Vokshi: Mbështetja e grave, domosdoshmëri për të rritur zhvillimet ekonomike

381
Në Budva u mbajt takimi i parë bilateral midis Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësinë të Parlamentit shqiptar dhe Komisionit për Barazinë Gjinore në Parlamentin e Malit të Zi. Fokusi i këtij takimi ishte pjesëmarrja e gruas në sipërmarrje dhe u bë i mundur nga mbështetja e OSBE-së, misioneve në Shqipëri dhe Malit të Zi. Ndërkohë që fuqizimi i rolit të grave në vendimarrje, fushën ekonomike dhe sociale si dhe barazia gjinore, janë dhe prioritet të mbështetjes që OSBE, i ofron vendit tonë. Në takimin “Sipërmarrjet e grave-drejt forumit parlamentar të Cetinjës”, pala shqiptare përfaqësohej nga Kryetarja e Komisionit për Punën Cështjet Sociale dhe Shëndetësinë Znj. Albana Vokshi, deputetë të këtij komisioni, z. Ylli Ziçishti, znj. Albina Deda, z. Roland Keta , znj. Albjona Halimi si dhe Nënkryetarja e Aleancës së Grave deputete Znj. Mimoza Hafizi dhe sekretarja e këtij Komisioni znj. Silva Caka. 
Vokshi, në fillim të fjalës së saj, bëri një prezantim të shkurtër sipërmarrjes së grave në Shqipëri, “Po të shohim gjendjen e performancës së grave në tregun e punës, treguesit janë shqetësues. Gratë paraqesin një shkallë më të lartë dhe më afatgjatë papunësie dhe një pjesëmarrje të vogël në tregun e punës (60% e grave), ndërsa përfshirja e tyre në aktivitete me vetë- punësim është më e ulët , krahasuar me burrat në Shqipëri. Një tipar tjetër është përqendrimi i grave në sektorë me prodhimtari të ulët dhe shkallë të lartë informaliteti, të tilla si bujqësi dhe prodhim. Po ashtu, gratë janë më pak të përfshira në industri dhe në sektorët e shërbimeve, krahasuar me burrat”. 
Në prezantimin e saj Vokshi bëri të ditur gjithashtu se mbështetja nuk duhet parë si raport gjinor, nuk duhet parë si përqindje midis grave dhe burrave, por si domosdoshmëri për të rritur cilësinë e zhvillimeve ekonomike e sociale në vend. “Ka shumë studime dhe eksperienca pozitive që vërtetojnë se në ato vende ku është rritur dhe përmirësuar angazhimi, punësimi dhe promovimi i grave në biznes, por jo vetëm në biznes, janë arritur rezultate pozitive në ritmet dhe cilësinë e rritjes ekonomike dhe janë zbutur sfidat sociale. Strategjia e mbështetjes së tyre duhet të jetë pjesë e strategjisë kombëtare të zhvillimit të integruar të vendit. Kjo fillon që me draft strategjitë deri në monitorimin e tyre”, tha Vokshi. Ajo shtoi se hartimi i politikave bazuar ne evidenca është një nga kushtet bazë për të patur politika të efektshme në rritjen e mirëqenies së popullsisë. Në mbyllje, u ra dakort që ky takim të pasohet nga takime të tjera dypalëshe, dhe ai I radhës të mbahet në Shqipëri në fund të këtij viti.
Sigal