Vota e lirë, partitë e vogla dhe sistemi elektoral

594
Sigal

Nëse do ishte votuar sipas një sistemi proporcional kombëtar, do të kishim vetëm tri parti; PD, PS dhe LSI

Partitë e vogla çdo 4 vjet kanë kërkuar ndryshimin e sistemit elektoral, në favor të një proporcionali më të zgjeruar, që nënkupton ose korrektim kombëtar, ose kalim në proporcional të pastër kombëtar me një zonë. Paradoksalisht, sistemi që ata kërkojnë nuk u jep më shumë shanse për t’u përfaqësuar në Parlament. Po të shikosh me kujdes renditjen konstaton se, thelbi është proporcionaliteti pa prag elektoral. Kjo do të thotë se, në një rast të tillë, do të mund të futej në Parlament edhe një parti me më pak se 1 për qind të votave. Heqja e pragut, në një sistem proporcional kombëtar, do ta çonte Shqipërinë drejt një destabiliteti të sigurt politik, si pasojë e futjes në Parlament të dhjetëra partive. Politika do të orientohej drejt copëzimit dhe nuk do të ishte çudi, të krijoheshin edhe nja 100 parti të tjera, që do të pretendonin të merrnin nga një deputet, sepse në rastin pa prag do mjaftonin vetëm 0.7% e votave, në rang kombëtar, për të garantuar një deputet (ndoshta do mjaftonin edhe 0.5 për qind apo 0.3 për qind të votave. Partitë e mëdha do të shkonin drejt shkatërrimit, duke u kthyer në OJQ dhe në qoftë se do të ndodhte kjo, do duhej një qeveri ku numri i ministrave të ishte i barabartë me numrin e partive në qeveri, pra një parti një ministër. Kjo do të vështirësonte situatën, dhe nuk do të merrej vesh se kush do të bëhej Kryeministër, apo sat ë tillë duhej të bëheshin  brenda një mandati 4 vjeçar. Zgjedhja e qeverive do të mund të bëhej vetëm me short tremujor, pra do t’i binte çdo deputeti të bëhej njëherë ministër. Parlamenti nuk do të kishte as pozitë e as opozitë, do ktheheshim 1 mijë vjet mbrapa, në emër të “votës së barabartë, apo votës së drejtë”. Spekulimi me votën e barabartë, të bën të mendosh se, anglezët që kanë sistem të pastër maxhoritar, do të merrnin jo 3 për qind, por 30 për qind të votave, duke fshirë barazinë e votës. Në qoftë se, këto vota do t’i nënshtroheshin një sistemi proporcional, do përktheheshin në afro 200 deputetë. Demokracitë zhvillohen bazuar në kode elektorale dhe sisteme funksionale përfaqësimi, duke krijuar një sistem barazie para ligjit, ndërsa barazia e këtij lloji në përfaqësim, rrit shanset për destabilitet. Aktualisht Shqipëria sistemin ekzistues e ka sistem koalicionesh, kështu që dy partive të mëdha u intereson koalicioni për të arritur fitoren. Por edhe partitë e vogla përpiqen nëpërmjet presionit ndaj partive të mëdha, ta çojnë vendin drejt një eksperimenti tjetër të panevojshëm. Është e paqartë se, çfarë nënkupton PS-ja kur shprehet e gatshme për ndryshimin e sistemit. Çdo ndërhyrje në sistem, që përjashton heqjen e pragut, nuk do të ndryshonte asgjë për partitë e vogla. Mjafton të kujtojmë faktin që rezultatin e zgjedhjeve të kaluara që ishte me një prag prej 3 për qind më i ulëti në Europë. Në zgjedhjet e kaluara pak prej partive të vogla arritën t’i afrohen këtij pragu. Nëse do ishte votuar sipas një sistemi proporcional kombëtar, në Parlament do të kishim vetëm tri parti PD, PS dhe LSI. Tri partitë e tjera PR , PBDNJ dhe PDIU nuk do të kishin asnjë deputet sot. Sistemi ekzistues u jep shanse partive që përfaqësojnë shtresa të veçanta të popullsisë shqiptare të futen në Parlament dhe i djeg partitë e vogla, që tentojnë shtrirje politike. Realisht  problemi i partive të vogla, që nuk e përballojnë konkurrencën mbetet i pazgjidhshëm. Si kusht për integrimin e tyre ndoshta do të ishte që sistemi aktual të kishte një prag prej 3 për qind. Kjo do moderonte konkurrencën politike dhe do t’u krijonte kushte të gjitha partive për tu përfaqësuar në Parlament, dhe partive të vogla të realizonin synimin e tyre për votën e barabartë.