Vetingu të fillojë nga deputetët miliarderë dhe ministra të korruptuar, por të pandëshkuar

661
Petraq BARJAMI
Kryeministri Rama: Shumë gjyqtarë po i luten Zotit, do vijë dhe radha e politikanëve!
Kryeministri Edi Rama ka folur nga Lezha për procesin e vetingut duke marrë si shembull skandalin e madh të përvetësimit të pronave në bregdetin e këtij qyteti.

Rama ka deklaruar se shumë prokurorë e gjyqtarë po i luten Zotit, pasi janë frikësuar thellësisht nga procesi i vetingut, një reformë e cila shumë shpejt do të prekë dhe politikën shqiptare, shtoi kryeministri. “Se këtu në Lezhë ka një çështje pronash të hapur. Në atë çështje të hapur s’janë vetëm ata që akuzohen por edhe gjykatës dhe prokurorë, të cilët kanë marrë pjesë në ato krime, apo jo se gjithë ato prona futu këtej e dil andej, futu në gjykatë me letra false e dil pronarë me dhjetëra hektarë janë bërë në bashkëpunim me gjykatësit, s’janë bërë vetëm. Sikur reforma në drejtësi që bëhet sot të ishte bërë 20 e ca vite më parë s’do kishim ardhur sot në ditën që njerëzit të thoshin, të gjithë politikanët janë hajdutë e s’po shkon njeri në burg.
Pandëshkueshmëria ndaj deputetëve dhe kryebashkiakëve që pronësuan prona dhe ministrat e korruptuar
Kryeministri Rama ka në grupin Parlamentar të PS-së deputetin Alket Hysenaj, i cili është denoncuar publikisht nga një qytetare në Dhërmi, që i ka tjetërsuar pronën, ndërkohë që Prokuroria e Krimeve të Rënda po shqyrton hapjen e dosjes. Kryeministri Rama ende nuk ka mbajtur asnjë qëndrim politik, Mos vallë e pengon vetingu i politikës? Kryebashkiaku socialist, i Kavajës është denoncuar për tjetërsimin e pronave në bregdet, mirëpo ende prokuroria nuk ka filluar hetimet. KLSH në mënyrë të vazhdueshme ka denoncuar korrupsionin e ministrave të qeverisë “Rama”, të ish-ministres Ekonomi, të ish-ministrit Haxhinasto, koncesionet e ish-ministrit të Shëndetësisë Beqaj, mirëpo prokuroria ende nuk ka filluar hetimet. KLSH-ja ka raportuar vazhdimisht edhe për shpërdorime fondesh dhe korrupsion nga shumë kryebashkiakë socialistë, sikurse ai i Pogradecit, Gjirokastrës, Elbasanit, mirëpo deri tani ende prokuroria nuk ka filluar asnjë çështje hetimore. Natyrisht, kjo ndodh, sepse të gjithë këta zyrtarë të lartë të qeverisë “Rama” kanë imunitetin politik të qeverisë. Deputeti socialist Alfred Peza kishte blerë aksione bankare 1 milion dollarë, dhe ende nuk ka vazhdimësi në hetim. Shumë ministra të tanishëm të kryeministrit Rama janë akuzuar për vila, biznese, depozitime bankare, të cilat, natyrisht, nuk mund justifikohen me rrogën e tyre si zyrtarë dhe deputetë. 
Flasin për gazetën “Telegraf”
Dashamir Shehi, deputet: Kryeministri Rama le ta fillojë vetingun nga vetja


Shikoni, si e ka bërë vetingun, ku ka bllokuar të gjitha gjykatat, që nga Gjykata Kushtetuese e me radhë. Kryeministri Rama nuk do veting, por bën presion. Do të na trembë. Nëse do të bëjë veting, le ta fillojë këtë veting nga vetja. Por, kryeministri bën propagandë, flet për demagogji dhe për veting, që t’i thotë popullit, që unë jam i ndershëm, por dua të luftoj të korruptuarit, që janë vetëm nga opozita. 
Sokol Hazizaj, Kostitucionalist: Kur të largohet nga politika, do bëjë veting


Sokol Hazizaj, kostitucionalist shprehet për gazetën “Telegraf” se kryeministri Rama do ta bëjë vetingun, kur të largohet fare nga politika. Vetëm, atëherë ndoshta. 
Nard Ndoka, deputet: Rama tregon përralla me veting


Rama po e përdor vetingun për demagogji, ka dështuar në ekonomi, infrastrukturë, arsim, shëndetësi, investime dhe kudo tjetër. E vetmja mënyrë për të shtyrë ditët është; të tregojë përralla me veting dhe me luftë ndaj opozitës. Në një vend dhe shtet informal vetingu kap çdo qytetar; kapi hallexhinjtë të ndihmës ekonomike, që për një televizor, iu hoqën ndihmën ekonomike. Kur vetingu është thjesht tendencë dhe luftë, humb sensin ligjor dhe besueshmërinë. Thjesht është material propagandë për mediat dhe portalet, të furnizuar nga kazani ERTV!
Sigal