“Vettingu”, pritet “tërmet” në drejtësinë shqiptare, ja zyrtarja e huaj që do drejtojë operacionin ndërkombëtar të monitorimit

466
Sigal

Pas pak javësh në Shqipëri do të mbërrijë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili ka një rol kyç në procesin e “Vettingut”.
Në krye të këtij operacioni do të jetë Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian, Genoveva Ruiz-Calavera. Lajmi konfirmohet edhe nga vetë zonja Calavera. “Po, unë do të kem kënaqësinë të drejtoj Operacionin ndërkombëtar të monitorimit, i cili do të asistojë procesin e Vettingut”, shprehet zyrtarja e lartë e unionit.
Në muajin Dhjetor, Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian, Genoveva Ruiz-Calavera, ishte në Tiranë dhe zhvilloi disa takime ku është diskutuar çështja e reformës në drejtësi dhe procesi i vettingut. Tashmë pritet të hyjë në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese në mënyre që të zhbllokohet ligji i vettingut, e më pas, në fillim të muajit shkurt, në Tiranë do të vijnë anëtaret e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Mësohet se anëtaret e ONM-së do te përzgjidhen nga Gjermania, Austria, Holanda e Italia dhe prej kohësh është konfirmuar se pjesë e Operacionit është edhe Reinhard Priebe, i cili ka qenë në Shqipëri gjate mandatit të dytë të kryeministrit Fatos Nano si drejtor për Ballkanin Perëndimor në BE.
Puna e ndërkombëtareve fillon në momentin që janë mbyllur aplikimet për Komisionin e Posaçëm të Kualifikimit, të Kolegjit të Apelimit dhe ka në fokus vlerësimin e të gjithë personave që synojnë të jenë pjesë e institucioneve që do të realizojnë Vettingun.
Por kjo është vetëm faza e parë e punës se tyre pasi vëzhguesit ndërkombëtare do të jenë prezentë në çdo hap te skanimit te gjyqtareve e prokuroreve, dhe, sipas ligjit, ata kanë të drejtë të “hetojnë dhe vlerësojnë të gjitha faktet dhe rrethanat e nevojshme për procedurën e rivlerësimit.”