Vettingu, Meta: Gjykata Kushtetuese të japë gjykimin sa më parë

416
Sigal

 

 

Prononcimi për median i Kryetarit të LSI-së, z. Ilir Meta
pas mbledhjes së KDK-së dhe zgjedhjes së Kryesisë së re të LSI-së

 

 

Z. Meta, Komiteti Drejtues Kombëtar i LSI-së zgjodhi sot
Kryesin e re. A do të thotë kjo tashmë LSI-ja, e plotësuar në të gjitha
strukturat drejtuese, është gati për të menduar se si do të dalë në zgjedhjet e
2017-s?

Ishte kënaqësi
sot për të konstituuar mbledhjen e parë të Komitetit Drejtues Kombëtar pas
Konventës Kombëtare Zgjedhore, për të zgjedhur Kryesinë e re dhe njëkohësisht
për të bërë edhe mbledhjen e parë konstituuese të kësaj kryesie. Jo vetëm kaq,
por edhe për të zgjedhur edhe disa kolegë të tjerë të cilët do të kenë një
kontribut të rëndësishëm në drejtimin e Kryesisë, KDK-së dhe gjithë strukturave
të LSI-së, edhe në kuadër të rritjes të kolegjialitetit, bashkëpunimit dhe
transparencës në drejtimin e kësaj force politike.

Dua të uroj
profesor Shezai Rrokajn, që u zgjodh kryetar i KDK-së me një votë gati unanime
dhe njëkohësisht dua t’ju prezantoj Sekretaren e re për Marrëdhëniet me
Publikun në LSI, Erisa Xhixhon, e cila nuk është e panjohur për ju dhe kjo
është një nga arsyet që e kemi zgjedhur. Për të rritur dhe për të përmirësuar
më tej komunikimin me mediat dhe në përgjithësi për të përmirësuar më tej
marrëdhëniet me publikun të LSI-së. Ashtu sikurse kemi zgjedhur edhe Eriona
Bixhën, Sekretare Organizative, z. Edmond Haxhinasto, Sekretar për Çështje
Programore, dhe z. Bahri Shaqiri Sekretar për Sigurinë Kombëtare dhe natyrisht
edhe kryesinë e re, emrat e të cilës tashmë i keni online.

Besojmë të
përmirësojmë më tej drejtimin e LSI-së si një element mjaft i rëndësishëm për
të kontribuar në të gjithë përmirësimin e qeverisjes së vendit dhe të
përmirësimit të kulturës së politikëbërjes në vend.

Ju patët edhe një mbledhje të parë të kryesisë së re
menjëherë pas zgjedhjes së tyre. Sa herë do të duhet të mblidhet kjo kryesi dhe
a do të jetë puna e saj vendimtare për të patur një qëndrim të saktë ndoshta në
javët në vijim se si do të dilet në zgjedhjet e 18 qershorit?

Kryesia do të
jetë në një angazhim të përhershëm dhe do të mblidhet sipas një kalendari të
caktuar dhe do të mblidhet aq herë sa Sekretari i Përgjithshëm apo dikush nga
drejtuesit e tjerë do të konstatojë se ka rëndësi për t’u mbledhur kryesia për
të ecur më shpejt me axhendën politike dhe organizative të LSI-së.

LSI dha sot një shembull duke zgjedhur kryesinë e re
përmes votimit elektronik, që ka qenë pjesë e kërkesës së opozitës për t’u
përfshirë në kodin e ri zgjedhor. Është kërkuar nga PS-ja për t’u votuar edhe të
enjten në Parlament për tu shtyre me 60 ditë puna e këtij komisioni të posaçëm.
Lsi do të vazhdojë t’i qëndrojë
besnike kërkesave të saj deri në fund për reformën zgjedhore?

LSI është
plotësisht e vendosur për zbatimin e gjithë rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Ne
kemi dhe ekspertizën e tyre për këtë proces dhe gjithçka që i shërben
zgjedhjeve transparente dhe të ndershme. Do të ketë mbështetjen e plotë dhe pa
rezerva të LSI-së dhe për këtë do të bashkëpunojmë shumë ngushtë me të gjithë
forcat politike dhe në veçanti me ekspertët ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR.

Janë shprehur sot Ambasadat e SHBA dhe BE. Ju pak më parë
e përmendët në fjalën tuaj, çfarë prisni tashmë nga Gjykata Kushtetuese, një
zbardhje sa më të shpejtë, një shprehje sa më të shpejtë të qëndrimit të saj
për opinionin përfundimtar të Venecias dhe implementimin më pas të ligjit për
Vetting-un?

Ne presim që
Gjykata Kushtetuese të japi gjykimin e saj sa më parë që të jetë e mundur dhe
më pas të ecet me implementimin e ligjit për Vetting-un dhe gjithë reformës në
drejtësi në mënyrë që kjo reformë jo vetëm të na ndihmojë për të përshpejtuar
çështjen e çështjes së negociatave për anëtarësim në BE, por njëkohësisht dhe
të japë impakt shumë më të gjerë për ecurinë e të gjithë reformave të tjera në
vend.

A jemi pak orë përpara vendimit për çeljen e negociatave
nga BE?

Jemi përpara një
vlerësimi të Këshillit të vendeve anëtare të BE që dëshirojmë, shpresojmë të
jetë në një linjë me rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian.