Vjehrra e ministrit mashtroi me 100 mijë euro 2 ndërtues

3374
Sigal

 Juristja Ana Kaziu publikon skandalin e Avokates së Shtetit, me pronat e familjes së tyre

 Në uebin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor në Tiranë, këto ditë mësuam se, ka nisur një gjyq civil, me objekt, mashtrimin e dy biznesmenëve për shumën 100 mijë euro. Duke pyetur për personazhet e këtij gjykimi, gjyqtarja e kësaj gjykate Marjana Dedi, tregon se, dy biznesmenët e ndërtimit zotërinjtë Gani Hoxha dhe Shaban Bitri kanë rënë në rrjetën e një mashtrimi spektakolar. Dy avokate, njëra Avokate e Shtetit Manushaqe Zhulali, vjehrra e ministrit Aldo Bumçi dhe tjetra, avokate Miranda Boçi, mike dhe bashkëpunëtore e avokates Zhulali, nëpërmjet një kontrate false “Premtim shitje pasurie të paluajtshme”, u kanë marrë dy biznesmenëve të ndërtimit shumën 100 mijë euro, si kapar për blerjen e një trualli që ekzistonte vetëm në mendjen dhe fantazinë për euro, të dy zonjave avokate të njohura tashmë në opinion publik, si jo korrekte të klasit “extra”. Seancat e para në Gjykatën e Tiranës kanë nisur. Provat janë mbi tavolinë të qarta, si drita e diellit. Të dyja avokatet, akuzohen se, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, nëpërmjet kontratës Premtim Shitje (pasurie të paluajtshme) të nënshkruar para noteres, Gentiana Shkodra, më 18.10.2006 kanë mashtruar dy biznesmenët se do u shisnin një truall me sipërfaqe totale 7500 m2, e ndodhur në Mëzes, të Tiranës, në vendin e quajtur Kthesa e Kamzës, zona kadastrale 2679. Organizatore e këtij operacioni mashtrues ishte Avokatja e Shtetit Manushaqe Zhulali, asokohe nëpunëse e ZVRPP, Tiranë. E bindur se, ZVRPP –ja ishte dhe është një vend pune, ku mund të bëhen para me thasë, kjo vjehërr, e familjes qeveritare, futi nën kthetrat e korrupsionit, familjen e Din Dapit, të cilin e bindi duke i thënë: “Tokën e trashëguar të familjes Kaziu, do ta marrësh ti dhe vetëm ti, Din Dapi.  Dhe që ti, Din Dap të bëhesh pronar për sipërfaqen 88.000 m2, ose 8.8 ha, duhet të më japësh mua, si shpërblim sipërfaqen prej 7500 m2, të ndodhur buzë rrugës, tek vendi i quajtur Kthesa e Kamzës. Kështu nisi dhe ëndrra e bukur për t’u pasuruar pa mund, djersë e gjak, ashtu siç janë pasuruar jetë e mot pronarët e vërtetë të këtij vendi. As me pak e as më shumë, por vjehrra e ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë do të fitonte 750.000 euro ( 7500m2 x 100 euro/m2). E kështu nisi gjuetia e viktimave. Për kryerjen e porosisë thirri në ndihmë miken e bashkëpunëtoren e ngushtë, avokaten Miranda Boçi. U gjet edhe një notere e besuar Gentiana Shkodra, me zyrë në qendër të Tiranës. Dhe kështu hap pas hapi shkuan tek akti final i mashtrimit. Nënshkrimi i kontratës dhe kalim i shumës prej 100.000 euro, në llogarinë e avokates Miranda Boçi (Nr.17306 Banka Credins Tiranë) i konsideruar  këst i parë, apo kapar. Ndërsa kësti i dytë prej 600.000 euro do të jepej me marrjen e Certifikatës së Pronësisë për pronën në ëndërr, apo në fantazinë e Din Dapit dhe të Manushaqe Zhulalit, asokohe nëpunëse e ZVRPP, sot avokate e shtetit, vjehrra e ministrit Aldo Bumçi.

Mirëpo, “dardha e ka bishtin prapa”, – thotë populli. Nëpunësja e Hipotekës, e vitit 2006, sot Avokate e Shtetit Manushaqe Zhulali nuk mundi ta kapërcente gardhin e ligjit dhe të së drejtës. Truallin nuk mund ta marrë Dini i Dapajave me marifetet e Zhulalit, por familja Kaziu, trashëgimtare e vërtetë. Shkoi e drejta tek i zoti. Manushaqes dhe mikes së saj, ju mbetën në dorë, jo vetëm mashtrimet e falsifikimet, por edhe shumë borxhe për të shlyer ndaj të tretëve, siç është rasti i të dy biznesmenëve të nderuar, të cilët ranë viktima të skemës mashtruese. Tani ndaj tyre rëndon edhe vepra penale e mashtrimit në bashkëpunim. Neni 143 ( ligji nr.8733 datë 24.01.2001) i cili thotë se: “Kjo vepër kur kryhet në bashkëpunim në dëm të disa personave dënohet me burgim nga 3-10 vite burg… etj.. “Në rastin më të mirë duhet të kthejnë shumën prej 100.000 euro plus interesat sipas ligjit që prej vitit 2006. Kjo çështje nuk mund të mbyllet pa bujë e pa zhurmë. Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. E vërteta tashmë është mbi ujë. Ligji penal duhet të veprojë. Këtë kërkon edhe familja Kaziu. Trajtimi i çështjes si një proces i thjeshtë civil është pak. Prokuroria e Tiranës duhet të mos heshtë. Duhet goditur mashtrimi, korrupsioni me pronat, pronarët, hipotekat, drejtësinë, etj., etj..

Ana  Kaziu  (Juriste në një institucion shtetëror)

 Shënim. Për të vërtetuar faktet dhe provat mund të kontaktoni gjyqtaren Marjana Dedi në Gjykatën e Tiranës, ose të shihni origjinalin e kontratës tek notere Gentiana Shkodra.