VIDEO/ Vasili: Gjermania identifikoi që pengesa e vetme për integrimin e vendit, është Rilindja!

170

Deklarata për media e Nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili
Të nderuar qytetarë dhe qytetare!
Dje Parlamenti gjerman mori një vendim për hapjen e negociatave me kushte për Shqipërinë. Ky vendim është një vendim shumë i qartë. Gjermania ka vendosur t’i mbajë akoma të hapur portat e Europës për popullin shqiptar, njëherazi ka vërtetuar që pengesa e vetme në Shqipëri për rrugën e integrimit europian është rilindja dhe kjo formësohet me kushtet, të cilat janë vënë dhe nëpërmjet të cilave duhet të kalojë negocimi i Shqipërisë sepse në të kundërt është i pamundur.
Të nënta kushtet e zbërthyera në rezolutë janë të gjitha kritike që i janë shkaktuar vendit nga kjo mazhorancë, e cila nëpërmjet kapjes së shtetit ka rrezikuar seriozisht perspektivën europiane të Shqipërisë.
Ju e dini më së miri dhe patë që pati dje 2 vendime të diferencuara, një vendim të qartë për Maqedoninë e Veriut, e cila ka miratuar hapjen e negociatave dhe datën e fillimit të saj dhe një miratim në princip për Shqipërinë, pra mbajtjen hapur të dyerve për Shqipërinë, por jo hapjen e negociatave.
Që nga nëntori i vitit 2016, Shqipëria mori rekomandimin e parë historik të saj dhe atëherë iu vendosën 5 kushte, por njëherazi Shqipëria shkonte me këtë rekomandim bazuar mbi disa kredenciale tepër të rëndësishme dhe shpresëdhënëse siç ishte votimi me 140 vota të reformës në drejtësi, e cila ishte një mundësi shumë e madhe për të ecur shpejt dhe për të evituar kushte të tjera, përkundrazi për t’i zvogëluar, për t’i pakësuar, për t’i hapur rrugën integrimit europian dhe hapjes së negociatave.
Çfarë ndodhi mbas 2017-ës me rrëmbimin e timonit dhe të tepsisë nga rilindja, kushtet jo vetëm janë shtuar, janë rënduar dhe njëherazi është dërrmuar edhe kredenciali i Reformës në Drejtësi, e cila përkundrazi prodhoi probleme të cilat janë transformuar në kushte, pasi ju keni parë kërkesat për ngritjen e Gjykatës së Lartë, Gjykatës kushtetuese, SPAK-ut, BKH-së dhe të tjera të cilat janë kushte të shtuara pasi kjo Reformë në drejtësi u bllokua dhe u kap nga Rilindja në pushtet.
Sot, Shqipëria me vendimin e Parlamentit Gjerman ka treguar qartë që vendimi është i kthjellët dhe përkundrejt qëndrimeve propagandistike jam këtu për të sqaruar se Shqipërisë i duhet që të plotësojë të gjitha kushtet e vendosura në këtë rezolutë. Çdo spekulim që thotë se mjaftojnë vetëm 2 kushte që të hapen negociatat është thjesht një spekulim dhe një demagogji e panevojshme, në vend që të bëhet serioze Shqipëria, vazhdon në rrugën e saj të mashtrimit.
Po ju lexoj qartësisht se çfarë thotë Bundestagu Gjerman, për mbledhjen e parë, në konferencën parë të anëtarësimit, konferencën për të filluar normalisht procesi, duhen 2 kushte Reforma Zgjedhore dhe ngritja dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë. Të nderuar qytetarë dhe qytetare, kërkoj vëmendjen tuaj se në këtë moment është formulimi më i rëndësishëm.
Mbajtja e konferencës së dytë të anëtarësimit që do të thotë: Hapja e negociatave përmes kapitujve do të ndodhi vetëm kur të konstatohet plotësimi i kushteve dhe janë të gjithë kushtet pasues. Pra nuk ka hapje negociatash me plotësim të 2 kushteve, por kërkohet plotësimi i 9 kushteve, 2 kushtet e para janë për të filluar për të folur për këtë çështje, në të kundërt nuk ka asnjë hapje negociatash dhe ku konsistojnë këto kushte, paraprakisht Bundestagu Gjerman ka konstatuar probleme madhore të pakapërcyeshme, që nuk kanë ekzistuar kurrë më parë në 2016. Pra prandaj janë hapa prapa. Sepse Bundestagu Gjerman konfirmon dhe thotë që: “Shqipëria është në një krizë të rëndë politike dhe duhen ndërmarrë të gjitha hapat për të kapërcyer këtë krizë sa më shpejt nëpërmjet dialogut politik, përndryshe rruga për negociatat e anëtarësimit do të vështirësohet në mënyrë të konsiderueshme.”
Së dyti Bundestagu Gjerman në të gjithë pjesën konstatuese thotë: “Nevojitet një vendim urgjent i Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit.” Pra kemi të bëjmë me zgjedhje të paligjshme, gjë që është konfirmuar nga OSBE/ODIHR dhe është mbajtja e votimeve moniste në Shqipëri, është një konstatim madhor i Bundestagut Gjerman, shkaktuar nga maxhoranca.
