Sigal

Ja ngjarjet kryesore/ Qeveria u përball me revolta masive gjatë 12 muajve që po lëmë pas, duke filluar nga ajo e naftëtarëve, bizneseve, minatorëve, koncesioneve, PPP-ve deri tek studentët

2018-a, Viti i skandaleve dhe protestave kundër qeverisë

Qeveria e dytë e kryeministrit Edi Rama mori detyrën në shtator 2017, pasi realizoi fitoren më të madhe elektorale në 15 vjet si dhe siguroi mazhorancën më solide që ka parë vendi që nga viti 2001. Por menjëherë pasi mori detyrën, qeveria kaloi nga një skandal në tjetrin, ndërsa punoi me ngulm për të çuar përpara një agjendë qeverisëse të karakterizuar nga koncesionet dhe propaganda. Këto të fundit ishin përgjegjëse për disa nga protestat më të forta që ka përjetuar vendi në dekadën e fundit, ndërkohë që viti 2018 u përmbyll me mijëra studentë që shprehën zemërimin e tyre me protesta masive dhe shumëngjyrëshe. Tensioni social që duket se u shkaktua në thelb nga thellimi i pabarazisë mes të pasurve dhe të varfërve, mes qeverisësve dhe të qeverisurve, shënoi protestën e parë të dhunshme të paorganizuar nga ndonjë parti politike në më shumë se dy dekada, protestë që nga ana e saj solli thirrje publike për “bojkot” ndaj një numri biznesmenësh, të cilët, gjithnjë e më shumë po marrin nofkën “oligarkë”.

 

Naftëtarët, aktorët e teatrit, qytetarët e Kukësit, bizneset, banorët e unazës së re, studentët- të gjithë në protestë

Në ditët e fundit të vitit 2017, rreth 200 punonjës të Rafinerisë së Ballshit dhe asaj të Fierit, pasi kishin protestuar pa u dëgjuar prej muajsh për pagat e papaguara nga kompania që përdorte rafinerinë përmes një kontrate qiraje, u nisën në një protestë ekstreme, me synimin për të marshuar në këmbë nga Fieri për në Tiranë.

Në shkurt 2018, aktorët e Teatrit Kombëtar u ngritën në protestë pasi morën urdhër të largoheshin nga ndërtesa historike e teatrit në qendër të Tiranës drejt një salle të re, e krijuar nga përshtatja e ish-Laboratorit të Hidrologjisë. Më 12 mars, kryeministri Edi Rama prezantoi atë që e quajti një projekt frymëzues të partneritetit publik privat, projekt që përfshin një teatër të ri dhe pallate private me sipërfaqe ndërtimi prej gati 90 mijë metrash katrorë. Deri në fund të dhjetorit, ndërtesa e Teatrit Kombëtar vijon të mbijetojë, ndërsa mbrojtësit e saj e kanë kthyer oborrin e teatrit në një skenë në qiell të hapur ku protestohet, zhvillohen shfaqje dhe debate publike.

Një telash edhe më i madh për qeverinë erdhi vetëm pak javë më vonë.

Më 31 mars, pas një procedure dhënieje me koncesion që zgjaste prej vitesh, dy kompani shqiptare vendosën të fillojnë arkëtimin e tarifave në Rrugën e Kombit. Po atë të shtunë, disa mijëra protestues nga qyteti i Kukësit dhe zonat përreth, zunë në befasi policinë kur sulmuan dhe dogjën vendpagesat e koncesionarit. Protesta e dhunshme, e para në shumë vite që duket se nuk përfshinte përplasje partiake, u prit në përgjithësi me lavde nga një pjesë e popullsisë anekënd vendit. Qeverisë iu desh të mobilizonte trupa të shumta policore, të vendoste Kukësin efektivisht në shtetrrethim dhe të shtynte zbatimin e kontratës koncesionare me gjashtë muaj.

Në prill 2018, një pjesë e biznesit të vogël nëpër të gjithë Shqipërinë vendosi të bëjë protestë duke refuzuar të shesë për disa orë. Shkaku i protestës ishte vendimi i qeverisë për të përfshirë në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të gjitha bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë, një hap i kritikuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili e quajti të paarsyeshme.

Në nëntor 2018, një numër banorësh të zonës së njohur si “Astiri” u organizuan në protesta të shumta, pasi mësuan planet e qeverisë për të shembur shtëpitë e tyre, një pjesë pa dëmshpërblim dhe një pjesë me dëmshpërblim shumë herë poshtë çmimit të tregut, në kuadër të një projekti për zgjerimin e rrugëve të zonës. Më 22 nëntor, banorët u përleshën me policinë para Kuvendit të Shqipërisë. Disa policë u plagosën, ndërsa kryeministri Edi Rama i shpëtoi një këpuce të hedhur në drejtim të tij nga një protestues, ndërsa Rama po vizitonte policët e lënduar në protestë në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Por më 4 dhjetor 2018 nisi telashi më i madh për qeverinë. Studentët e fakultetit të Urbanistikës në Universitetin Politeknik të Tiranës morën një njoftim atë ditë, ku i kërkohej të paguanin tarifat e vitit akademik 2018-2019 brenda 15 dhjetorit dhe jo siç ishte planifikuar më parë. Të zemëruar, studentët braktisën mësimin dhe marshuan drejt Ministrisë së Arsimit. Protesta u përhap me shpejtësi nëpër fakultete të tjera dhe brenda pak ditësh, me mijëra studentë bllokuan rrugën në protesta të përditshme pranë Ministrisë. Brenda pak orësh, kur protesta u shumëfishua, Rama njoftoi një tërheqje të mundshme të vendimit. Por protesta vetëm u shtua dhe bashkë me të edhe kërkesat e protestuesve. Protesta vijoi çdo ditë deri para Krishtlindjeve, me universitete të bllokuara në të gjithë vendin, me kryeministrin që kërkoi dialog dhe premtoi plotësimin e të gjitha kërkesave dhe me studentët rebelë që refuzonin dialogun.

