Voltana Ademi e vendosur: Do vazhdoj betejën ligjore për mandatet, s’e njoh 30 qershorin

481
Sigal

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi ka deklaruar sërish se do ta vazhdojë rrugën e saj ligjore për zgjedhjet e 30 qershorit pasi sipas saj ishin kundra ligjit. Ajo ka theksuar se nuk njeh kryebashkiakët e rinj.

Ademi ka deklaruar se më 17 korrik 2019, ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë lidhur me procesin e 30 qershorit, si kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

Reagimi i plotë:

Si kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, me 17 korrik 2019, kam depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë lidhur me procesin e 30 qershorit.

Konkretisht, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka kërkuar:

1. Konstatimin antikueshtetues të zgjedhshmërisë/ procesit zgjedhor të zhvilluar me 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe antarëve të këshillave bashkiakë dhe si rrjedhojë, konstatimin antikueshtetues të zgjedhjes së antarëve të këtyre organeve;

2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019 në përputhje me gërmën d të nenit 131 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Ne e dimë se sot Gjykata Kushtetuese është jofunksionale, por duke besuar tek drejtësia dhe duke marrë parasysh edhe sugjerimet e faktorit ndërkombëtar, ne jemi të vendosur të vazhdojmë reagimin tonë institucional përmes rrugëve kushtetuese dhe ligjore.

Ngërçi me mandatet e kryebashkiakëve erdhi pas mosnjohjes nga opozita të zgjedhjeve të 30 qershorit. Kryetarët e bashkive të djathta janë zotuar se nuk do të lirojnë zyrat e tyre, ndërkohë që gjykatat kanë dhënë mandatet në shumicën e bashkive. “Mollë” sherri u kthye mandati i Valbona Sakos në Durrës, ku gjykata njëherë vendosi të mos e jepte mandatin, e dy ditë më vonë ia dha atë kandidates socialiste.