Shumë e rëndë dhe i pakapërcyeshëm është roli i Shqipërisë në Rajon. Roli i Shqipërisë në Rajon ka shkëlqyer në drejtim të drejtim të dimensionit të paqes, stabilitetit dhe kontribuimit për një konstruktivitet të bashkëpunimit rajonal. Dhe Shqipëria kampione e kësaj gjëje, në vijueshmëri të maxhorancave që kanë ndryshuar njëra tjetrën, ka qenë pika lidhëse e të gjitha maxhorancave, humbet këtë rol dhe e detyron Bundestagun Gjerman që të thotë: “Deklaratat politike për bashkim të popullatës shqiptare në Shqipëri, Kosovë e të tjerë, mund të çojnë në konflikte të paparashikueshme në Ballkanin Perëndimor, ato duhet të ndalen menjëherë, sepse këto përpjekje do të ishin të papajtueshme me anëtarësimin në BE dhe do të çonin në ndërprerjen e negociatave të anëtarësimit.”
Të nderuar qytetarë dhe qytetare!
Në rast se do të shikoni të gjitha kushtet pa përjashtim. Secili prej tyre është produkt i politikës së maxhorancës. zbatimi i ligjit për Reformën Zgjedhore, kush e pengoi Reformën Zgjedhore? Dhe kush çoi draftin në mënyrë të një anshme në Parlament duke shkatërruar Komisionin ad hoc në sesionin parlamentar? Ishte Partia Socialiste dhe Rilindja. Kush e pengoi fillimin e procedimeve penale ndaj atyre që blenë votat? Dihet botërisht që ishte Rilindja që bllokoi dosjet 184 dhe 339.
Angazhimi i strukturës speciale për të luftuar korrupsionin, SPAK dhe BKH u vonuan nga Rilindja për shkak të nevojës së tyre për t’i kapur sa më parë. Reforma administrative, duhet parë thotë Bundestagu rishikimi i qëndrimeve të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve. Po, futjen me tufa, me qindra njerëz, me 1500 që konkurronin përnjëherë, denoncuar edhe në Zërin e Amerikës. Pra punësimet politike i shkaktoi sërish Rilindja. Zgjedhjet e 30 qershorit, që vazhdojnë të jenë të paligjshme, i shkaktoi Rilindja, pasi mbajti votime moniste.
Pra të gjitha kushtet që ndodhen këtu, kanë vetëm një shkak, kanë vetëm një autor dhe një fajtor.
Ecim më tej, pohohet dhe ky është një pohim shumë i rëndësishëm, i kërkohet qeverisë shqiptare nga Bundestagu që të sigurojë që Shqipëria të përmbushë kriteret politike, përmbushja e rreptë e kritereve të Kopenhagenit, mbetet parakusht për anëtarësim. Pra plotësimi i kritereve të Kopenhagenit është parakusht për anëtarësim. Dhe anëtarësim automatik nuk mund të ketë lidhur më këtë çështje në rast se këto kritere nuk plotësohen. Të nderuar qytetarë dhe qytetare, situata është absolutisht shumë delikate, më e rënda që mund të ketë qenë ndonjëherë në Shqipëri dhe për këtë situatë kërkohen veprime e mendime të shpejta. I kërkohet qeverisë dhe Kryeministrit të lërë mënjanë interesat e ngushta korruptive dhe grabitjes politike të pushtetit për të kthyer Shqipërinë në rrugën e funksionimit të shtetit të së drejtës tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme që janë thelbi i këtij shteti dhe pastrimit të vendit nga krimi, korrupsioni dhe paratë e pista. Njëherazi ne këtu konfirmojmë dhe rikonfirmojmë se LSI si forcë e integrimit evropian, lindur si e tillë dhe e gatshme për të bërë çdo sakrificë për të, vazhdon të mbetet sërish e predispozuar dhe e gatshme që të bëjë çdo sakrificë që ky integrim të eci përpara.
Opozita e bashkuar ka bërë gjithçka që integrimi evropian të eci përpara , ka bërë çdo përpjekje për të pasur qoftë edhe mbajtjen e dyerve hapur për Shqipërinë siç qe kjo “PO” e kushtëzuar e Bundestagut gjerman por fajtori, shkëmbi i vetëm në rrugën e integrimit, pengu i axhendave anti-integrim, vazhdon të jetë dhe mbetet Edi Rama dhe Rilindja e tij. Është e qartë që kërkohen sakrifica të mëdha në mënyrë që të mos shpërdorohet vizioni dashamirës i Europës dhe i Gjermanisë në mënyrë të veçantë, për të mbajtur të hapur dyert e BE për Shqipërinë, pasi dihet të nderuar qytetarë, që një dashamirësi pafund nga Europa nuk mund të ketë dhe një shpërdorim nga ana e Shqipërisë pafund me një rrezik të pallogaritshëm sigurisht që nuk mund të ketë.