Vili Minarolli: PS ngriti bandat e drogës mbështetur nga policia. Basha lider vizionar

768
Alma Çuka
Ish-diplomati Vili Minarolli pas shumë kohësh i rikthehet politikës, duke komentuar situatën aktuale. Mendimi për liderin e së djathtës dhe punën e tij, si kanë ndikuar ndërkombëtarët për të ruajtur balancat politike pozitë-opozitë
Ish-zyrtari i lartë i PD dhe njëkohësisht ish-ambasadori Vili Minarolli, i cili prej vitesh i është përkushtuar publicistikës, rikthehet në faqet e shtypit të shkruar me një intervistë ku jep mendimin e tij për situatën aktuale politike në vend. Në një rrëfim të gjatë për gazetën “Telegraf”, Minarolli flet se si e ka parë ai në këto vite liderin e së djathtës, drejtimin e qeverisë nga Edi Rama dhe rolin e ndërkombëtarëve në këtë situatë kritike për vendin. Është i bindur kur thotë se ndërkombëtarët me deklaratat e tyre kanë dalë në mbrojtje të korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend. Nuk lë pa prekur edhe kundërshtimet që disa nga figurat kryesore të PD kanë bërë ditët e fundit. Ndërsa shton se është i bindur se kauza e Partisë Demokratike është e drejtë dhe vetëm me qeveri teknike vendi do të shkojë në zgjedhje të lira dhe të ndershme.
 
Ju keni qenë një nga drejtuesit e vjetër të PDSH dhe keni kaluar situata të ndryshme gjatë karrierës politike. Si i vlerësoni lëvizjet e fundit politike të zotit Basha?
Këto nuk mund të shikohen të shkëputura nga e gjithë veprimtaria politike e zotit Basha në krye të PDSH që nga vera e vitit 2013. Pas gati njëzet vitesh të ekzistencës shoqëria shqiptare, si një shoqëri që funksiononte me rregulla demokratike dhe pluraliste, ku pozita dhe opozita merrnin pjesë së bashku në bashkëqeverisjen e vendit, u ndodh përpara një situate kur mazhoranca shpërfilli çdo rregull dhe normë demokratike dhe demonstroi haptas prepotencë, arrogancë, denigrim duke e ndërtuar strategjinë e saj politike mbi bazën e konfliktit me opozitën. Opozita shqiptare e përfaqësuar politikisht nga grupi i saj parlamentar,e kishte të vështirë ambientimin me faktin se nuk ishte më në pushtet pas tetë vitesh qeverisje dhe në pjesën më të madhe ky grup u tregua anemik dhe i pafuqishëm të mbronte arritjet e qeverisjes së saj në tetë vitet e kaluara, ku sukseset në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar ishin të dukshme. Historia e parlamentit shqiptar në këto katër vite është një histori e zezë në parlamentarizmin shqiptar dhe precedenti i miratimit të ligjit të Dekriminalizimit të tij, tregon se në të bënte pjesë një grup i strukturuar kriminal që do të përdorej dhe u përdor nga mazhoranca për të shantazhuar, kërcënuar dhe goditur përfaqësuesit e opozitës. Në qëndrimet e saj antidemokratike mazhoranca pati edhe mbështetjen e hapur dhe të fshehtë të frontit ndërkombëtar të ekstremit të majtë evropian dhe më tej, që ndërmori veprime për të demonizuar opozitën shqiptare dhe veçanërisht PD dhe liderin e saj, zotin Basha. Kjo situatë e rënduar dhe e tensionuar politike përcaktoi edhe qëndrimin politik të PD dhe veçanërisht të liderit të saj, zotit Basha. Në përballjen e saj me veprimet antidemokratike dhe antikombëtare të mazhorancës, spikati performanca në rritje e liderit Basha, që ia doli me sukses në betejën në shumë fronte, që kishte të bënte me fatet e demokracisë dhe pluralizmit në vendin tonë. Basha ia doli me sukses dhe disa herë në qëndrimin e vendosur personal në: Në betejën për dekriminalizimin e parlamentit, në betejën për Reformën në drejtësi, në betejën kundër kanabizimit të vendit, në orientimin e drejtë të faktorit shqiptar jashtë kufijve shtetëror,në kundërshtimin e vendosur të faktorit ndërkombëtar,nganjëherë i dezinformuar, por edhe i organizuar për të demonizuar PD dhe mbështetur të majtën shqiptare. Në veprime të hapura të një korrupsioni që ka përfshirë gjithë strukturat drejtuese të vendit, që ka mbështetjen e krimit të organizuar, të oligarkisë financiare të krijuar dhe mbështetur me pasurinë publike dhe në synimin e saj për të kapur çdo institucion shtetëror. Nën të ashtuquajturën slogan “të stabilitetit” të vendit dhe të rajonit, këta përfaqësues kanë heshtur , por disa herë janë bërë edhe palë, duke dalë hapur në mbrojtje dhe mbështetje të lidershipit të PS në veprimet që kanë kriminalizuar jetën dhe veprimtarinë publike të vendit. Beteja e fundit është lufta për votën e lirë. Kjo ka të bëjë me gjenezën e vetë PD si parti e lirive dhe të drejtave të njeriut, ku vota e lirë dhe vullneti i lirë i zgjedhësve janë përcaktuese. Votimi i disa muajve më parë në Dibër nuk ishte një precedent i deformimit të votës, por ishte modeli për t’i paraprirë zgjedhjeve politike dhe rezultoi i suksesshëm si praktikë. Bandat e prodhimit dhe trafikimit të drogës, të mbështetura nga strukturat më të larta të policisë të shtetit dhe Ministrisë të Brendshme, ishte sinjali më i frikshëm për fatet e demokracisë. Lideri Lulzim Basha ia arriti të bashkojë opozitën shqiptare, duke e kthyer betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme në një kauzë kombëtare. Ai tashmë është konfirmuar si një lider i guximshëm, i vendosur, largpamës dhe vizionar.

