Vettingu fals- Si po i mbron Xhafaj policët e kanabisit

462
Sigal

Gjashtë ditë më parë efektivi  i policisë Kastriot Fafaj nga Fieri vrau veten. Për të ndjerin, babai i tij dha një dëshmi të fortë, duke rrëfyer se si kishte qenë në stres dhe presion për malin e madh të letrave që i kërkohej për vettingun. “Dokumente që nuk i mblidhte dot”, rrëfeu Shqyqyri Fafaj.

Nisur nga ky rast, “Hashtag.al” nisi një hulumtim të kujdesshëm për mënyrën se si po zhvillohet vettingu në polici. Një burim i besueshëm na tha, pa na paraqitur ndonjë fakt të verifikueshëm, se vettingu në disa raste po përdorej si mjet presioni për shkarkime nga puna, me qëllim punësime të tjera.

Duke hulumtuar më në thellësi, burimet i sollën  dy kampione, të cilat vërtetojnë një skemë të re që po zbatohet: Divorci.

Fakt 1

H.Hasanbega, ish-shefi i Komisariatit Tepelenë dhe shefi i Rendit në Vlorë është divorcuar nga bashkëshortja E. Hasanbega me detyrë aktuale shefe e personelit në drejtorinë e Kufirit Vlorë.

Fakt 2

R.Avduli, ish-agjenti i Antidrogës në Vlorë, sot në kërkim për trafikim dhe kultivim droge është divorcuar nga bashkëshortja K.Avduli me detyrë përgjegjëse turni në PKK porti Vlorë.

Pra, nga njëra anë ekzistojnë dyshimet se policëve po u bëhet presion, por nga ana tjetër kemi, të faktuar me të paktën 2 raste, zbatimin e një skemë mbrojtëse për policët e kanabisit.

Hashtag.al është informuar se në këto raste, divorci i shpëton nga pasojat (kupto kapjen nga vettingu) duke i shmangur totalisht nga çdo implikim i mundshëm.

Ky është vettingu që po realizohet në rradhët e policisë, plot truke lejuar nga ministri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj.

Ju kujtohet slogani “Policia që duam” i Saimir Tahirit, që rezultoi me policë që në vend t’u shërbenin qytetarëve kanë përfunduar në kërkim për drogë?! Ndërsa tani kemi, as më shumë dhe as më pak të kristalizuar para nesh një tjetër slogan “Vettingu që duam”- me skema se si policët e lidhur me kanabisin po pastrohen nëpërmjet një procesi tërësisht të kompromentuar.

Në foto Saimir Tahiri duke i dorëzuar detyrën Fatmir Xhafajt