Vjehrri i zëvendëskryeministrit Peleshi, në krye të komunistëve korçarë

454
Sigal

Sot pritet shkarkimi i kryekomunistit të Korçës, pasi dyshohet se ka lejuar rrjedhjen e votave të Frontit të Majtë në zgjedhjet e fundit

Janë tre kandidatura që do të përplasen sot në qytetin e Korçës për kreun e Frontit të Majtë (ish-Partisë së Punës). Burime nga qyteti juglindor dhe një nga bërthamat e së Majtës bëjnë më dije se, mes tre kandidaturave njëri do jetë kreu aktual, shoku Kiço Tele, kandidatura e dytë është një zonjë e nderuar dhe i treti një agronom i zonës i Qarkut të Korçës. Qyteti i Korçës është me një peshë të konsiderueshme për Frontin e Majtë, i cili kryesohet nga Marko Dajti. Kjo ka të bëjë më faktin se edhe para Luftës së Dytë Botërore, grupi i parë komunist në Shqipëri është krijuar pikërisht në Korçë. Kreu i komunistëve, (Partisë së Punës ) sot Front i Majtë, ka në krye një njeri me peshë në këtë qytet, i cili është njëkohësisht edhe vjehrri i zotit Niko Peleshi, zv/kryeministrit aktual i qeverisë së Rilindjes. Nuk dihet se si është pritur rikandidimi i tij nga vetë numri dy i Qeverisë, por në aspektin politik ndërkombëtar kjo lë një shenjë jo të mirë për vetë imazhin e qeverisë socialiste. Nga ana tjetër, drejtuesit lokalë të Frontit të Majtë e akuzojnë kreun aktual të komunistëve të Frontit të Majtë se nuk ka ruajtur votat, madje disa dyshojnë se ky me qëllim ka lejuar rrjedhjen e tyre drejt PS-së sepse do i shërbente Niko Peleshit, dhëndrit të vet, ish-Kryebashkiakut të Korçës, sot zëvendëskryeministër. Ka kohë që faktori demokratik euro-perëndimor ka kërkuar me forcë ndarjen nga e kaluara dhe rasti konkret është një goditje, jo vetëm për z. Peleshi, por edhe për vetë qeverinë e koalicionit të Majtë. Gjithsesi, priten votimet e sotme, por të gjitha gjasat janë që Fronti i Majtë të kërkojë shkarkimin e shokut Kiço Tele. Një burim tjetër i afërt pranë shokut Kiço, bënë me dije se ky mund ta lërë surprizë deri në momentin e fundit dhe përpara se të nisë votimi të kërkojë vetë mos kandidimin, pasi qëndrimi i tij në këtë post e rëndon shumë imazhin e z. Niko Peleshi, jo vetëm në aspektin e brendshëm, por edhe atë ndërkombëtar.

Astrit Hoxholli