“Venecia” / Drafti final rrëzon shumicën e vërejtjeve nga opozita

473
Opinioni final i Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi ka ndryshime në 8 paragrafë. Krahasuar me dokumentin që Venecia nxori në fund të shkurtit, ndryshimet në përgjithësi janë teknike. Me përjashtim të njërit, që shton dy fjali në paragrafin 8. Fjali që mund të ndikojnë në ndryshimin e qëndrimeve politike për reformën në drejtësi. 
“Komisioni i Venecias është përpjekur të shmangë komentet përsëritëse nga Opinioni i Ndërmjetëm, që kishin të bënin me çështje të cilat janë eliminuar nga teksti i rishikuar. Atje ku Komisioni i Venecias ka kritika të forta për draft-amendamentet e rishikuara, ky kriticizëm është i shprehur në Opinionin Final.” Komisioni i Venecias e ka ngushtuar hapësirën në të cilën partitë politike mund të debatojnë duke shmnagur çdo çështje nga draftet e mëparshme. Politikisht, kjo do të thotë se Partisë Demokratike i janë rrëzuar disa pika nga 11 çështjet kritike që ajo ngriti si kushte për dialog politik me mazhorancën një javë më parë. Opinioni Final nuk përmend përshembull një nga insitucionet kyç të reformës në drejtësi, Këshillin e Emërimeve, që opozita e ka renditur të parin në 11 kushtet e saj. Opinioni Final nuk përmend as Gjykatën e Lartë Administrative, për të cilën opozita, por dhe LSI-ja, kishin shprehur kundërshtitë për ekzistencën e saj. 
Opinioni Final e ka ngushtuar hapësirën për dialog politik vetëm tek shumica e cilësuar për përbërjen e disa institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë. Opinioni Final i Komisionit të Venecias me ndryshimet e papritura u publikua të hënën në mbrëmje, por partitë politike nuk kanë reaguar ende. 
Çfare mbetet në fuqi është vetëm premtimi i nënkryetarit demokrat për reformën në drejtësi, i cili të hënën në mbrëmje, në padije të këtyre ndryshimeve, deklaroi: “Vullneti i opozitës është sipas Venecias”.
Sigal