Protestat studentore të dhjetorit u panë si një rikthim i shpresës për shqiptarët si dhe një shprehje e një zemërate më të gjerë kundër qeverisë dhe jo ngushtësisht e lidhur me tarifat universitare. Por ato vunë në pah gjithashtu distancën e madhe mes klasës politike në përgjithësi dhe brezit të ri të shqiptarëve, të cilët me këmbëngulje refuzuan jo vetëm qeverinë, por edhe opozitën.

Gjatë vitit 2018 në Shqipëri pati edhe një numër protestash për çështje të tjera, përfshirë protestë në mbrojtje të një sipërfaqeje pyjore të dhënë me koncesion në Bulqizë, protestë në mbrojtje të qenve të rrugës e të tjera, përfshirë edhe njëprotestë të madhe të organizuar nga opozita politike kundër ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Koncesionet, shkaktarë të shumë protestave

Emëruesi i përbashkët i shumë prej protestave të vitit 2018 ishte një fjalë: Koncesion! Koncesionet ose Partneriteti Publik-Privat ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm për shqiptarët përgjatë dekadës së fundit si dhe pjesë e debatit politik së paku që nga viti 2013. Megjithatë, intensiteti i debatit publik dhe politik si dhe volumi i koncesioneve të dhëna nga qeveria “Rama 2” shënuan një rekord historik. Koncesionet kanë qenë simbol i korrupsionit politik përgjatë viteve të fundit, ku palët politike kanë akuzuar njëra-tjetrën me bollëk për vjedhje, ndërsa në vitin 2018, koncesionet u bënë shkaku kryesor i protestave jo ngushtësisht të lidhura me partitë politike. Koncesioni ishte ai që shkaktoi protestën e dhunshme në rrugën e Kombit dhe koncesion ishte ai që shkaktoi protestën e gjatë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.

Viti 2018 u mbyll me një skandal me tenderët publikë. Në shtator, Autoriteti Rrugor Shqiptar organizoi tre tenderë me vlerë të përgjithshme 40 milionë euro për një segment të shkurtër prej 2.3 kilometrash në Unazën e Re të Tiranës. Kostoja e stërmadhe e këtij segmenti rrugor si dhe fakti se në të tre tenderët nuk kishte konkurrencë reale, ngriti dyshime për ndershmërinë e tenderëve. Por Partia Demokratike në opozitë ngriti edhe një akuzë tjetër: njëra prej kompanive, DH Albania, rezultonte e regjistruar në një parajsë fiskale me pronarë të panjohur.

Qeveria dhe ARRSH hodhën poshtë pretendimet duke argumentuar se kompania në fjalë ishte një gjigand amerikan me mijëra të punësuar dhe miliarda dollarë xhiro. Por më tej u zbulua se në fakt, dokumentet e kompanisë ishin false. Sërish në siklet, qeveria vendosi anulimin e tenderit dhe referimin e çështjes në prokurori, por kjo e fundit nuk ka gjetur ende se kush mund të jetë autori i falsifikimit dhe as motivet që kanë çuar në kryerjen e këtij falsifikimi.

Viti 2018 duket se po mbyllet me përpjekjet e qeverisë për të menaxhuar krizat e njëpasnjëshme. Të mërkurën më 26 dhjetor, kryeministri Edi Rama premtoi plotësimin e kërkesave të studentëve protestues.

Vettingu i Drejtësisë

Gjatë vitit 2018 vetingut iu nënshtruan 9% e subjekteve të planifikuara. Viti që po lëmë pas ka gjasa do të hyjë në histori edhe për procesin e Rivlerësimit Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, njohur më së shumti si vettingu në drejtësi. Gjithsej 77 gjyqtarë, prokurorë e këshilltarë ligjorë u përballën me procesin e vettingut gjatë vitit 2018, nga të cilët, 35 u shkarkuan, 42 u konfirmuan dhe 13 janë në proces apeli. Vettingu asgjësoi Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, ku shumica e gjyqtarëve ose vendosën të tërhiqeshin para procesit, ose u rrëzuan nga procesi, në shumicën e rasteve për pasuri të pajustifikuar, por në një numër rastesh domethënëse edhe për lidhje me elementë të krimit të organizuar.

Viti 2018 po mbyllet edhe me një betejë të radhës për lirinë e medias.