Vlahutin: Të shtohet lufta ndaj korrupsionit, BE-ja nuk e toleron!

482
Sigal

TIRANE – Ambasadorja e Bashkimit Evropian në vendin tonë, Romana Vlahutin i ka bërë apel politikës shqiptare dhe shoqërisë civile, që të angazhohen në luftën kundër korrupsionit, si një nga kriteret kyçe të kërkuara nga BE, ndërsa theksoi se kjo pikë është e panegociueshme.

Duke folur në konferencën “Korrupsioni dhe Mirëqeverisja” ku u prezantua raporti rajonal i antikorrupsionit, ambasadorja Vlahutin, nënvizoi se në vendin tonë, vijon ende të mbetet problematike çështja e korrupsionit.

Po ashtu sipas Vlahutin, nevojitet më tepër transparencë në administratën publike dhe në financime, ndërsa shtoi se në këtë aspekt nuk duhet treguar aspak tolerancë, pasi është një çështje e panegociueshme për Bashkimin Evropian.

Në këtë drejtim shefja e diplomacisë së BE-së në vendin tonë, kërkoi nga të gjitha palët angazhim dhe vullnet politik për ta luftuar këtë fenomen.

“Raporti që kemi prezantuar sot, tregon se korrupsioni vazhdon të jetë i pranishëm ndaj duhet të punojmë për ta luftuar. Ky nuk është problem vetëm për Shqipërinë por për të gjitha vendet që duan të jenë pjesë e BE, dhe prandaj BE mbështet luftën kundër korrupsionit dhe jemi të vendosur deri në realizimin e tyre. Janë disa politika që duhet të ndiqen dhe e para është vullneti politik që duhet të jetë. Duhet transparencë në administratën publike, po ashtu edhe besueshmëri e lartë. Po ashtu duhet transparencë në financime dhe nuk duhet treguar aspak tolerancë ndaj korrupsionit dhe është i panegociueshëm nga BE, të cilën nuk e toleron. Kjo është një nga gjërat themelore që adreson BE prandaj duhet zbatuar.” theksoi Vlahutin

Vlahutin: Të rritet bashkëpunimi me BE kundër korrupsionit
Ambasadorja e BE, u shpreh konkretisht se për të luftuar korrupsionin nevojitet një plan veprimi, si dhe të merren seriozisht rekomandimet e ndërkombëtarëve. Vlahutin, teksa vlerësoi hapat e ndërmarrë deri më tani, i bëri thirrje qeverisë shqiptare të intensifikojë bashkëpuinimin me Bashkimin Evropian në nivelet më të larta, ndërsa kërkoi angazhimin e të gjitha palëve në luftën ndaj korrupsionit.

“Duhet të vendoset plani i veprimit, rekomandimet duhet të merren seriozisht. Dua të theksoj që dobia e vullnetit tonë patjetër që duhet vlerësuar nga ana e qeverisë dhe ajo duhet të bëjë të njëjtën gjë duke bashkëpuunuar me ne, pasi duhet një angazhim në nivelet më të larta. Po ashtu edhe media dhe shoqëria civile duhet të bashkëpunojë, pra duhet të jemi një palë që të luftojmë korrupsionin. Megjithatë unë dua t’ju përgëzoj për atë që keni bërë deri më tani për luftën ndaj korrupsionit. BE do të vazhdojë të ju mbështesë në këtë drejtim.” u shpreh ambasadorja e Bashkimit Europian


Çuçi: Qeveria e vendosur kundër korrupsionit
Ministri i Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi, prezent në konferencë, shprehu vullnetin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të luftuar fenomenin e korrupsionit. Në këtë kuadër, Çuçi theksoi se është hartuar një plan veprimi i cili pritet të realizohet në fund të këtij muaji.

Ministri Çuçi nënvizoi se një tjetër nismë e rëndësishme në këtë drejtim është edhe deklarimi i pasurive i zyrtarëve të lartë. Megjithatë, Çuçi u shpreh se për të shtuar efikasitetin ndaj këtij fenomeni nevojitet angazhimi i të gjitha palëve, mes të cilëve edhe i shoqërisë civile.

“Duhet theksuar se përpjekjet kundër korrupsionit duhet të jenë në qendër të vëmendjes. Ne jemi të angazhuar në këtë drejtim. Janë mjaft të rëndësishme edhe analizat që po bëjmë në luftën ndaj korrupsionit për të kuptuar gjendjen në të cilën ndodhet vendi. Kemi edhe një plan veprimi që mendohet të realizohet në fund të këtij muaji. Janë përfaqësues që do të zgjidhen nga grupet civile që do të veprojnë në këtë fushë. Qeveria shqiptare ka ndërmarrë iniciativa për të rritur transparencën. Këtu duhet të përmend deklarimin e pasurive dhe të gjitha elementët që kanë të bëjnë me këtë dhe zbatimi i të gjitha këtyre kërkon edhe angazhim të lartë të shoqërisë për të arritur atë që kërkojmë. Duhet të jetë bashkëpunim nga të dyja anët, si nga shoqëria civile ashtu edhe opinioni publik. Duhet bashkëpunim i të gjithëq qytetarëve. Duhet marrë eksperiencë nga të gjitha vendet e BE në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që të arrijmë ta luftojmë atë.” tha Çuçi