Vokshi: Pazaret e Ramës e Beqajt për ilaçet po vdesin pacientët

466
Sigal

TIRANE – Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi ka dalë sot në një deklaratë për mediat ku ka akuzuar sistemin shëndetësor dhe ministrin Beqaj se për shkak të ilaçeve të falsifikuara që ministria ka futur në treg njerëzit po humbasin jetën.

Vokshi ka bërë publik rastin e ndarjes nga jeta të një gruaje që sipas denoncimit të të shoqit ishte trajtuar me ilaçe jashtë standardeve.

Sipas Vokshit dhe PD ndërhyrja e qeverisë për të lejuar importin paralel të ilaçeve ka dëmtuar rëndë sigurinë e medikamenteve dhe ka krijuar hapësira biznesi për klientelën pranë Edi Ramës e në kurriz të shëndetit të qytetarëve.

Më poshtë deklarata e plotë e Albana Vokshit

Shëndetësia e Edi Ramës është sot para akuzës më të rëndë publike.

Kemi një viktimë, që sipas familjarëve të saj, vjen si pasojë e trajtimit të papërgjegjshëm e korruptiv nga administrata e spitalit publik.

Qytetari Ilir Pojako, ka denoncuar dje publikisht, se bashkëshortja e tij u nda nga jeta, sipas dyshimeve tashmë të përsëritura se trajtohej me një ilac jashtë standarteve, i falsifikuar.

Pak kohë më parë, Ilir Pojaku e shprehu shqetësimin e tij edhe në media, se Altuzani që përdorej në komioterapi, nuk ishte origjinal, e nuk po jepte efekte. Ndarja nga jeta e bashkëshortes së tij, një ditë më parë i përforcon edhe më shumë këto dyshime.

Futja e ilaceve të falsifikuara në treg, e ka origjinën në modifikimin ligjor që i bëri Ministri i Shëndetësisë tenderit, i nxitur nga interesat e lobeve të farmaceutikës, për të lejuar importin paralel të ilaceve. Kjo ndërhyrje e qeverisë, ka dëmtuar rëndë sigurinë e medikamenteve, dhe ka krijuar hapësira për biznes për klientelën pranë Edi Ramës, në kurriz të shëndetit të qytetarëve.

Eshtë kriminale, lejimi i importimit të barnave pa certifikatë sigurie dhe pa informacion për vendin e origjinës.

Sipas një raporti te FDA (Food and Drug Administration), ALTUZAN rezulton të jetë një medikamet i falsifikuar. (ja ku është edhe njoftimi i FDA, të cilin PD e ka bërë publik edhe ne Konferencën për shëndetësinë në dt 31 korrik 2014).

Ky rast u denoncua pak kohë më parë publikisht edhe nga një aktivist i njohur i shoqërisë civile. Cili ishte reagimi i qeverisë. Të ndjerës, bashkëshortes së Ilir Pojakut iu hoq kempi pas dyshimeve që shprehu në media, ndërsa Galdini kallëzoi në polici kërcënimet që kishte marrë pasi u shpreh në publik për dyshimet e tij.

Një skemë e mirëfilltë kriminale, e dirigjuar nga klani mafioz që ka kapur shëndetësinë.

Ministria e Shëndetësise dhe Qëndra Kombëtare e Kontrollit të Barnave duhet të përgjigjet se:

-Në cilat kushte është kryer transporti i Altuzanit, Herceptines, Mabteres, Velcades?

-Kujt i janë dorëzuar rekordet e temperaturave?

-Kush mban pergjegjesi për cilësinë?

Edhe sa qytetarë duhet të humbin jetën, që Edi Rama të reagojë. Deri ku shkon etja kriminale për pasurim i klientelës së tij, në kurriz të shëndetit e jetës që qytetarëve.

Eshtë rasti që Porkuroria të nisë një hetim të plotë e të thellë. Përgjegjësit e këtij rrjeti kriminal e vrasës, duhet të dalin menjëherë para ligjit.