Si e konsideroni kauzën e PD për të cilën janë futur në çadër që në 18 shkurt?
E lindur fillimisht si një kauzë e PD , ne jemi dëshmitarë se kauza për zgjedhje të lira dhe të ndershme është bërë kauzë e opozitës shqiptare dhe me shtrirje të gjerë gjithnjë e më shumë në opinionin publik shqiptar. Sot asnjë shqiptar nuk e beson se kjo mazhorancë e ka vullnetin për të realizuar zgjedhje të lira në vend, si detyrim kushtetues i saj. Kjo humbje besimi, kërkon domosdoshmërisht krijimin e një qeverie teknike, që të marrë përsipër realizimin me sukses të një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Publiku shqiptar ka humbur besimin edhe tek faktori ndërkombëtar, si pjesë e bashkuar e të majtës evropiane, që me veprime dhe deklarime publike ka dalë në mbrojtje të korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend. Deklaratat e fundit të disa përfaqësuesve diplomatikë në vendin tonë, kanë treguar se ato janë bërë palë me atë që ka përgatitur mazhoranca për të realizuar zgjedhje sipas modelit “Dibra”. Veprimet e fundit të qeverisë për të krijuar opozitën artificiale, sipas modelit të vjetër të ish -diktatorit të fundit komunist, që krijoi pluralizmin me organizatat e masave si leva të partisë, “shkarkimet” e fundit të drejtuesve të lartë të policisë, si mbrojtës dhe organizatorë të kanabizimit të vendit dhe vendosja e tyre në poste që do të lidhen drejtpërdrejtë me zbatimin e platformës të qeverisë për deformimin e votës, janë përpjekje të dëshpëruara të një qeverie, që ka humbur tërësisht mbështetjen në popull dhe besimin se mund të bëjë zgjedhje, duke respektuar vullnetin e lirë të zgjedhësve.

