Vizita në Serbi, Rama: Të shkruajmë një histori paqeje

69

TIRANE – Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Anadolu Agency (AA), ka folur për marrëdhëniet Shqipëri-Turqi, investimet turke ne vend, Konferencën e Berlinit dhe rolin e Shqipërisë në Ballkan. Rama gjithashtu ka dhënë opinionet e tij edhe në lidhje me marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, arsyet e mbylljes së ambasadës së Shqipërisë në Bosnje Hercegovinë .

Rama: Turqia fuqi me një rëndësi të madhe specifike në rajonin tonë
Duke iu referuar marrëdhënieve Shqipëri-Turqi, Rama ka deklaruar për AA se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë nuk kanë qenë asnjëherë më të mira. “Qeveria shqiptare e ka përfshirë në vijën e politikës tonë të jashtme si një partner strategjik dhe kemi bashkëpunuar ngushtë me kryeministrin Rexhep Tajip Erdogan, vazhdojmë të bashkëpunojmë po aq ngushtë me kryeministrin Ahmet Davutoglu dhe pas asnjë dyshim të voglin, e konsiderojmë Turqinë si një fuqi me një rëndësi të madhe specifike në rajonin tonë dhe duke qenë të dyja palët anëtarë të NATO-s, kjo e bën bashkëpunimi tonë shumë solid dhe intensiv. Pesha e miqësisë dhe vullneti i madh mes dy palëve janë shumë më tepër sesa rezultate e deritanishme konkrete në fushën e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e investimeve turke në Shqipëri. Padyshim që investimet turke në Shqipëri janë prezente. Ne duam dhe po bëjmë gjithçka që ato të jenë më të pranishme në territorin e Shqipërisë”.

Kryeministri Rama ka dhënë dhe një mesazh për shqiptarët që jetojnë në Turqi. “Shqiptarët dhe turqit kanë një histori të gjatë me njëri-tjetrin, një histori që ka çuar shumë shqiptare drejt Turqisë, prej të cilëve shumë kanë mbetur atje dhe kanë ndërtuar atje jetën e tyre. Unë jam shuam i lumtur të dëgjoj gjithmonë fjalët më të shkëlqyera për shqiptarët nga gjithë përfaqësuesit e politikës turke, ashtu sikundër jam shumë i lumtur që prania e shqiptarëve në Turqi është një nga urat më të forta që lidh dy vendet tona”.

Marrëdhëniet Shqipëri–Serbi, Rama: Ta lëmë pas të shkuarën
Ndërkohë marrëdhëniet Shqipëri–Serbi, Rama i shikon në perspektivën e një kohë të re për Ballkanin dhe nga ana tjetër sipas tij kjo kohë e re kërkon lidership, kërkon një qasje të re dhe të bashkuar, për një të ardhme që duhet të jetë më e mirë për të gjithë popujt e rajonit, duke lënë pas të gjitha ato që në të shkuarën, jo vetëm na kanë penguar të shkojmë përpara, por kanë shkaktuar shumë konflikte dhe kanë sjellë shumë gjakderdhje, të cilat duhet të ja lëmë historisë, për të shkruar së bashku një histori paqeje dhe bashkëpunimi rajonal.

Rama: Konferenca e Berlinit historike
Ndërsa konferencën e Berlinit, Rama e ka konsideruar një konferencë historike për Ballkanin, sepse sipas tij shprehu në mënyrë konkrete vetëdijen dhe vullnetin e një vendi lider në Europë siç është Gjermania dhe të vetë kancelares Angela Merkel lidhur me domosdoshmërinë dhe nevojën që Europa ka për Ballkanin.

“Sot ne besojmë që Ballkani i duhet Europës , po aq sa i duhet Europa Ballkanit. Konferenca e Berlinit ka hapur një faqe të re që na takon ne gjithëve në Ballkan të nxitojmë pa humbur kohë për ta shkruar me rrugë të reja bashkëpunimi me gjitha fushat. Ballkani është një rajon që këtë vit, në vitin 2014, është në vitin e parë të historisë së vet pa konflikte në kufijtë mes shteteve. Është një rajon që ka një potencial të madh zhvillimi, me kusht që ky potencial të vihet në shfrytëzim përmes bashkëpunimit rajonal.

I pyetur për mbylljen e ambasadës së Shqipërisë në Bosnje dhe Hercegovinë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka pohuar për AA se kjo nuk ka ndodhur për shkak të mundësive dhe racionalizimit të burimeve. “Pra nuk ka asgjë tjetër përveçse një ridizenjemi të rrjetit tonë diplomatikë, në funksion të një situate ku duam të jemi shumë më efiçentë, pa shpenzuar më shumë seç kemi mundësi”. Rama gjithashtu ka deklaruar se ky vit nuk do të mbyllet pa filluar punimet për xhaminë re në Tiranë.

Anadolu Agency