Vettingu, Meta shpall 16 vende të lira për këshilltarë, ja kriteret që duhet të plotësojnë

921
Ashtu sikundër edhe ishte lajmëruar, komisionet e Vettingut do të nisin nga puna shumë shpejt. Presidenti Ilir Meta nxjerr njoftimin e parë për zgjedhjen e këshilltarëve të Komisionit të Kualifikimit
Ligji i Vettingut është një ndër hallkat më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi. Vettingu pritet t’i japë fund korrupsionit në gjyqësor dhe në radhët e prokurorëve tashmë ndodhet në një moment kyç të zbatimit të tij, teksa në vendin tonë kanë zbarkuar prej disa javësh edhe ekspertët ndërkombëtarë. Në lidhje me këtë, Presidenti Ilir Meta ka shpallur disa vende të lira pune për këshilltarë, që do të shërbejnë pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), një ndër komisionet më të rëndësishme të Vettingut. Njoftimi është publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, ku kërkohen 12 këshilltarë ligjorë dhe 4 ekonomikë për KPK. 

Njoftimi i plotë:
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, bazuar në ligjin nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe vendimit të Kuvendit nr. 93/2017, shpall vendet vakante për pozicionet e këshilltarëve ligjorë dhe ekonomikë për institucionin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, konkretisht për këshilltarë ligjorë (12) dhe këshilltarë ekonomikë (4). Të gjithë aplikimet duhet të dorëzohen nga data 23-27.10.2017 në një nga format e dhëna më poshtë: Paraqitjes së aplikantëve, së bashku me dokumentet përkatëse, pranë institucionit të KPK-së, në adresën: Rruga e Kavajës, Ish-Lidhja e Shkrimtarëve, Tiranë, zyra e protokollit, nga e Hëna-Premte, ora: 09:00-16:00. Kërkesës me shkrim, dërguar me postë zyrtare në adresën: Rruga e Kavajës, Ish-Lidhja e Shkrimtarëve, Tiranë. Aplikimi në rrugë postare duhet të kryhet brenda datës 27.10.2017, i cili duhet të vërtetohet me fletë-mandatin e lëshuar nga institucioni përkatës postar. KPK konfirmon nëpërmjet postës elektronike marrjen e aplikimit përkatës.

Kërkesë për aplikim përmes postës elektronike në adresën: [email protected]; tek institucioni i KPK-së, i cili konfirmon nëpërmjet postës elektronike marrjen e aplikimit përkatës. Në kërkesën që paraqet, kandidati përcakton vendin vakant, për të cilin është i interesuar të aplikojë. Bashkëlidhur me kërkesën, kandidati dorëzon 1 kopje të dokumenteve të mëposhtme:

-jetëshkrim profesional, përfshirë të dhënat e kontaktit; 

-postën elektronike zyrtare dhe adresën postare; 

kopje të dokumenteve të noterizuara ose të njësuara nga organi përkatës, që vërtetojnë kushtet e parashikuara në nenin 22, pika 3 (për këshilltarë ligjorë) dhe pika 4 (për këshilltarë ekonomikë) të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Sigal