Vetingu, nis hetimi për komisionerin publik

247
Komisioni Disiplinor nisi gjykimin ndaj komisionerit publik të vetingut ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, Heral Saraçi, i cili u përball me rezultatet e hetimit disiplinor të nisur kundër tij me dyshimet se ka penguar funksionimin e institucionit, ka nënshkruar kontrata të parregullta në rekrutimin e stafit si dhe ka sabotuar mbledhjet në komisionin ad-hoc të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Rezultatet e hetimit disiplinor u lexuan nga gjyqtarja hetuese, Natasha Mulaj-njëherazi kryetare e Kolegjit të Apelimit. “Komisioneri Saraçi ka vënë në rrezik funksionimin e institucionit me veprimet dhe mosveprimet e tij”, tha Mulaj përpara anëtarëve të Komisionit Disiplinor, Sokol Çomo, Albana Shtylla dhe Ardian Hajdari. Komisioneri publik, Heral Saraçi nuk komentoi asnjë prej akuzave të ngritura kundër tij në seancën dëgjimore. Ai kërkoi kohë për parashtrimin e mbrojtjes me pretendimin se dosja ishte voluminoze, ndërsa kërkoi praninë e përfaqësuesve të Kuvendit të Shqipërisë në shqyrtim, kërkesa të cilat u rrëzuan nga trupi gjykues. Saraçi kërkoi gjithashtu prezencën e një avokati në mbrojtje të tij, ndaj Kolegji Disiplinor vendosi të shtyjë seancën në datën 7 mars. Hetimi disiplinor kundër komisionerit Saraçi nisi me kërkesë të vëzhguesve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM. Sipas rezultateve të hetimit disiplinor të lexuara nga Mulaj, konflikti në institucionin e Komisionerit Publik daton nga 27 korriku 2017, kur komisionerët Heral Saraçi dhe Florian Ballhysa i janë drejtuar për mendim Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për hartimin e rregullores së institucionit. ONM ka sugjeruar që hartimi i rregullores të kishte miratimin e të dy komisionerëve. Sipas gjyqtares hetuese, më 30 nëntor komisionerët janë takuar me përfaqësuesit e ONM dhe janë dakordësuar për miratimin e rregullores, por Saraçi ka ndryshuar qëndrim. “Më 8 janar 2018 komisioneri Saraçi ka parashtruar një draft tjetër të rregullores që ishte në kundërshtim me miratimin e dakordësuar me ONM-në dhe kjo është arsyeja që deri më tani ne nuk kemi një rregullore për funksionimin e Komisionerit Publik,” tha Mulaj. Rekrutimi i stafit ka qenë një tjetër akuzë në dosjen voluminoze të hetimit disiplinor të Saraçit. Sipas Mulajt, është vërtetuar në të paktën dy raste që komisioneri ka lidhur kontrata pune në mënyrë individuale në kundërshtim me rregulloren, e cila përcakton që ato duhet të firmosen nga të dy komisionerët publikë. Saraçi u konsiderua gjithashtu përgjegjës për bllokimin e aktivitetit të komisionit ad-hoc të ngritur pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Sipas Mulajt, Saraçi ka qenë prezent në seancat e zhvilluara, por në kundërshtim me rregulloren nuk ka firmosur në vendimet e marra. Sipas gjyqtares hetuese, kjo është një shkelje disiplinore, pasi vendimet e Komisionit janë unanime ose me shumicë votash, ndërkohë që Saraçi ka kërkuar do të shprehej me vendim personal. Komisioneri Publik është një ndër tre institucionet e rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë, i cili ka për detyrë përfaqësimin e interesit publik gjatë kryerjes së procesit të vetingut. Sipas Kushtetutës, ky institucion ushtron apelimin e vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe përgatit raporte me shkrim në rastet e refuzimit për moszbatimin e rekomandimeve te Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të paraqitur ankim ne Kolegjin e Apelimit.