Vlorë, Tahiri: Nis procesi i Popullimit, punësohen 1200 të rinj për regjistrimin e shqiptarëve

475
Sigal

Fjala
e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në ceremoninë e mbajtur në
Vlorë ku u lançua nisja e procesit të “Popullimit”. Në aktivitet morën pjesë veç
të zgjedhurve vendorë të këtij qarku, edhe ministri i Energjitikës Damian
Gjiknuri, Drejtori i OSHEE Ardian Çela, Prefektja e Vlorës Etjona Hoxha dhe
zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. 

Ministri Tahiri: Të nderuar Kryetarë
Bashkish, përfaqësues të pushtetit vendor, punonjës të administratës, të
OSHEE-së, të Policisë së Shtetit, të njësive vendore,

përpara se të them dy fjalë për atë që do bëjmë, dua
të ndaj me ju atë që shpesh kemi biseduar me njëri-tjetrin e shpesh në publik,
atë që na shqetëson më së shumti bashkërisht besoj, raportin e shërbimit që ka qeverisja
me qytetarët.

Në krye të këtij mandati, Qeveria nisi disa sipërmarrje të cilat në mes të
debatit nëse janë të duhura apo jo, të parakohshme apo jo, represive, konstruktive,
masa apo reforma, synonin mbi të gjitha vënien në binarë të shtetit dhe mbi të
gjitha daljen nga informaliteti total. Dhe duhet të ndodhte dikur që, në krye
të më shumë se dy dekadave tranzicion, të kishim një shtet që përputhej në
realitet me atë që është në letër.

Një shtet që i shërben qytetarit duke ndaluar këtë
pakicë njerëzish që shkelin ligjin ose që janë informalë.

Është kjo arsyeja pse ne menduam që një ndër to, ishte sipërmarrja që morëm
përsipër bashkë me Ministrinë e Energjetikës dhe OSHEE, për të ndaluar
pabarazinë themelore të që ishte ndërmjet qytetarëve në pagesën e energjisë
elektrike, ku shumica dërmuese paguante energjinë, dhe një pakicë në mënyrë
kronike të vazhdueshme, jo. Kjo sigurisht nuk solli vetëm stabilitetin
financiar të kompanisë, por dhe mundësinë që qytetarët mbi të gjitha të ndihen
të barabartë para ligjit.

Solli dhe mundësinë që ne të fitojmë kohën e humbur,
në mbi dy dekada, për të pasur në mënyrë definitive të njëjtin trajtim të
qytetarëve duke u shërbyer në të njëjtën mënyrë.

Ishte sigurisht një reformë me jo pak sakrificë,
duke pasur parasysh jo vetëm sakrificën financiare të familjeve që ishin mësuar
të mos e paguanin faturën e energjisë elektrike, por mbi të gjitha sakrificën për
të fituar mbi mentalitetin që këtu në këtë vend mund të bësh gjithçka, mund të
sillesh si të duash, dhe nuk ke asnjë llogari, jo vetëm në raport me shtetin,
por edhe në raport me atë që ke në krah, qytetarin e ndershëm që është korrekt
me ligjin, respekton rregullat dhe përpiqet të kontribuojë në këtë shtëpinë
tonë të përbashkët.

Kjo ishte një fazë paraprake që, së bashku me të
tjerat, ka mundësuar të krijojmë një rrugë mbi të cilën po ndërtojmë shtet. Dhe
ne sot nuk matemi me atë që kemi mundësi të bëjmë, apo me atë për të cilën jemi
angazhuar. Të gjithë ata që duan ta ndërtojnë jetën në Shqipëri dhe mbi të
gjitha për fëmijët tanë që pa asnjë diskutim meritojnë një të ardhme më të
mirë.

Është kjo arsyeja pse çdo reformë që kemi ndërmarrë në pjesën e parë të këtij mandate,
ka filluar prodhon benefitet publike, të mirat publike, për të cilat kemi
nevojë, referuar më së pari në rritjen e pagave dhe pensioneve.

