Vetingu akuzon një tjetër gjyqtar

478
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në raportin paraprak të lexuar dje në seancën dëgjimore akuzoi gjyqtarin e Apelit Durrës, njëkohësisht kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), Besim Trezhnjeva, se kishte bërë deklarim të rremë të pasurisë, se ai nuk e justifikonte atë me të ardhurat dhe se kishte fshehur pasurinë. Në raportin e lexuar nga relatorja Firdes Shuli theksohej po ashtu se KPK e cilësonte të mjafueshëm vlerësimin e gjykatësit përmes kriterit të pasurisë, ndërsa nuk kishte përfunduar hetimi, sa i përket pastërtisë së figurës dhe vlerësimin profesional. Gjykatësi Trezhnjeva i pranishëm në seancë, përmes avokatit Fatmir Braka, kundërshtoi gjetjet. Braka tha se “raporti paraprak i KPK ka anomali dhe pasaktësi”, ndërsa pretendoi se nuk ishin marrë në konsideratë të gjitha burimet e të ardhurave. Trezhnjeva është gjykatësi i tretë që kalon procesin e vlerësimit të figurës në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pas Fatos Lulos që u shkarkua nga detyra për pasuri të pajustifikuar dhe Vitore Tushës, e cila u rikonfirmua në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë që prej fillimit të punës së KPK 11 subjekte, përfshi ish-Prokurorin e Përgjithshëm dhe një ish-anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhanë dorëheqjen duke iu shmangur procesit. Konkretisht KPK pretendon se një kredi 50 mijë euro e deklaruar si pagesë për një apartament 120 metra katrorë në Tiranë, rezulton se nuk është paguar për këtë apartament, por është përdorur për një apartament në Durrës. Po ashtu gjatë seancës doli se sipas KPK të ardhurat e gjyqtarit nuk justifikonin një shifër prej 20 milionë lekësh dhe se ai nuk kishte deklaruar një llogari bankare të vajzës së tij me vlerë 148 mijë lekë.
Sigal