Venecia dhe ndërkombëtarët shmangën kapjen e drejtësisë

490
Prof. Dr. Kastriot Islami, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se Opozita, duke votuar tërësisht reformën në drejtësi, me ndryshimet që iu bënë draftit, i hoqi Ramës skenarin ogurzi të krizës politike, sikurse ndodhi edhe në Maqedoni. Prof. Islami gjithashtu thotë se oligarkët, deputetët dhe zyrtarët me rekorde kriminale, “të fortët” me pasuri të dyshimta, do të jenë subjekti i hetimit dhe gjykimit nga Drejtësia e Reformuar. Prof. Islami e përcakton Edi Ramën si përgjegjësin kryesor të kriminalizimit të Parlamentit. Prof. Islami, me përvojën e gjatë politike parashikon që në zgjedhjet e ardhshme PD, PS, LSI të shkojnë veçmas, por nuk përjashton mundësinë e koalicionit paszgjedhor PD-LSI, ndërkohë që përjashton kategorikisht PD-PS. Si negociator i Kodit aktual Zgjedhor, Prof. Islami thotë se Edi Rama e keqpërdori sistemin elektoral, duke bërë deputet persona me rekorde kriminale, ndaj nuk mund të fajësohet sistemi zgjedhor. Prof Islami, duke analizuar PSSH, nënvizon që sot ajo nuk është më parti me standarde demokratike, por një tërësi sektesh. 
Prof. Islami, çfarë mund të na thoni për reformën në drejtësi tani që (pardje) u votua nga të gjithë forcat politike?
Më së fundmi lidershipi në Bruksel e Uashington mirëkuptoi dhe pranoi argumentet parimor të opozitës, të negociuara perfeksionisht nga Lulzim Basha. Pas insistimit parimor të opozitës, drafti i mirëkuptuar u miratua me votën e 140 deputetëve, madje në sajë të rolit të pazëvendësueshëm të opozitës u futën me detyrim në rresht edhe oligarkët, individët me rekorde kriminale, banditët, kusarët që do të jenë objekti kryesor i drejtësisë së reformuar. Pra, opozita i shkuli Ramës nga duart skenarin ogurzi të një krize të thellë të ngjashme me atë në Maqedoni. Ky skenar do të ishte rezultat ose i mosmiratimit të reformës, ose i miratimit me 94 votat e një amalgame oligarkësh, kriminelësh e manekinësh klientelistë…Opozita arriti të detyrojë Ramën të vijë te opsioni i saj, pas shumë sakrificash dhe shumë e shumë goditjesh të pamerituara dhe keqkuptimesh. Përfundimisht, ranë të gjithë tentativat për të hedhur në erë reformën, duke provokuar opozitën dhe doli në dritë të diellit se opozita që ditën e parë e deri më sot ka qenë në favor të miratimit me konsensus dhe në konformiteti me “parimet” e Venecias dhe u zbuluan synimet tinëzare të Ramës. Ranë të gjitha tentativat për të kapur drejtësinë nga oligarkia dhe votuar draftin me votat e oligarkëve dhe individëve me rekorde kriminale…Kjo betejë e ashpër u fitua nga opozita në të njëjtën mënyrë siç u fitua beteja e dekriminalizimit. Ranë të gjitha tentativat për të shmangur marrjen në konsideratë të rekomandimeve të Venecias dhe “vrarë” konsensusin. Ranë të gjitha tentativat për ta quajtur opozitën antiamerikane dhe antieuropiane dhe denigruar lidershipin e saj e deputetë e saj dinjitozë… Opozita tregoi se është jo sipërfaqësisht e pragmatikisht proamerikane e proeuropiane, pra properëndimore, por ajo është në themel, në thelb dhe në përmbajtje e parimësi thellësisht pro perëndimore, proamerikane, proeuropiane…ajo madje mund të thuhet se është perëndimore liberale. Mund të thuhet pa asnjë mëdyshje se me këtë draft të negociuar me dinjitet e profesionalizëm politik e kualitet teknik nga Lulzim Basha e drejtuesit e tjerë politikë e ekspertët të opozitës me partneret ndërkombëtare, opozita arriti të bindë të sjellë në konsensus me parimet e demokracive perëndimore më së fundmi edhe Ramën, duke ruajtur dinjitetin e vendit. Drejtuesit e opozitës u vlerësuan si “lidership perëndimor” nga Berlini, Brukseli dhe Uashingtoni. Rama doli “lakuriq” siç është në realitet, një armik i konsensusit, një fanatik i kapjes politike të drejtësisë, në sherr me aleatin kryesor dhe me një qeverisje të dobët, që mezi mbahet me paterica në këmbë. 
A ka pasur Meta ndonjë rol në arritjen e konsensusit?
