Vetingu i politikës, PS rrëzon propozimin e opozitës

640
PD propozoi kontrollin për drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, pas deklaratës së Xhafës, se ishte i gatshëm të certifikohej
Deputetët e Partisë Socialiste në Komisionin parlamentar të Ligjeve rrëzuan propozimin e kolegëve të opozitës për vetingun e drejtuesve të Ministrisë së Brendshme, krahas atij të punonjësve të policisë së shtetit. Një ditë pas deklaratës së ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj se ishte i gatshëm t’i nënshtrohej vetingut, deputetët e opozitës depozituan edhe propozimet përkatëse. Deputetët e Partisë Demokratike në Komisionin e Ligjeve dhe të Sigurisë propozuan disa ndryshime që, në bindjen e tyre, e bëjnë realisht të zbatueshëm ligjin e vetingut në polici. Partia Demokratike propozoi 3 ndryshime thelbësore. “Ministri i Brendshëm, shefi i tij i kabinetit dhe zëvendësministrat të jenë subjekt i vetingut sipas të njëjtave kritere për trupën e policisë; organet e vetingut të jenë jopolitike dhe jo nën varësinë e Ministrisë së Brendshme apo qeverisë, siç parashikohet në draft; shtrija nga 5-10 vjet e vetingut për ndalimin e përfshirjes së policëve në aktivitete politike. Në draftin aktual është vetëm 3 vjet”, thuhej në propozimet e bëra nga PD-ja. Megjithatë propozimet kryesore të Partisë Demokratike nuk janë pranuar nga maxhoranca duke rrëzuar edhe alibinë e ngritur nga ministri i Brendshëm se ishte i gatshëm që veting të niste prej tij.

LSI: Jo proces fiktiv
Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, në një dalje për mediat paralajmëroi një proces fiktiv nga ana e maxhorancës, që nuk mund të marrë votëbesimin, referuar vetingut në radhët e policisë. “Shumë momente të ligjit të përmirësohen rrënjësisht që ky të jetë proces i vërtetë rivlerësimi dhe jo i rëndomtë, vulgar, i riciklimit të shumë problemeve negative që ka pasur. Reflektimi nga maxhoranca ka qenë zero, inekzistent, refraktaritet i plotë. Jemi shumë të keqardhur për këtë situatë, që na bën të mendojmë se synimet e ligjit nuk janë qëllim mira, përkundrejt titullit pozitiv, por zbatimi i tij konkret, na bën të formulojmë rezerva të forta. Megjithatë grupi parlamentar do të paraqesë në seancë plenare një seri amendamentesh, që ka të bëjë me rritjen e integritetit të procesit, besueshmërinë dhe kapjen e procesit nga qeveria për ta shndërruar në një proces riciklues të qeverisë. Ky është një shans për maxhorancën që ky rivlerësim të çlirojë policinë nga të inkriminuarit”, tha Vasili.
Sigal