Vlera e reformës, kur të ndëshkohen deputetë dhe ministra të korruptuar

437
Pas përgëzimeve që i kanë ardhur politikës së Tiranës në përgjithësi dhe në veçanti kryeparlamentarit Meta, kryeministrit Rama, liderit demokrat Lulzim Basha, si dhe gjithë deputetëve për miratimin me unanimitet të ndryshimeve kushtetuese dhe Reformën në Drejtësi, një përshëndetje ka bërë edhe misioni i OSBE në Tiranë. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, si pjesë e përpjekjeve të faktorit ndërkombëtar, ka mirëpritur miratimin nga Kuvendi I Shqipërisë i paketës së ndryshimeve kushtetuese që synojnë reformimin e sektorit të drejtësisë dhe shumë aspekte të tjera të zhvillimit të vendit. Sistemi i drejtësisë ka qenë një çështje mjaft e diskutuar prej muajsh dhe më në fund u miratua mbrëmë pas një seance maratonë dhe falë mbështetjes së ndërkombëtarëve dhe veçanërisht pas këmbënguljes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, si aleatët më të ngushtë strategjikë të Shqipërisë në këto 25 vjet.

“Ne e përgëzojmë Kuvendin për këtë arritje thelbësore, e cila u mbështet qartë nga shumë ekspertë dhe diplomatë ndërkombëtarë. Kjo është një arritje e rëndësishme, që i hap rrugë zbatimit të reformës së njëmendtë në drejtësi. Ndryshimet e miratuara nga Kuvendi I Shqipërisë tani duhet të pasohen nga ligje dhe akte nënligjore, procedura dhe politika, për të tërë sistemin gjyqësor.Reforma do të jetë e vërtetë vetëm kur të ndihet nga qytetarët shqiptarë, në jetën e tyre të përditshme, anembanë vendit. Mënyra se si do të zbatohet paketa e reformës është thelbësore për qëndrueshmërinë dhe suksesin e procesit të reformimit të drejtësisë në të gjitha nivelet. Qëndrueshmëria dhe suksesi, gjithashtu, varen nga ndryshimi i sjelljes: nga vendosja e një kulture përgjegjshmërie dhe llogaridhënieje, lufta kundër pandëshkueshmërisë dhe konsolidimi i respektimit të shtetit të së drejtës, në të gjitha shtresat e shoqërisë. Prezenca e OSBE-së ka qenë një kontribuese dhe partnere e përkushtuar e procesit të reformës dhe mbetet e gatshme të vijojë mbështetjen e saj aktive, në të gjitha nivelet”, thuhet në deklaratë.
Sigal