Vjollca Meçaj:“Kuvendi, pas shpërndarjes, nuk mund të marrë vendimmarrje për KQZ-në”

506
Sigal

*Drejtoreshe ekzekutive e KShH

Vjollca Meçaj drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, në intervistën për “Telegraf”, pohon se pa KQZ-në e plotësuar, do të ketë proces jo plotësisht ligjor të administrimit të zgjedhjeve. Zonja Meçaj, thotë se, Kuvendi, pas shpërndarjes, nuk mund të marrë vendimmarrje për anëtarë të rinj të KQZ-së, sepse  do të thotë që  konsensusi politik vlen më shumë se legjislacioni.

– Zonja Meçaj,  sikur kemi një “ambientim” të palëve politike me një KQZ që funksionon me 4 anëtarë. A mund të zhvillohen  kësisoj zgjedhje dhe, njëkohësisht, ato të jenë legjitime?

– KQZ është organi më i lartë shtetëror, i përhershëm, i ngarkuar për administrimin e zgjedhjeve, në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor. Kurorëzimin e gjithë procesit zgjedhor, vlerësimet dhe vendimet më të rëndësishme të këtij procesi janë në juridiksionin e këtij organi. Në këto rrethana, jam e mendimit se pa një KQZ të plotë do të kemi proces të vështirë dhe jo plotësisht ligjor të administrimit të zgjedhjeve dhe certifikimit të tyre.

Mendoni se edhe opozita përpiqet që ta shfrytëzojë këtë statuskuo të KQZ-së, për kapital politik elektoral?

– Në fakt, heshtja e opozitës për këtë situatë anormale në KQZ është gjithashtu e papranueshme. Duket se të dyja koalicionet e mëdha politike, ndonëse deklarojnë se po zhvillojnë bisedime për zgjidhjen e këtij ngërçi, kanë të njëjtin qëndrim. Së pari, ata tregojnë se, besojnë në atë, siç janë shprehur në disa raste me fjalë e vepra, se për zgjidhjen e çështjeve shtetërore, nuk është i rëndësishëm ligji, por konsensusi partiak. Së dyti, ndoshta të dyja palët e ruajnë këtë situatë si një justifikim për të fajësuar njëra-tjetrën në rast të moscertifikimit të zgjedhjeve. Mendoj se, ky qëndrim nuk përputhet me parimet e shtetit demokratik, sipas të cilëve partitë kanë rol aktiv vetëm gjatë procesit të zgjedhjeve dhe më pas strukturat e larta të shtetit, ose pushteti vendor, që krijohen mbi bazën e rezultatit zgjedhor, funksionojnë vetëm bazuar në Kushtetutën e vendit dhe  ligjet në fuqi.

– Dorëheqja e 3 anëtarëve të KQZ-së, është pjesë e zgjidhjes së problemit, apo është pjesë e problemit?

Me sa duket as njëra dhe as tjetra. Dorëheqja u paraqit si një qëndrim personal i ish-anëtarëve të KQZ dhe unë nuk kam të drejtë ta paragjykoj fjalën e tyre. Në fakt, mendoj se, problemi zuri fill me shkarkimin e anëtarit të KQ-së, të emëruar nga Kuvendi sipas propozimit të LSI-së, veprim për të cilin jam e mendimit se u krye në shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor.

– Në qoftë se zëvendësimi i anëtarit të KQZ-së nga Kuvendi është shkelje e ligjit, po kërkesa e opozitës, që të kemi rikompozim të ri të KQZ-së me një kryetar konsensual, a është konform Kodit Zgjedhor?

Mendoj se u futëm në këtë situatë jo normale politikisht dhe jo ligjërisht dhe për fat të keq, edhe zgjidhja është marrë peng prej saj. Gjithsesi, asnjë zgjidhje nuk duhet gjendur jashtë përcaktimeve të Kodit Zgjedhor. Në këtë kuptim ,edhe një rikompozim i mundshëm  i KQZ-së, bazuar në kriteret që përcakton Kodi Zgjedhor mund të jetë një zgjidhje. Personalisht, e shikoj të vlefshëm një konsensus politik, vetëm kur jep zgjidhje në përputhje me ligjin dhe jo duke e ndryshuar vazhdimisht atë sipas interesave të momentit, ose emergjencave që i krijon vetë politika.

– Derisa opozita nuk jep kandidatë për të plotësuar KQZ-në, a mundet Kolegji Zgjedhor të propozojë kandidatë?

Sigurisht që jo, sepse në këtë rast jemi përpara zëvendësimit për shkak të mbarimit të parakohshëm të mandatit të anëtarit të KQZ, parashikuar nga neni 19/2 të Kodit Zgjedhor.

