Vetting-u të enjten. Kushtetuesja cakton datën e vendimit

465
Sigal

Pas një mbledhjeje të lajmëruar në fundjavë për këtë të hënë, gjyqtarëve kushtetues iu është shpërndarë opinioni i Komisionit të Venecias, në të cilin ligji për vlerësimin kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve vlerësohet pozitivisht. 

Burime nga trupa gjyqësore bënë me dije se gjyqtarët kanë pohuar se pasi të konsultohen me këtë material të përkthyer në shqip janë gati të mblidhen sërish më datë 22 dhjetor për të dhënë një qëndrim përfundimtar. 

Por ndërkohë, që prej muajit tetor ligji i Vetting-ut është i pezulluar derisa të ketë një verdikt nëse ai është i pajtueshëm apo jo me Kushtetutën përderisa opozita e më pas edhe komuniteti i gjyqtarëve kërkojnë shfuqizimin e tij. 

I miratuar në Kuvend me 88 vota dhe pa praninë e opozitës, marrja e një përgjigjeje nga Kushtetuesja për ligjin e Vetting-ut do t’i hapë dritën jeshilë zbatimit të Kushtetutës së re për ngritjen e institucioneve të reja në kuadër të reformës së shumëkërkuar në drejtësi. 

Kundër ligjit u angazhuan në Gjykatën Kushtetuese, Partia Demokratike e më pas gjyqtarët e prokurorët. Interesi për vendimin e kësaj instance për Vetting-un është shumë i lartë, në një kohë kur zbatimi i këtij ligji është kushti për hapin e radhës për integrimin, hapjen e negociatave për anëtarësim.