Vlora abandonon kryebashkiakun Dritan Leli

578
Sigal

 

Bojkotohet kryebashkiaku i Vlorës dhe dekorohet
ushtari i Duçes

 

Dështojnë
aktivitetet e kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli. Vlonjatët e kanë braktisur
edhe në koncerte. Sallat gjithnjë e më të boshatisura. Ndërsa ai nga ana e tij
ka braktisur punën dhe qytetin që nga dita e parë që filloi si kryetar bashkie.
Madje për 3000 lekë të vjetra për llamba rruge humbi jetën edhe një 17-vjeçar në
aksident. Vlonjatët nuk e meritojnë këtë trajtim. Një qytet, ku vdesin përditë
njerëz, të palumtur, të pashpresë, të braktisur. Të tjerë që ikin sa më larg,
pa e kthyer kokën pas. Ata që kanë mbetur i duan vetëm për pushtetin e tyre, për
të justifikuar votat në kuti. Sa keq! Pas 104 vjetësh! Por dështimet e
krybashkiakut nuk mbarojnë këtu. Siç raporton “Hashtag.al” ka shpërthyer
gallata në Vlorë. Këngëtari Al Bano Carrisi është bërë qytetar shqiptar. Këngëtari
do të marrë pasaportën dhe për të do të organizohet një pritje në Pallatin e
Brigadave. Por aktivitetet që do të zhvillohen në qytetin e Vlorës duket se
arrijnë në nivelin e komedisë. Dy shoqata kulturore “Albano Karrisi” dhe “Nermin
Vlora Falaschi” njoftojnë organizimin e një aktiviteti nën kujdesin e posaçëm të
një ministri. Në orën 10.00 do të vendosen buqeta me lule te “Monumenti i Pavarësisë”,
ndërsa në orën 11.00 është parashikuar një vizitë në Maternitetin e Vlorës, ku
një të porsalinduri do t’i vihet emri Albano. Mendohet se shoqatat e kanë
parashikuar edhe se kush do të lindë në datën 28 nëntor, që të meritojë emrin e
këngëtarit italian me pasaportë shqiptare. Pasdite aktiviteti do të zhvendoset
në hollin e kinoteatrit “Petro Marko”, ku do të çelet një ekspozitë fotografike
dhe do të zbulohet busti i këngëtarit. Në këtë aktivitet, një përfaqësues i
Qeverisë do t’i dorëzojë Al Banos pasaportën shqiptare, ndërsa kryebashkiaku
Leli do t’i akordojë lejen për të banuar në Vlorë dhe certifikatën e
regjistrimit në gjendjen civile. Al Bano do të shpallet edhe ‘Mik i Labërisë’.
Por është parashikuar edhe një certifikatë e veçantë, ajo e “Mirënjohjes së
Qarkut’ që do të jepet nga kryetari i Këshillit të Qarkut, Sadrit Danaj.
Certifikata do të jepet jo për këngëtarin, por për babanë e tij, të ndjerin
Carmelo Carrisi, i cili kishte ardhur gjatë luftës në Shqipëri si ushtar i
Duçes, por i pëlqeu Shqipëria dhe i vendosi të birit emrin Al Bano. Më pas do
të ketë recitime dhe këngë. Por një pikë e posaçme e parashikuar nga
organizatorët, sipas njoftimit të shpërndarë prej tyre është ajo me numrin 10:
“Falënderime, këngë dhe lot nga Al Bano Karrisi”. Se mos nuk qan Al Bano, se
prishet edhe programi!