Sipas jush mosfutja e PD në zgjedhje do të çonte në shpërbërjen e saj?
Së pari, për mendimin tim, është pjesë e propagandës së qeverisë që ka shtënë në dorë pothuaj të gjitha mjetet e informimit, ajo që thuhet se PD dhe opozita shqiptare nuk marrin pjesë në zgjedhje. Ajo ç’ka tashmë është bërë kauza e saj është pikërisht realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të drejta dhe jo i farsës zgjedhore, për të cilën ka punuar ethshëm këto katër vite qeveria shqiptare. Lidershipi dhe anëtarësia e PD është e bindur se kjo është një betejë e imponuar, jashtë asaj që ajo përfaqëson. Pjesëmarrja në një farsë zgjedhore, të modelit të shoqërisë moniste komuniste, apo me opozitë të sajuar të modelit të ish -vendeve të sistemit të kaluar komunist, do të çonte, jo vetëm në atë që ju e thatë, shpërbërjen e PD, por në krijimin e një shoqërie false demokratike dhe pluraliste. E përsëris , deklarimet e fundit të disa përfaqësuesve ndërkombëtar, veçanërisht në lidhje me organizimin e njëanshëm të zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e opozitës, jo vetëm që i kanë deklaruar ata si palë në këtë lojë antidemokratike , jo vetëm që kanë bërë që opinioni publik të humbasë besimin tek ta, por mbi të gjitha kanë krijuar besimin tek drejtësia e kauzës të opozitës, kanë bërë konsolidimin e strukturave të PD dhe e kanë rritur besimin tek vendimet dhe veprimet, nganjëherë edhe personale të liderit të PD, zotit Basha.

Ditët e fundit brenda radhëve të PD kemi dëgjuar deklarata që shkojnë kundër rrymës të liderit Basha. Në këndvështrimin tuaj si vinë ato?
Së pari , shprehja e mendimit të lirë në forumet e PD është normë e statutit të partisë. Së dyti doja të thosha se veprimet madhore politike nuk mund të kenë qenë vendime individuale. Së treti të mos harrojmë, për ata që e kanë provuar, se qenia e partisë në opozitë , aq më shumë kur ke përballë një mazhorancë që e gjithë politika e saj është ndërtuar kundër opozitës, nuk është e lehtë. Dhe kjo dobësi reflektohet dhe gjen shprehje tek ata opozitarë, që jo vetëm nuk e kanë njohur jetën e partisë në opozitë, që më shumë kanë qenë thjesht si numër, por për fat të keq mendojnë akoma se janë në pushtet. Mungesa e privilegjeve dhe beneficeve që jep qenia në pushtet, mendimi se të qenit deputet është vetëm privilegj dhe meritë e vlerave që ata përfaqësojnë dhe jo detyrim dhe përkushtim ndaj kauzave që përfaqëson forca politike apo elektorati që i ka votuar, i ka bërë të thyeshëm ndaj joshjeve dhe miklimeve të mazhorancës. Por edhe loja jo e ndershme e disa përfaqësuesve të rëndësishëm ndërkombëtar, ka qenë një nga faktorët e këtyre qëndrimeve. E rëndësishme është se këto deklarime dhe qëndrime nuk kanë pasur ndonjë ndikim në strukturat e partisë dhe në anëtarësinë e thjeshtë. Përkundrazi. Ato bëhen pjesë e forcimit dhe konsolidimit të partisë, por dhe rritjen e performancës dhe reflektim të lidershipit të partisë 

A ka politikani i vjetër Vili Minarolli një këshillë për liderin e ri të Partisë Demokratike Lulzim Basha?
Nuk jam i një mendimi me ju se tashmë zoti Basha është një lider i ri. Tashmë ai është një lider i konfirmuar, që ka cilësinë, pjekurinë dhe inteligjencën për të marrë vendime të drejta, për PD por edhe për vendin. A nuk e ka treguar këtë përvoja e këtyre viteve? Largpamësia e tij ka tejkaluar dyshimet për vendime e veprime të nxituara, nganjëherë edhe të kundërshtuara dhe kanë treguar drejtësinë e tyre. Këshillë? E ç’mund t’i jap veç besimit të plotë tek udhëheqja e tij. Megjithatë nuk është vonë për ato që ne nuk i bëmë mirë. Mbi të gjitha duhet të mbështesim atë vijë politike që përcakton identitetin e PDSH si parti e qendrës të djathtë, qëndrim më konsekuent ndaj ish – të përndjekurve politikë dhe pronarëve të vërtetë( unë asnjëherë nuk them ish). Ajo që ka nisur dhe që ka të bëjë me garantimin e lirisë dhe ndershmërisë të votës të shkojë deri në fund , duke bërë nul ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 të imponuara pikërisht nga lidershipi aktual i PS, vendosjen e sistemit mazhoritar, si një vendim që nuk e ul apo dobëson rolin e lidershipit të partisë, përkundrazi e rrit dhe e forcon, duke pasur rreth vetes figura të spikatura, me reputacion dhe dinjitet, jo servilë, jo karrieristë , jo amoralë politik.

