Vlahutin: Duhet gjithëpërfshirje Rama: S’dimë ç’kërkon opozita

420
Sigal

TIRANE– Kryesuesja e delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë Romana Vlahutin i ka dorëzuar kryeministrit Rama progres-raportin për vendin tonë. Në një deklaratë të përbashkët për shtyp në përfundim të takimit, ambasadorja Vlahutin theksoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes në realizimin e reformave. Vlahutin tha se duhet të forcohet dialogu politik, ndërsa kryeministri Rama tha se opozita duhet të konkretizojë kërkesat e saj, pasi “qeveria nuk e di se çfarë kërkon opozita”.
 
“Reformat duhet të përshpejtohen. Shqipërisë tashmë i janë njohur përpjekjet për realizimin e reformave në vend. Por duhet të shikohet sundimi i ligjit. Kemi të bëjmë me një koncept të ri të mirëqeverisjes ekonomike. Megjithatë me rendësi është gjithëpërfshirja dhe dialogu politik qeveri-opozitë.
 
“Opozita gjatë qeverisjes sonë nuk do të vuajë asgjë nga ato që kemi vuajtur ne gjatë kohës kur ishim në opozitë. Atë që konsideronim të drejtë të opozitës dje, e konsiderojmë edhe sot. Ne presim që opozita të thotë çfarë mund të bëjmë ne, çfarë kërkon. Kur ne braktisëm parlamentin kërkonim hapjen e kutive. Akoma nuk e dimë çfarë kërkon opozita, përveç largimin e qeverisë, por këtë nuk ia plotësojmë ne, mund t’ia plotësojë vetëm populli me votë”, tha kryeministri Rama.
 
Duke u ndalur tek progres-raporti, kryeministri tha se bëhet vlerësim pozitiv i punës së qeverisë sa i takon përpjekjeve të deritanishme, ndërsa theksoi angazhimin e qeverisë që ai drejton për përmbushjen e prioriteteve.
 
“Raporti është një vlerësim pozitiv për punën e qeverisë, dhe lufta ndaj krimit të organizuar dhe ndaj korrupsionit janë vlerësuar si hapa seriozë në rrugën drejt integrimit. Raporti tregon sipas nesh në mënyrë shumë të qartë rrugën e hapjes së negociatave për anëtarësim. Kemi bërë hapa konkrete në reformën e gjyqësorit. Nuk janë të gjithë këto hapa, si masa që ne ndërmarrim se na e kërkon BE, por për ne është vendimtare që të vendoset sundimi i ligjit”, u shpreh kreu i qeverisë.
 
I pyetur lidhur me deklaratën e eurokomisionerit Fyle, i cili tha se edhe opozita e kaluar edhe ajo aktuale kanë braktisur Kuvendit, kryeministri Rama tha se “Nuk do grindemi kush do mbajë flamurin. Ne kemi pjesën tonë të përgjegjësisë dhe do ta mbajmë plotësisht”.
 
Kreu i qeverisë ritheksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në tryezën për reformën territoriale, pasi theksoi se kjo reformë kërkon gjithëpërfshirje.
 
“Konferenca e organizuar nga presidenti ishte fryt i një bashkëpunimi me ne si shumicë qeverisëse. I jemi drejtuar presidentit që t’i përfshijë edhe partitë politike. Tek reforma në drejtësi ne do të shkojmë. Pjesëmarrja në tryezë është me rëndësi pasi reforma kërkon gjithëpërfshirje”, u shpreh kryeministri Rama.