Vlerat e LANÇ janë të shenjta

441
Sigal

Presidenti Meta përshëndet 76-vjetorin e themelimit të Batalionit partizan “Dumrea”

Askush nuk mund të ketë sukses duke cenuar vlerat e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare

Presidenti  i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dje dhe përshëndeti ceremoninë përkujtimore të 76-vjetorit të themelimit të Batalionit partizan “Dumrea”. Pasi vendosi një kurorë me lule në lapidarin kushtuar ngjarjes historike në nderim të të rënëve gjatë luftës heroike për çlirimin e vendit nga pushtuesit fashistë dhe nazistë, Presidenti i Republikës u shpreh: Ju keni dyfish arsye të ndiheni krenarë. E para se ky formacion partizan është njëri nga më të lavdishmit e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, që pak kohë pas krijimit të tij, mori pjesë në njërën nga betejat më të përgjakshme të të gjithë historisë së Luftës, – atë të Pojskës. Ne jemi krenarë, jo vetëm se vendi ynë,  u çlirua vetë, pa pasur nevojë për ndihmën e Ushtrisë së Kuqe apo forcave të tjera, por njëkohësisht sepse e ndoqëm pushtuesin deri në thellësi të ish-Jugosllavisë duke dhënë një kontribut të çmuar për çlirimin e të gjithë Evropës. Ne nuk e patëm fatin që të bëheshim pjesë e atij projekti evropian, që nisi pikërisht më 9 maj 1945, pikërisht atë ditë të triumfit të lirisë mbi shtypjen dhe mbi fashizmin. Por absolutisht ndihemi krenarë, sepse Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare është periudha më e ndritur e popullit dhe e kombit tonë, së bashku me periudhën e Skënderbeut e Rilindjes Kombëtare që solli pavarësinë e Shqipërisë. Ne jemi shumë mirënjohës për sakrificat e jashtëzakonshme të bëra nga partizanët dhe partizanet e Shqipërisë, që janë të shenjta për të gjithë shqiptarët, të cilët e duan Atdheun, e duan lirinë dhe përparimin e vendit të tyre si qytetarë, me krenari dhe me dinjitet. Ndaj askush nuk mund të ketë sukses duke cenuar vlerat e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, sepse ato janë kaq të forta e të larta, sa që kushdo që sulmon ato vlera, thjesht tregon dëshpërimin e tij. Tani është koha për të shtuar përpjekjet dhe bashkëpunimin me njëri-tjetrin, që jo vetëm të nderojmë sakrificat e heronjve tanë dhe të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por edhe njëkohësisht të bëjmë më të mirën për vendin tonë, për integrimin evropian të tij.