Vërtetimet e pensionit dhe karta e shëndetit do të jepen online

539
Qeveria miraton vendimet për eliminimin e burokracive për shërbimet publike që japin institucionet. Ja çfarë ndryshon
Qeveria vendosi në mbledhjen e saj të djeshme që vërtetimet e pensionit dhe karta e shëndetit mund të tërhiqen online nga qytetarët në portalin “e-Albania”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, tha se qeveria mbetet e angazhuar për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për sa i përket lehtësimit dhe eliminimit të çdo lloj burokracie të tepërt, të panevojshme dhe si pasojë, të lodhshme për qytetarët, qoftë kur bëhet fjalë për marrjen e shërbimeve publike nga ana e institucioneve shtetërore, qoftë kur bëhet fjalë për procedura administrative. “Në kuadër të angazhimit tonë për lehtësimin e marrëdhënies së qytetarëve me administratën publike, Këshilli i Ministrave bëri një hap tjetër të rëndësishëm, duke vendosur se për të gjithë ata qytetarë që duhet të marrin apo dorëzojnë dokumente në zyrat e administratës, këtë javë, ne shtojmë listën e këtyre dokumenteve që mund të tërhiqen online në portalin e-Albania, si nga qytetarët, ashtu edhe nga institucionet publike të cilave u nevojiten ato”, tha ministrja. Sipas saj, vërtetimet e pensionit dhe Kartën e Shëndetit, qytetarët mund t’i tërheqin, duke filluar nga kjo javë në portalin e- Albania. “Më e rëndësishmja, asnjë institucion shtetëror nuk do t’ua kërkojë më, këto dokumente qytetarëve, për nevoja të procedurave të tyre, duke u kursyer në këtë mënyrë sorollatjet e panevojshme, të gjithë atyre që marrin këto shërbime”, u shpreh Manastirliu.

Çfarë është “e-Albania”
Portali unik qeveritar shumëfunksional e-albania.al administrohet dhe zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Ai shërben si një portë nëpërmjet së cilës çdo person i interesuar mund të marrë nëpërmjet internetit, shërbime elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri. Portali qeveritar “e-Albania” është i lidhur me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit, e cila është arkitektura bazë mbi të cilën mundësohet ndërveprimi me sistemet elektronike të institucioneve publike. Misioni i këtij portali është të jetë kanali kryesor i marrjes së shërbimeve të administratës publike online për qytetarët, bizneset dhe vetë punonjësit e administratës publike; t’u ofrojë përdoruesve një platformë, ku mund të jenë pjesë aktive e përmirësimit të shërbimeve publike dhe hartimit të politikave qeveritare, si dhe të zgjerojë përvojën e përdoruesve përmes shtimit të vazhdueshëm të shërbimeve elektronike. Gjithashtu, portal synon të rrisë informimin mbi ekzistencën e shërbimeve të administratës publike.
Sigal