Viktimat e 21 janarit, jepen edhe 110 mijë euro për familjarët

679
Qeveria vendosi ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për çështjen “Ana Veizi dhe të tjerë kundër Shqipërisë”. Në bazë të këtij vendimi, familjarëe të viktimave të 21 janarit 2011 do të paguhen rreth 110 mijë euro. Shuma 39 mijë euro do të shkojë për për kërkuesen Ana Veizi; 39 mijë euro për Klajdi Veizin; 15.600 euro për Zabit Dedën dhe 15.600 euro për kërkuesin Çaush Veizi, me qëllim mbulimin e çdo pretendimi në lidhje me çështjen përpara Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe çdo pretendimi tjetër në lidhje me këtë ngjarje, si shpërblime të drejta për dëmin material e moral. Qeveria do të paguajë gjithashtu edhe 4 mijë euro, për të mbuluar të gjitha kostot dhe shpenzimet, duke i përjashtuar nga çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme. Vlera e përcaktuara si detyrim nga Gjykata e Strasburgut, gjatë ekzekutimit të vendimit do të konvertohen në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku është depozituar shuma në datën e kryerjes së pagesës. Gjithashtu, vlerat e përcaktuara si detyrim do të depozitohen në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesve, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Vendimi përcakton se pagimi i shumave të depozituara, në favor të kërkuesve Ana Veizi, Klajdi Veizi, Zabit Deda dhe Çaush Veizi, do të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave, brenda 3 muajve, nga data që vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar. “Në rast mospagimi brenda afatit 3-mujor, mbi shumat e përkatëse paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin marzhinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind”, thekson vendimi. Më 21 janar 2011 katër persona humbën jetën përpara selisë së qeverisë gjatë një proteste të opozitës.
Sigal