Vlerësohen kandidaturat për KLP dhe KLGJ, sa kandidatë plotësojnë kriteret

622
Komisioni parlamentar për Çështjet Ligjore është mbledhur ditën e sotme për të vendosur ngritjen e nënkomisionit “ad hoc” i cili do të kryejë procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve që vijnë nga radhët jo të Prokurorisë apo Avokatisë, për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Po kështu, ky komision do të bëjë edhe përzgjedhjen e anëtarëve që vijnë nga radhët jo të Gjyqësorit, për Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Që në nisje të mbledhjes, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit Genci Gjonçaj tha se pas shpalljes se vendeve vakante për KLP dhe KLGJ u ngritën strukturat për verifikimin e kandidatëve.
“Procesi nuk ka ecur me ritme të njëjta për shkaqe të pavarura nga vullneti i Sekretarit të Përgjithshëm. Analiza e Sekretarit të Përgjithshëm ka qenë më e thellë se ajo e ONM dhe e komisioneve ad hoc. Për KLP janë shpallur 6 herë thirrje për kandidatët. Sekretari i Kuvendit ka bashkëpunuar ngushtësisht me ONM. Gjatë fazës së verifikimit, Sekretari i Kuvendit ka verifikuar dosjen e çdo kandidati dhe kur ka pas mungesë dokumentacioni i ka kërkuar kandidatit të plotësojë dokumentacionin”, u shpreh Gjonçaj.
Mësohet se deri më tani është bërë vlerësimi i kandidaturave për KLP dhe KLGJ.
Nga radhët e Shoqërisë Civile i plotësojnë kriteret për Këshillin e Lartë të Prokurorisë 3 kandidatë, ndërsa 12 janë përjashtuar.
Ndërsa nga trupa e pedagogëve i plotësojnë kushtet 5 kandidatë, ndërsa 2 u përjashtuan. Po kështu, 7 kandidatë të Avokatisë i plotësojnë kushtet për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndërsa 10 kandidatë u përjashtuan.
Sigal