Natyrisht nuk mund të mos mohohet roli i Metës, i përcaktuar në dy shtylla, së pari për arritjen e konsensusit dhe së dyti për respektimin e rekomandimeve të Venecias, dhe për këto sigurisht i takon një pjesë e konsiderueshme të këtij suksesi.
Zoti Islami, ç’kuptonin ambasadorët kur përmendën “Pasojat”? për deputetin? U kanë dosje krimi deputetëve?
Nuk kam asnjë informacion për çështjen e asaj që ju i quani “pasoja”, por nuk mendoj se një vend demokratik do të vendoste “pasoja” ndaj një përfaqësuesi të zgjedhur të një vendi anëtar të NATO vetëm se ai voton sipas bindjes së tij; ndërkohë që çështja e pasojave ndaj një deputeti, ministri, apo biznesmeni, apo individi që dyshohet për lidhje me trafiqet, terrorizmin, pastrim parash, apo gjithçka tjetër nuk përbën çudi, nëse do të aplikohej. 
A ka garanci që kjo reformë në drejtësi, të garantojë drejtësi, apo do të ketë fatin e ligjeve të tjera, si atë të dekriminalizimit, të heqjes së Imunitetit?
Zbatimi i ligjit në Shqipëria, apo siç quhet ndryshe vendosja e shtetit ligjor mbetet sfida kryesore për Shqipërinë. Shpresoj që kjo reformë të zbatohet me sukses dhe të japë efekte pozitive. 
Do të kemi tashmë një qeveri teknike, siç e kërkoi edhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta?
Marrëdhëniet brenda koalicionit duken të përkeqësuara në ekstrem dhe të thyera në mënyrë të pakthyeshme. Meta në daljen publike për reformën në drejtësi deklaroi se “zgjidhja më e mirë” për të vendosur besimin e palëve do të ishte aplikimi i një pakete me katër pika I) dorëheqje e kryeministrit, II) miratimi i reformës me konsensus; III) formimi i një qeverie ekspertësh dhe iv)organizimi e realizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme në një afat të arsyeshëm. argumentet në favor të këtij opsioni qëndrojnë dhe vazhdojnë të jenë prezentë. Por se çfarë nisme do të merrte Meta, nismës e “zgjidhjes më të mirë”, apo diçka tjetër, mbetet për t’u pare, nëse do të ndodhë. Por është e sigurtë se rënia e shpejtë, sipas “zgjidhjes më të mirë”, apo graduale, janë opsionet e fundit të këtij koalicioni të dështuar qeverisjeje, për shkakun kryesor të “funeralit” të Rilindjes të artikuluar brenda dhe jashtë PS e koalicionit. 
Për dekriminalizimin
Në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet e 21 qershorit, nuk u futën amendamentet ligjore për dekriminalizimin, mendimi juaj? 
I vetmi përgjegjës për kriminalizimin e këtij Kuvendi është Rama. Rama është ideatori, programuesi, realizuesi dhe përfituesi më i madh i futjes së oligarkëve dhe individëve me rekorde të tmerrshme kriminale dhe të fortëve me pasuri të dyshimta. PD iu desh të bënte sakrificën më të madhe, të bojkotonte kuvendin për 6 muaj pasi ishte përjashtuar nga të gjithë llojet e votimeve në kuvend, pas ii ishte mohuar e drejta e hetimit dhe akoma më e rëndë ishte sulmi fizik i deputetëve me rekorde kriminale, të orkestruar nga Rama, për ti mbyllur gojën deputetëve të opozitës. Kjo betejë e fituar nga opozita, pasi kishte bindur edhe Brukselin edhe Uashingtonin, do të përfundonte me një marrëveshje për dekriminalizimin në dhjetor 2014. Por Rama do ta vononte, pengonte, minonte dhe sfidonte këtë marrëveshje duke tentuar të mos e miratonte ligjin e dekriminalizimit. Madje shkoi shumë larg, duke sfiduar SHBA me vendosjen në krye të disa bashkive individë me rekorde të tmerrshme kriminale, pasi ambasadori amerikan i kishte kërkuar të tërhiqte të tilla kandidatura. Kështu që për zgjedhjeve vendore të 2015, për shkak synimeve të Ramës për të fituar disa nga bashkitë me individë me rekorde kriminale, apo “të fortë” që përdorin paratë e dyshimta për të blerë vota e intimiduar votuesit, ishte pamundur që në ndryshimet e Kodit Zgjedhor që do të përdorej për zgjedhjet vendore të futeshin nenet e dekriminalizimit. Kjo është një arsye tjetër përse në ligjin e dekriminalizimit të miratuar me vonë me insistimin e opozitës dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve të futeshin nene që do të kenë efekt edhe mbi të zgjedhurit vendor të 2015. 
