolutat e tjera për Jerusalemin është se, më 21 dhjetor Shqipëria votoi kundër Amerikës, kundër vendimit sovran të Presidentit Trump në zbatim të një tjetër vendimi sovran bipartizan të Kongresit Amerikan”, ka theksuar Basha në fjalën e tij dje në parlament kur po diskutohej vota e Shqipërisë kundër rezolutës së SHBA-ve. 

Ish-ministrja e Integrimit dhe deputetja aktuale e LSI-së Klajda Gjosha e cilësoi si një votim të nxituar të qeverisë shqiptare. “E para Shqipëria nuk mund të jetë kurrë një vend mosmirënjohës ndaj aleatit të saj më të madh gjeostrategjik. E dyta, investimi i SHBA për njohjen e Kosovës është historik për shqiptarët dhe vota kundër SHBA është automatikisht një votë kundër Kosovës…dhe kjo është tepër e rëndë!

E treta, nuk mundet kurrsesi një individ i vetëm të përfaqësojë apo të flasë në emër të shtetit shqiptar kur dihet fare mirë pozicioni i qytetarëve tanë në raport me SHBA dhe çdo vendim të saj. Shqipëria nuk është as Gjermania, as Franca për të luajtur një politikë të jashtme arrogante”, theksoi Gjosha. 

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati renditi 4 arsyet e qëndrimit të Shqipërisë: “Katër arsyet e qëndrimit të Shqipërisë. E para, aplikimi i koherencës dhe qëndrueshmërisë në përputhje më të drejtën ndërkombëtare dhe me qëndrimin e BE. Qëndrim konsensual kemi mbajtur edhe në 2005 apo 2009 kur Shqipërinë e drejtonte PD. Urdhëroni për Jerusalemin, vota e Shqipërisë pro, vota e SHBA kundër. Vazhdojmë me rezolutën e 2008, apo 2010 edhe kur ishte PS-LSI bashkë me Edmond Panaritin ministër të Jashtëm i njëjti qëndrim. E doni qëndrimin kur ishte me Ramën i njëjti qëndrim, edhe më 30 nëntor 2017 i njëjti votim”,- tha ministri.
Sigal