Si e keni parë ju në këto vite drejtimin e vendit nga Kryeministri Rama.
Pasqyra më e mirë është Shqipëria sot, pas katër viteve të qeverisjes. Shqipëria si vend i vetëm në rruzull me një ligj , të imponuar nga opozita, për dekriminalizimin e parlamentit. Kush i futi kriminelët në parlament? Shqipëria e cilësuar, jo vetëm nga opozita, por edhe nga institucionet ndërkombëtare si Kolumbi e Evropës. Shqipëria e kanabizuar dhe si vendi që furnizon Evropën me drogë, por edhe me krim. Një vend i dorëzuar ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në çdo qelizë të tij. Një vend ku strukturat shtetërore ligj zbatuese janë bërë mbrojtëse të krimit, një vend që qytetarët e saj e gjejnë shpëtimin në braktisjen e tij. Sot ne jemi një vend ku pasuria dhe asetet publike iu dhuruan oligarkisë, si një strukturë e rrezikshme për të mbështetur ambiciet personale të kryeministrit, për të shtënë në dorë çdo qelizë të jetës publike dhe private. Sot në vend nuk ka mjete të pavarura të informimit publik, si element i domosdoshëm i funksionimit të një shoqërie të hapur dhe transparente. Dhe së fundi ajo që qëndron në krye të asaj që e pret Shqipërinë tonë në të ardhmen, është lista e kandidatëve për deputet të emëruar nga kryeministri dhe mbështetja për këtë rrugë nga kori i disa përfaqësuesve ndërkombëtarë në vend dhe jashtë tij, si pjesë e një lobi jo vetëm të blerë, por edhe të sponsorizuar nga klanet e majta antidemokratike dhe antikombëtare.

A është vendi në prag të destabilizimit?
Vetë fakti që ju e bëni këtë pyetje tregon se jemi përpara një rreziku kombëtar. Çfarë tjetër mund të sjellë destabilizim, kur opozita përjashtohet nga zgjedhjet edhe me bekimin e atyre organizatave që në dukje kanë si rol forcimin e institucioneve demokratike? Kur krijohet nga strukturat shtetërore, një “opozitë “ artificiale, që të japë idenë e funksionimit të pluralizmit? Kur vendin e ka marrë në dorë krimi i organizuar dhe kur strukturat shtetërore janë bërë bashkëpunëtorë të tij? A nuk u vunë aerodromet e vendit dhe hapësira ajrore në shërbim të trafikut ndërkombëtar të drogës? A nuk u vu policia e shteti dhe doganat e vendit në shërbim të këtij trafiku? A nuk iu dhurua pothuaj e gjithë pasuria publike dhe shërbimet publike oligarkisë, si strukturë e kryeministrit të vendit? Dhe tashmë këta persona janë në listat e PS për zgjedhjet e ardhshme. Këto e të tjera pyetje që i ka në mendje çdo banor i këtij vendi, një ditë do e marrin atë përgjigje që meritojnë. Si të vetmen mundësi për ta shpëtuar vendin nga katastrofa.

