“Vettingu” shkon te Nishani, Presidenti 20 ditë afat për të vendosur mbi dekretimin

457
Presidenti, Bujar Nishani ka marrë në dorë ligjin e miratuar dhe ai ka 20 ditë afat të vendosë nëse do e dekretojë apo do e kthejë për rishqyrtim. Edhe pse është cilësuar si shumë i rëndësishëm, mundësitë që ligji të rikthehet janë të mëdha. Dihet tashmë se Bujar Nishani vijon të ndjekë linjën e PD dhe të Sali Berishës. Demokratët e kanë cilësuar antikushtetues ligjin dhe për këtë arsye Nishani mund të vendosë që të kthejë për rishqyrtim. Kjo do të sjellë riangazhimin e mazhorancës për kalimin e tij dhe një herë në seancë.
Vetingu është cilësuar si më i rëndësishmi i reformës, pasi përmes tij do kalojnë në sitë të gjithë gjyqtarët. Llogaritet të jenë në total 800 gjyqtarë, prokurorë, ndihmës të tyre dhe këshilltarë që do të plotësojnë katër formularë. Brenda 30 ditëve formularët që lejojnë monitorimin e komunikimit dhe financave, kontrollin e figurës dhe deklaratat e pasurisë duhet të dorëzohen tek një komision që do të duhet të ngrihet dhe që do të gëzojë mbrojtje të veçantë nga shteti. Në formularë gjyqtarë e prokurorë të të gjithë sistemit duhet të deklarojnë edhe për familjarët deri në shkallë të katërt nëse kanë patur kontakte me njerëz nga bota e krimit, qoftë edhe komunikim elektronik nga persona të panjohur. Formulari tjetër i deklarimit të pasurisë parashikon se, në rast të mosdeklarimit të saktë të pasurisë parashikohet shkarkimi nga detyra. Sa u takon verifikimit të pasurisë dhe të shkuarës së tyre rol thelbësor do ketë ILDKP dhe DSIK. Këto institucione opozita i ka kundërshtuar, me argumentin se janë organe qeveritare. Sapo Nishani të vendosë për dekretin, pritet që të nisë puna e ngritjes së organeve të vetingut, teksa pritshmëritë janë që të ketë dorëheqje masive sepse vetëm në këtë mënyrë i shpëtohet vetingut.
Sigal