Vetting-u, PD: Përkthimi i deformuar në detajet kyçe, ja provat

427
Sigal

Një ditë pas deklaratës së ambasadorit amerikan, që linte
të kuptohej se PD po e vonon ligjin e Vetting-ut nga frika, partia më e madhe e
opozitës ka reaguar duke u shprehur e palëvizshme nga qëndrimi i saj për
dërgimin e përkthimit të gabuar të ligjit në Komisionin e Venecias.

Në një konferencë për shtyp,
deputeti i PD Oerd Bylykbashi ka paraqitur një seri provash “kokëforta”, të
cilat vërtetojnë sipas tij se teksti i Vetting-ut është deformuar në mënyrë të
qëllimshme.

 “Që në momentin kur u
miratuan amendamentet për Kushtetutën, PD e ka mbështetur largimin e gjyqtarëve
dhe prokurorëve të korruptuar. Por kjo nuk bëhet duke manipuluar përkthimin,
duke bërë që Komisioni i Venecias të hyjë në drejtim të gabuar. Ka një
tentativë që të bëhet e mundur që ligji i Vetting-ut të mos konsiderohet si një
ligj që ka probleme të rënda. Kushtetueshmëria nuk arrihet me deformimin e
ligjit dhe as me etiketimin e atyre që e kanë konstatuar”, ka thënë Bylykbashi.

Në vijim provat e publikuara
nga deputeti Bylykbashi:

 “Gjykata Kushtetuese, më 25
tetor, pati presion nga mazhoranca për ta çuar pa asnjë vonesë ligjin në
Komisioni i Venecias. Më 25 tetor u mor vendimi, më 28 tetor është dërguar nga
gjykata në Venecia përkthimi i ligjit.

Nga kontaktet zyrtare me Gjykatën
Kushtetuese, përkthimi i dërguar është i bërë nga Euralius. Komisioni i
Venecias ka publikuar më 16 nëntor tekstin e Kushtetutës dhe ligjit.

Me dokumentet e publikuara online,
Komisioni i Venecias ka bërë një transparencë të plotë: ka tekstin e
Kushtetutës, ligjin me tekstin e gabuar, si dhe ligjin e përkthyer dhe të
dërguar më pas. Ndërkohë, web site të tjera, përfshirë EURALIUS, i kanë hequr
përkthimet e mëparshme që ishin në faqet e tyre.

Ekspertët e PD e zbuluan më 25
nëntor këtë deformim duke mbikëqyrur fletët e ligjit në faqen e Komisionit të
Venecias. Kjo ju bë prezente Gjykatës Kushtetuese, që mori përsipër të bëjë
përkthimin zyrtar me ekspertë të licencuar nga Ministria e Drejtësisë.

Gjykata mori përsipër se ka dërguar
ligjin, por jo tekstin e Kushtetutës. As ministria e Drejtësisë nuk e ka
dërguar. Mbetet për t’u sqaruar kush e ka dërguar, sepse në faqen e KV thuhet
se ai përkthim është dërguar nga autoritetet shtetërore shqiptare. Duhet të
kuptohet kush ishte ky autoritet shtetëror që donte të conte diçka të gabuar.
Kemi vënë në dijeni KV.

Më 30 nëntor, Gjykata Kushtetuese
ka dërguar zyrtarisht, përkthimin zyrtar, që gjendet në faqe dhe është korrekt
dhe KV e ka publikuar këtë variant, pa hequr atë të vjetrin. ka edhe një fakt
tjetër të rëndë. KV tregon se versioni i parë i ligjit nuk daton as datën 18
tetor e as 16 nëntor që është në ëeb site, por datën 16 tetor.

Pra, varianti është dërguar disa
ditë para se ta dërgonte gjykata. Pyetja që shtrohet është: kush kishte interes
të çonte KV në drejtim të gabuar?

Sepse ka ndryshim të përmbajtjes
substanciale, për ta bërë versionin shqip të duket më pak i rëndë në anglisht.
Janë deformime të rënda dhe mangësi të tjera”.