Kuvendi ka votuar Reformën në drejtësi, reformë e cila nuk mund të zbatohet për aq kohë sa opozita braktisi parlamentin. Si e shihni përdorimin e kësaj karte nga ana e kryeministrit Rama në një moment që i kërkohet largimi dhe krijimi i qeverisë teknike?
Reforma në drejtësi ishte një domosdoshmëri kombëtare dhe kjo e bëri pozitën dhe opozitën të bashkëpunojë, duke menduar se nga të dy palët dhe disa përfaqësues ndërkombëtar kishin qëllime të sinqerta. Shpejt u kuptua, ashtu si të gjitha të ashtuquajturat reformat të ndërmarra këto katër vite , se prapa propagandës fshiheshin qëllime të mbrapshta. Ne u bëmë dëshmitarë të asaj komedie që u luajt dhe qëndrimin parimor dhe të vendosur të zotit Basha dhe të PD. Veprime të hapura antikushtetuese, kërcënime dhe shantazhe të hapura nga strukturat shtetërore dhe përfaqësitë diplomatike, ndërhyrje të turpshme në pavarësinë dhe dinjitetin e përfaqësuesve të popullit, shkeljet e hapura të parimeve demokratike. Fakt është se me qëndrimin e vendosur të PD dhe lidershipit të saj, por edhe me integritetin e Gjykatës Kushtetuese, kjo që u propagandua si reforma në drejtësi, ka mbetur për mendimin tim vetëm si një slogan në gojën e kryeministrit, për të shantazhuar opozitën, tashmë si mjetin e vetëm, pas zhvlerësimit të gjitha epiteteve që kryeministri i përsëriste me orë të tëra në mediet publike dhe private. Shqiptarët e kanë të qartë pastërtinë morale të përfaqësuesve të opozitës, se në të kundërt mazhoranca, me të gjitha strukturat e saj, nuk do të kishte hezituar për të demonizuar dhe për të dënuar përfaqësuesit e saj. Ashtu siç kanë të qartë se qeveria teknike e propozuar nga lideri Basha do të hapte kutinë e Pandorës për “punët dhe reformat e mëdha të qeverisë”.
. Historia e parlamentit shqiptar në këto katër vite është një histori e zezë në parlamentarizmin shqiptar dhe precedenti i miratimit të ligjit të Dekriminalizimit të tij, tregon se në të bënte pjesë një grup i strukturuar kriminal që do të përdorej dhe u përdor nga mazhoranca për të shantazhuar, kërcënuar dhe goditur përfaqësuesit e opozitës. Në qëndrimet e saj antidemokratike mazhoranca pati edhe mbështetjen e hapur dhe të fshehtë të frontit ndërkombëtar të ekstremit të majtë evropian dhe më tej, që ndërmori veprime për të demonizuar opozitën shqiptare dhe veçanërisht PD dhe liderin e saj, zotin Basha.

Shqipëria e kanabizuar dhe si vendi që furnizon Evropën me drogë, por edhe me krim. Një vend i dorëzuar ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në çdo qelizë të tij. Një vend ku strukturat shtetërore ligj zbatuese janë bërë mbrojtëse të krimit, një vend që qytetarët e saj e gjejnë shpëtimin në braktisjen e tij. Sot ne jemi një vend ku pasuria dhe asetet publike iu dhuruan oligarkisë, si një strukturë e rrezikshme për të mbështetur ambiciet personale të kryeministrit, për të shtënë në dorë çdo qelizë të jetës publike dhe private.

Sot asnjë shqiptar nuk e beson se kjo mazhorancë e ka vullnetin për të realizuar zgjedhje të lira në vend, si detyrim kushtetues i saj. Kjo humbje besimi, kërkon domosdoshmërisht krijimin e një qeverie teknike, që të marrë përsipër realizimin me sukses të një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Publiku shqiptar ka humbur besimin edhe tek faktori ndërkombëtar, si pjesë e bashkuar e të majtës evropiane, që me veprime dhe deklarime publike ka dalë në mbrojtje të korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend. Deklaratat e fundit të disa përfaqësuesve diplomatikë në vendin tonë, kanë treguar se ato janë bërë palë me atë që ka përgatitur mazhoranca për të realizuar zgjedhje sipas modelit”Dibra”.
Sigal