– Kuvendi i Shqipërisë shpërndahet sot. Në kësi rastesh, a mundet, që pas shpërndarjes së Kuvendit, të emërohen anëtarë të KQZ-së?

– Në pikën 4 të  nenit 65 Kushtetuta kufizon të drejtën e vendimmarrjes së Kuvendit pas mbarimit të mandatit të rregullt, sepse  në këtë dispozitë thuhet: “Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme.”

– A mundet që KQZ-ja të vendosë për çështje të procesit zgjedhor, të cilat kërkojnë votën e cilësuar? ( nënkuptoj 5 vota)

Jam e mendimit që KQZ-ja nuk mund të marrë vendime për të cilat kërkohet një shumicë e cilësuar. Çdo vendim i tillë do të ishte absolutisht i pavlefshëm. Në fakt  KQZ as nuk mund të mblidhet  për të shqyrtuar çështje të tilla.

– Cili institucion duhet të vendosë për çështjet më të rëndësishme të procesit zgjedhor, në pamundësinë e KQZ-së, me 4 anëtarë të marrë vendimmarrjen?

Jam e mendimit se, sipas legjislacionit shqiptar, asnjë organ tjetër. Ankimi në Kolegjin Zgjedhor të Apelit nuk mund të shqyrtohet pa u ezauruar vendimmarrja administrative më parë.

– Nëse kjo KQZ e tanishme, i drejtohet Kolegjit Zgjedhor që të vendosë për ato çështje që nuk mundet ajo, a do të kenë legjitimitet vendimmarrja e Kolegjit Zgjedhor?

Duhet të kuptoni se Kolegji Zgjedhor është organ që shqyrton ankimet  e subjekteve zgjedhore në lidhje me vendimmarrjen e KQZ-së dhe nuk ka juridiksion të kryejë atë vendimmarrje që legjislacioni ia ka dhënë KQZ-së.

– Zgjidhja e ngërçit të KQZ-së, duket të kërkohet nëpërmjet kompromisit politik, duhet të jetë një zgjidhje politike?

 Për fat të keq organet e shtetërore nuk po funksionojnë, sepse fuqia e partive politike i ka mbytur ato. Parlamentarizmi ynë është transformuar në partitokraci dhe për pasojë vendi është tashmë në një situatë të tillë që zgjidhjen mund ta japin vetëm partitë politike. Kjo po ndodh shpesh  vitet e fundit dhe, sipas mendimit tim, duket se shteti demokratik nuk funksionon si duhet tek ne.

– A kanë të drejtën e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese palët politike, që të kontestojnë rezultatin zgjedhor, edhe nëse nuk ka manipulime e çrregullime të tjera, vetëm e vetëm pse KQZ-ja është me 4 anëtarë?

Mënyra se si funksionon Gjykata Kushtetuese, natyra e procesit të saj të gjykimit dhe të vendimmarrjes nuk do të ishin të përshtatshme për  të dhënë zgjidhje të shpejta që kërkohen, për shkak të bllokimit të  vendimmarrjes së KQZ, për çështje që kërkojnë shumicë të cilësuar. Sjell në vëmendjen tuaj edhe kushtin se për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, gjithsesi, më parë duhen ezauruar të gjitha mjetet ligjore të parashikuara.

– Faleminderit!

Somario

Një rikompozim i mundshëm  i KQZ-së, bazuar në kriteret që përcakton Kodi Zgjedhor mund të jetë një zgjidhje.  Personalisht, e shikoj të vlefshëm një konsensus politik, vetëm kur jep zgjidhje në përputhje me ligjin dhe jo duke e ndryshuar vazhdimisht atë sipas interesave të momentit, ose emergjencave që i krijon vetë politika.

 

Boks

Kuvendi, pas shpërndarjes, nuk mund të marrë vendimmarrje për KQZ-në

– Me Kuvendin që i ka mbaruar mandati kushtetues,  cila është zgjidhja ligjore, për të plotësuar KQZ-në?

– Mendoj se nëse Kuvendi do t’i emërojë anëtarët e rinj, ose do të marrë çdo vendim tjetër për rikompozimin e KQZ-së,  pasi t’i ketë mbaruar mandati i zakonshëm, situata do të jetë jashtë normalitetit të veprimtarisë së këtij organi. Vendimmarrja nën presion lidhur me çështje të tilla influencon në besueshmërinë e organit që krijohet dhe mbi vetë procesin që ai do të administrojë. Nga ana tjetër, një performancë e tillë  e Kuvendit  do të ishte, gjithashtu, pajtim me mendësinë se konsensusi politik vlen më shumë se legjislacioni në fuqi dhe vetë organit ligjbërës.