Vettingu, LSI propozon Luan Ramën, Silva Cakën dhe Vangjel Tavon

Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë publike ditën e sotme emrat e deputetëve që i janë propozuar Kuvendit për komiosionet “ad hoc” për vettingun. Në një konferencë për shtyp, nënkryetari i LSI-së, Luan Rama tha se për komisionin me 12 anëtarë ku 6 i përkasin opozitës dhe 6 mazhorancës, kjo forcë politike ka propozuar deputetët Luan Rama dhe Silva Caka.

Ndërsa për komisionin me 6 anëtarë, ku 3 i takojnë opozitës dhe 3 mazhorancës, LSI ka propozuar deputetin Vangjel Tavo.

Në fjalën e tij, Rama tha propozimi i këtyre kandidaturave është në përmbushje të detyrimit formal që ligji kërkon për zbatimin e reformës në drejtësi. Sakaq, ai theksoi rëndësinë e dialogut mazhorancë-opozitë për të zgjidhur ngërçin politik në vend.

“LSI i ka propozuar seancës së Kuvendit që për seancën të përbehet nga 12 anëtarë, 6 nga shumica e 6 nga pakica, ne kemi propozuar Luan Rama dhe Silva Caka. Për komisionin prej 3 anëtarësh, në kemi propozuar Vangjel Tavon. Kjo nuk është thjesht përmbushje e një detyrimi formal që ligji detyron për formimin e këtyre komisioneve por edhe për rolin që ka vendimmarja politike në këtë proces. Bojkoti i opozitës ka bllokuar këto institucione, dhe kjo ka sjellë problematikën që tashmë dihet. Ndaj theksoj rëndësinë e madhe që ka dialogu politik në zgjedhjen e kësaj situate”, tha Luan Rama.