Vizita e Ramës në Serbi, Kadri Veseli bën thirrje për unitet

393
Sigal

Pas situatës së acaruar mes politikës në Prishtinë e Tiranë që agravoi me rastin e vizitës së kryeministrit Rama në Serbi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli deklaroi sot se raportet e Kosovës me Shqipërinë janë raporte vëllazërore dhe është në interesin e Kosovës që Shqipëria të flas dhe përçoj zërin e saj kudo.

Në përmjet një postimi në statusin e tij Facebook, Veseli shprehet se, “Sot në Shqipëri është datë e shënuar. Në këtë datë, shteti shqiptar nderon kujtimin e Nënë Terezës, bijës sonë të madhe, humanistes më të madhe të njerëzimit në botën bashkëkohore. Le të na shërbej ky moment që të gjithë shqiptarët kudo që jemi të ndihemi edhe më afër njëri tjetrit”.

Veseli kujdeset të shtojë në këtë postim që, “Raportet e Kosovës me Shqipërinë janë raporte vëllazërore. Janë shembull se si duhet të ndërtohen raportet mes shteteve dhe popujve në të gjithë rajonin tonë. Zhvillimi pozitiv i marrëdhënieve në mes Shqipërisë dhe Serbisë është një vlerë më shumë në rrugën rajonale të integrimeve euro-atlantike. Kosova nuk humbet asgjë nga ky zhvillim. Përkundrazi, përfiton edhe më shumë, ngase po ndërtohet një klimë e përgjithshme e komunikimit dhe dialogut rajonal. Është në interesin e Kosovës që Shqipëria të flas dhe përçoj zërin e Kosovës kudo ku ne ende nuk arrijmë të kemi përfaqësim institucional”.

“Sot, si kurrë më parë, me Shqipërinë duhet të kemi debat për marrëdhëniet ekonomike, e jo debat simbolesh. Është koha për ekonomi, jo për histori e romantizëm”, shkruan Veseli.Gazeta Telegraf/