Vjenë/ Rama- Mustafa e Vuçiç në një zë: BE të japë fonde për autostradën Nish-Durrës

491
Tre kryeministrat e rajonit, kryeministri shqiptar, Edi Rama, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe kryeministri i Serbisë , Aleksandër Vuçiç zhvilluan një takim koordinativ sot, 7 gusht 2015, në Vjenë në të cilin u diskutua rëndësia e ndërtimit të autostradës Nish Prishtinë Durrës.
Në këtë takim morën pjesë edhe drejtuesit e BERZH dhe BEI (Banka Europiane për Investim), si edhe Ministri i Jashtëm austriak Kurz dhe Komisioneri Hahn.
Kryeministri Rama theksoi se te projektet e mëdha të infrastrukturës, qoftë autostrada Nish Prishtinë Durrës, qoftë autostrada Adriatiko Joniane, janë projekte europiane, të cilat nxisin ndërlidhjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Në këtë kuadër është e rëndësishme që ndërtimi i këtyre dy projekteve të fillojë sa më shpejt dhe për këtë nevojitet ekspertiza dhe mbështetja financiare e Komisionit Europian dhe institucioneve financiare si BERZH dhe BEI
Ndërtimi i këtyre dy autostradave do të rrisë shkëmbimet tregtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe do të nxisë turizmin mes këtyre vendeve” thuhet në njoftimin për media të qeverisë shqiptare.
Kryeministri Vuçiç, duke theksuar rëndësinë e autostradës Nish Prishtinë Durrës, tha se falë këtij projekti Beogradi do të lidhet me Prishtinën në më pak se tre orë, ndërkohë që porti i Durrësit do të kthehet në pikën më të afërt detare për Serbinë.
Sigal