Vetingu, Gjykata Kushtetuese mblidhet të hënën për vendimin

169

Gjykata Kushtetuese pritet të caktojë të hënën datën e shpalljes së vendimit për ligjin e vetingut. Ditën e hënë, në orën 10:00, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të mblidhen për të diskutuar, pas mbërritjes të premten të versionit zyrtar të opinionit të Komisionit të Venecias për këtë ligj.

Opinioni i Venecias është protokolluar dhe është përkthyer në rrugë zyrtare, ndërkohë që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, sipas “TCH”, janë njohur më herët me qëndrimin e ‘Venecias’ në një version paraprak të përkthyer. Përgjigjja e ‘Venecias’ u dërgua në rrugë elektronike menjëherë sapo kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja pohoi se materiali ishte kërkuar zyrtarisht dhe se pas disa komunikimeve ishte marrë një përgjigje se kishte një problem teknik.

Aktualisht, ligji i vetingut është i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese derisa të ketë një vendim përfundimtar, ndërkohë që në opinionin e Komisionit të Venecias, dispozitat e këtij ligji nuk shfaqin probleme dhe nuk bien ndesh me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Komisioni i Venecias konfirmoi zyrtarisht qëndrimin e tij në favor të ligjit të vetingut për sa u përket pyetjeve që Gjykata Kushtetuese i adresoi më 30 nëntor.