Këtë vit Qeveria ka mundësuar rritjen e pagave dhe
pensioneve, dhe kjo mbi të gjitha është kontributi më i vyer i të gjithë atyre
që në pjesën e parë të këtij mandati u angazhuan bashkë me ne për të ndërmarrë
këto reforma. Ashtu siç është shpërblimi më i mirë për të gjithë qytetarët që
bashkë me ne mirëkuptuan dhe kontribuan mbi të gjitha për të impelmentuar këto
reforma.

Ka shumë që, aty jashtë që na kritikojnë, për atë që
nuk kemi bërë ende apo për atë që duhet të bënim duke konsideruar këtu edhe
dështimet tona historike për 20 e kusur vjet.

Dhe ne i mirëkuptojmë që të gjithë. Sepse dhe ne
besojmë që Shqipëria meriton të jetë më mirë. Ne e dimë që ka shumë për të
bërë. Edhe ne jemi të vetëdijshëm që gjithçka kemi bërë deri më sot, është
shenja më e mirë për të na treguar që kemi ende mundësi që të bëjmë më mirë.
Këtë e bëjmë vetëm bashkë. Është kjo arsyeja pse produkti i të gjithë këtyre
reformave na sjell te, sipas meje, një ndër më të rëndësishmet që është:
“Popullimi”.

Në qoftë se e nisëm me barazinë para ligjit për qytetarët, sot duhet të
vazhdojmë me identifikimin dhe popullimin e çdo qytetari dhe banese në
Republikën e Shqipërisë.

Sot, ndoshta jemi vendi i vetëm në rajon, në Europë
po e po, që pyetjes: Sa shqiptarë jemi në Shqipëri i përgjigjemi më përafërsi, afërsisht
3 milionë. Kurrkush nuk ka një përgjigje të saktë.

Ndoshta jemi i vetmi vend në rajon, në Europë po e
po, që nuk kemi një pasqyrë të saktë të: Sa jemi dhe ku jetojmë? Kjo është për
shkak të lëvizjes demografike intensive. Edhe në Vlorë shumë qytetarë kanë
zgjedhur të ndërtojnë jetën e tyre në qytetin e Vlorës, kur ndërkohë në
regjistrat e shtetit figurojnë banues në një vend tjetër.

Kjo mbi të gjitha, përveç faktit që pamundëson
shtetin të japë shërbime, të vëmë kapacitetin e institucioneve t’i gjenden
qytetarit kur ai ka nevojë. Në qoftë se vazhdimisht themi se duhet të
përmirësojmë shërbimet për qytetarët, duhet të eliminojmë korrupsionin, duhet
të bëjmë gjithçka është e mundur që shërbimet të jenë transparente në kohë.
Duhet të fillojmë nga A-ja, të bëjmë në mënyrë definitive përfundimtare kush
banon ku. Kjo është mënyra më e mirë për t’u shërbyer qytetarëve.

Ndaj Ministria e Punëve të Brendshme ka ideuar dhe po implementon me Ministrinë
e Energjetikës, “Popullimin”.

Sepse na duhet të shkojmë derë më derë për të marrë
të gjithë informacionin e domosdoshëm nga qytetarët lidhur me adresën dhe jo
vetëm. Ky është një proces shumë i vështirë, ku mbi të gjitha është një proces
historikisht i përsëritur në Shqipëri. Rreziku më i madh është ai që kemi
kaluar në të shkuarën, ashtu siç një rrezik jo i vogël është nëse përsërisim
gabimet e së shkuarës.

Në këtë pikëpamje kontributi i çdo institucioni
përfshirë pushtetin vendor mbi të gjitha, zyrat e urbanistikës mbi të gjitha
dhe pastaj çdo institucion tjetër është më shumë sesa themelor.

Sot ne pak a shumë dimë ose na duket sikur dimë
gjithçka mbi të gjithë, duke nisur me kush banon ku dhe këtë e dimë
përafërsisht duke vazhduar me adresat edhe këtë e dimë përafërsisht me shenja
rrethanore por shumë pak dimë për atë që realisht është Shqipëria, përveç se në
letër.

