Vera shqiptare drejt BE, Panariti takohet me deputeten gjermane

488
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave , Edmond Panariti zhvilloi një takim me deputeten e Bundestagut gjerman, Kordula Kovac, përfaqësuese e Partisë Kristian Demokrate ( CDU). Znj. Kovac është anëtare e Komitetit për Ushqim dhe Bujqësi dhe zëri kryesor i kultivuesve të vreshtarisë dhe prodhuesve të verave gjemane.
Znj. Kovac është shoqëruar në këtë takim nga Prof. Dr. Monika Christmann, Kryetare e Organizatës Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (OIV) dhe Prof. Dr. Manfred Großmann (Universiteti i Geißenheim). Në fokus të takimit ishte situata e vreshtarisë shqiptare dhe perspektiva e eksportit të verave të prodhuara në vend, drejt tregjeve europiane.
Ministri Panariti bëri një prezantim të traditës së kultivimit të disa varieteteve të përmendura, Kalmeti, Merloti, Kabërneja, Tokai dhe Riesling, duke theksuar se vera shqiptare e ka një përgjigje lokale autoktone për secilën nga këto emra të njohur ndërkombëtar. Ministri Panariti u ndal edhe në një nga arsyet që mbajnë pezull të ardhmen e këtij sektori, çështja e pronës dhe fragmentarizimi i tokës.
Kjo pengesë ka filluar të tejkalohet vitet e fundit kur me iniciativë të kultivuesve dhe prodhuesve të verës, janë bashkuar sipërfaqet e tokave dhe janë kultivuar varietete autoktone të pëlqyera dhe të kërkuara në tregun ndërkombëtar.
Ministri Panariti kërkoi mbështetjen dhe asistencën teknike në procesin e certifikimit të verave shqiptare.
“Sot prodhimi i verës është rritur në krahasim me vitet e mëparshme, me 10178 ha me vreshta, 17.2 milion rrënjë, 204,000 ton rrush, dhe 12,545 hektolitra verë të prodhuar”-informoi Panariti.
Deputetja Kovac siguroi ministrin Panariti për mbëshetje në procesin e autentifikimit të disa varieteteve të verave shqiptare dhe për pranimin e tyre në tregun gjerman dhe më gjerë, duke parë potencialin në rritje dhe zhvillimin e sektorit të vreshtarisë dhe prodhimit të verave.
Gjatë vizitës në vendin tonë, delegacioni gjerman pritet të vizitojë Kantinën e Verës “Arbëri”, Rrëshen-Mirditë, vreshtat e Shoqërisë “EuroGers” Sh.p.k dhe Kantina e Verës “Cobo” në Berat dhe të zhvillojë takime në Rektorin e Universitetit Bujqësor Tiranë, Prof. Dr. Bahri Musabelliu dhe me Dekanen e Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit, Prof. Dr. Renata Kongoli, gjatë vizitës në laboratorët e Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit.
Sigal