Vizita e Fatmir Xhafajt në Itali për çështjen “Tahiri”? Zbardhet takimi me homologun e tij

290
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, gjatë vizitës në Itali, u prit nga ministri i Brendshëm i Italisë Marco Minniti, me të cilin bisedoi për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh e rajonal në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, si dhe masat kundër migracionit të paligjshëm.
Ministri i Brendshëm italian përgëzoi homologun shqiptar, duke shprehur konsideratën e lartë për rezultatet në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Z.Minniti siguroi për mbështetje të pakursyer dhe garantoi se bashkëpunimi do të jetë i frytshëm në këtë aspekt. Ministri Xhafaj e informoi homologun italian për rezultatet antikanabis dhe e falënderoi për ndihmën e rëndësishme që ka dhënë në vite, shteti italian në këtë operacion.
Ministri italian vlerësoi gjatë takimit masat e marra nga pala shqiptare ndaj fenomenit të azilkërkimit dhe minorenëve të pashoqëruar, nisur edhe nga rezulatet konkrete falë këtyre masave.
Ata ranë dakort për një tjetër takim të afërt midis tyre, për të diskutuar projekte të tjera me interes për dy vendet, si dhe në kuadrin rajonal.
Në takimin që ministri Xhafaj zhvilloi me zv/Prokurorin Antimafia Del Prete, mori mbështetjen për ngritjen e Qendrës Rajonale të Bashkëpunimit Policor, për të koordinuar shkëmbimin e informacionit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, trafikun e drogës, migracionin e paligjshëm etj.
Ministri i Brendshëm shqiptar takoi gjithashtu Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë italiane, me të cilin diskutoi mbi çështjet e koordinimit të veprimeve dhe ngritjen e grupeve të përbashkëta hetimore rajonale.
Gjatë qëndrimit në Trieste, Itali, ministri Xhafaj pati takime dypalëshe me ministrin e Brendshëm të Kosovës, të Serbisë, si dhe Prefekten e Triestes, që është drejtuese e projektit ‘IPA 2017’, brenda të cilit u adoptua propozimi i palës shqiptare për ngritjen e Qendrës Rajonale të Bashkëpunimit Policor