Në kuriozitetin tuaj ne në letër jemi 4.5 milion
shqiptarë, mbi 4.5 milion shqiptar.

Por në Shqipëri ne nuk jemi kaq brenda kufijve.
Sepse realiteti në letër, Shqipëria në letër nuk është Shqipëria në realitet.
Sepse Shqipëria në regjistra nuk është Shqipëria e përditshme që njohim ne.

Ndaj ne na duhet të nisim shumë shpejt pas një
periudhe intensive përgatitore, një fushatë trokitjesh derë më derë dhe është
kjo arsyeja që brenda 10 ditëve ne do të përfundojmë procesin e rekrutimit të
1200 të rinjve të cilët në çdo cep të Shqipërisë do trokasin derë më derë dhe
do bëjnë regjistrimin e çdo banese duke populluar nga njëra anë regjistrin
civil dhe duke bashkuar regjistrin civil me atë të banesave, të adresave.

Dhe në fund të këtij procesi ne do të kemi përtej
çdo pritshmërie  më në fund një regjistër unik ku qytetarët të
identifikohen me një banesë dhe ku regjistri të jetë i plotë i populluar pa
mangësi dhe transparent, duke i mundësuar të gjitha institucioneve dhënien e
shërbimeve përball qytetarit pa pasur nevojë për sorollatje, pa pasur nevojë
për pritje të stërgjata, pa pasur nevojë për bredhje nga një zyrë në zyrën
tjetër dhe kurrë  nuk të vjen shërbimi dhe mbi të gjitha pa pasur nevojë
për korrupsion dhe për bakshish.

Ne jemi në fazën më të rëndësishme të popullimit. Me
kryetarët e bashkisë e kam ndarë pjesën më të madhe të këtij procesi. Janë
mjaft të vetëdijshëm për detyrat që ka secili. Zyrat e Urbanistikës janë mjaft
të vetëdijshëm për detyrat që ka çdo zyrë, çdo punonjës, çdo ndërlidhës me
komunitetin, çdo kryeplak, çdo punonjës i Policisë së Shtetit në çdo zonë. Ajo
që duhet është që të mos neglizhojmë. Nga sot edhe 10 ditë ne do ecim përpara
me rekrutimin e të rinjve dhe të rejave që në çdo qytet dhe në çdo fshat do
bëjnë këtë regjistrim.

Janë 1.200 të rinj të cilët do të angazhohen ditë
për ditë nga sot e 6 muaj për të bërë këtë regjistrim. Është procesi më i
rëndësishëm për të pasur më në fund një pasqyrë të denjë dhe reale në fund
të  cilës do kemi një Shqipëri si në letër ashtu edhe në realitet.

Kontributi njerëzor në këtë proces është themelor.

E para sepse ky proces nuk mund të bëhet pa
angazhimin serioz të njësive vendore.

E dyta sepse përfitimet që presim të marrim, janë
shumë më shumë se sa sakrifica që na duhet për ta çuar përpara. Pra nëse sot të
dy këta regjistra, Regjistri i Gjendjes Civile dhe Regjistri i Popullsisë e
përdorin shumë institucione me mbi 5500 shërbime në muaj ne do të jemi në
gjendje nesër të shtojmë kapacitetin për t’i shërbyer qytetarëve për shkak të
këtij procesi që po bëjmë.

Është shumë e sigurt që një nga shërbimet kryesore
është e drejta për të zgjedhur, e garantimit e të drejtës për të zgjedhur.

Zgjedhjet janë diçka një vit më pas, dhe ju e dini
shumë mirë, veçanërisht përfaqësuesit e pushtetit vendor. E dini shumë mirë
pamundësinë reale, dhe pamundësinë objektive të shumë qytetarëve për të mos
votuar, sepse nuk kanë ende një qendër ku banojnë. Këta të ashtuquajtur me
kodin 999, apo 888, apo 000 në listat zgjedhore, janë ata qytetarë që
objektivisht i kemi ndaluar mundësinë që të votojnë, për shkak se nuk kemi bërë
përputhjen e regjistrit të Gjendjes Civile me adresën.

Pra për shkak se një qytetar banon në Vlorë,
pavarësisht se gjendjen civile e ka të regjistruar në Himarë. Kjo nuk mund të
ndodhë më, kjo nuk mund të vazhdojë më. Dhe përfitimi kryesor i këtij procesi
është të garantojë që të gjithë të kenë objektivisht dhe të gëzojnë realisht të
drejtën për të zgjedhur.

Kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e
vendit, është shumë e rëndësishme për çfarë ndodh nesër. Ndaj detyrimi madhor
është ta bëjmë këtë proces me seriozitet maksimal.

Ata 1.200 të rinj që do të rekrutohen, duhet të
plotësojnë një sërë kriteresh profesionale dhe mbi të gjitha të integritetit
për ta bërë këtë proces në mënyrë sa më korrekte, sa më transparente duke hequr
çdo mundësi që edhe nëpërmjet teknologjisë që procesi të mos zhvillohet në kohë
apo të mos jetë i saktë.

Dhe ata kanë nevojë për ndihmën e vyer të pushtetit vendor, për ndihmën e vyer
tuajën. Për ndihmën e vyer të çdo funksionari publik që ka një mundësi të vetme
të kontribuojë  në këtë proces për të ndihmuar bashkimin e Shqipërisë në
letër me Shqipërinë reale.

Ky sigurisht do të ishte gur i themelit për një shtet modern dhe do të ishte
pikënisja për një shtet modern. Të dish sa jemi dhe ku banojmë. Do të ishte
A-ja e funksionimit të shtetit dhe premisa e duhur për t’i shërbyer siç duhet
qytetarit. Dhe pa asnjë dyshim jemi vonë.

Dhe kemi në kurriz një vonesë jo të vogël, duke e
konsideruar mbi 2 dekada që trashëgojmë këtë gjendje kaosi njerëzor, mbi të
gjitha rrëmuje të shërbimeve ndaj qytetarëve.

Eshtë e domosdoshme që të mos humbasim kohë dhe këtë proces të bëjmë gjithçka
është mundur që ta çojmë përpara me shumë sukses. Dhe duhet të fillojmë
brenda 15 nëntorit regjistrimin në çdo cep të Shqipërisë.

Dhe brenda 15 nëntorit kemi gati kuadrin e
profesionistëve që do shkojnë të intervistojnë çdo qytetar në çdo shtëpi në çdo
cep të Shqipërisë. Pra 1.200 të rinj dhe të reja profesionistë që do trajnohen
dhe do kenë infrastrukturën dhe teknologjinë e domosdoshme për të bërë në kohë
reale atë që s’kemi bërë në 20 e kusur vjet.

Pra është shumë e domosdoshme që njësitë vendore dhe
çdo funksionar publik, nga sot e tutje t’i dedikohet në mënyrë serioze këtij
procesi. Sipas meje është shlyerja e një borxhi historik që i kemi qytetarëve,
atyre që jetojnë në Shqipërisë dhe atyre që janë emigrantë.

Unë dua t’ju falënderoj për kontributin dhe t’ju uroj suksese në këtë punë
kolosale që na pret përpara me besimin e plotë që gjithçka kemi bërë deri më
sot është nxitja dhe besimi më i mirë që edhe kjo do të jetë një sukses.

Dua të falënderoj kolegun tim, dua të falënderoj OSHEE, dua të falënderoj çdo
kryetar bashkie, dua të falënderoj përfaqësuesit e çdo  njësie
administrative dhe të gjithë ata që do angazhohen në këtë proces që të shkojë
përpara me sukses.

Dhe për të mbyllur përfundimisht një kapitull kaosi
dhe rrëmuje me dy Shqipëri, një në letër dhe një në realitet dhe për t’i hapur
përfundimisht Shqipërisë mundësinë t’i shërbejë qytetarëve, me dinjitet, me
korrektesë, me devotshmëri me transparencë dhe mbi të gjitha pa bakshish dhe pa
korrupsion.

Ju faleminderit shumë të gjithëve!