Kishte këtu konsensus të heshtur politik PS-PD? 
Absolutisht nuk ka pasur dhe s’mund të kishte asnjë lloj “konsensusi” me Ramën për dekriminalizimin. Dekriminalizimi mund të konsiderohet karta më e fortë e opozitës, kali më i suksesshëm i betejave të saj dhe këto janë arsyet se opozita s’mund të bënte kompromis me Ramën, madje për këtë çështje bën dallimin më të madh me të. 
PD dhe PS deri tani nuk kanë përmendur aspak Sistemin Elektoral, që i jep monopolin kryetarit të partisë të caktojë ai listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë, për kryebashkiakë. Pa u ndryshuar ky sistem elektoral aktual, i cili u dha mundësinë personave me rekorde të bëhen deputetë, a mund të bëhet dekriminalizimi i politikës?
Çështja e cilësisë së kandidaturave lidhet me vullnetin e liderit të partisë dhe përgjegjshmërinë kolektive të forcës politike. Mjafton t’ju kujtoj se Rama ka vendosur individë me rekorde kriminale jo vetëm si kandidatë për deputetë, meqë këtë ja lejon sistemi proporcional me lista të mbyllura, por edhe si kandidatë për kryetar të bashkive, ku sistemi zgjedhor është mazhoritar. Dhe unë pyes: përse populli i Kavajës, pasi i bëri thirrje edhe ambasadori amerikan, votoi për një individ me rekorde të tmerrshme kriminale, megjithëse zgjedhja ishte tërësisht në dorën e votuesve? Përfundimi është i qartë: vullneti i gabuar i një kryetari partie të lidhur me korrupsionin e krimin nuk mund të çlirohet duke ndryshuar sistemin zgjedhor. Kjo është një detyrë që i përket në radhë anëtarëve të një partie dhe pastaj votuesve e mbështetësve të saj. Po nuk u ndërgjegjësuan ata për pasojat e rënda që lidhen me dhënien e votës për oligarkët dhe banditët, nuk ka sistem zgjedhor që jua shëron sëmundjen. 
Prof. Islami, ju jeni një nga projektuesit dhe negociatorët e këtij Kodi Zgjedhor, i cili u dha mundësinë kryetarëve të Partive të futnin në Listat e Mbyllura për deputet edhe persona me rekorde kriminale, pa mundur dot elektorati të përzgjedhë. E kishit menduar që ky Kod Zgjedhor do të keqpërdorej kaq shumë?
Kisha menduar ekzaktësisht fillimin e së kundërtës, ndonëse dyshoja se mund të ndodhte kjo që ndodhi. Dyshimet lidheshin me faktin se Rama ishte i përgatitur për të bërë gjithçka për t’u bërë kryeministër dhe ajo që ka bërë Rama me futjen e oligarkëve dhe banditëve në grupin e PS dhe në qeverisje është jo vetëm shumë e rëndë, por pasojat do të duan shumë vite të korrigjohen. Sigurisht, që nëse do të ishte përzgjedhur një sistem mazhoritar (siç veprohet në zgjedhjet për kryetarët e bashkive) Rama për t’u bërë kryeministër do të vendoste në të gjithë zonat zgjedhore kandidatë të ngjashëm me Roshin e Kavajës dhe pa dashur të ofendoj votuesit do të ekstrapoloja sjelljen e votuesve të Kavajës në 21 qershor 2015. Kjo do të thotë që e gjitha mazhoranca e Ramës do të kishte vetëm oligarkë, individë me rekorde të tmerrshme kriminale, “biznesmenë” më pasuri të dyshimta, të “fortë”-ish drejtues të doganave, policisë, gardës që përdorin muskujt dhe paratë e dyshimta për të blerë vota e intimiduar votuesit. Duke qenë cinik, do të thoja ky do të ishte rasti më i volitshëm që qytetarët të shikonin qartas cilësinë e grupit parlamentar të Ramës që tashmë për shkak të sistemit zgjedhor është i “maskuar” nga disa kukulla dhe pinjollë klientelistë të paaftë për të blerë vota’ por super të aftë për të ngritur dorën në mënyrë servile dhe të gatshëm t’i sulen deri fizikisht kundërshtarëve të Ramës. 
Zoti Islami, përse në PS nuk pati reagime, që të mbështetnin kritikën e Ben Blushit në Asamblenë Kombëtare të PS, derisa shumë të tjerë janë të një mendimi me ato që tha deputeti Blushi? 
PSSH s’është më një parti me demokraci të brendshme, madje mund të thuhet është një sekt antidemokratik. Nuk është më as parti e socialistëve. Që nga 2015, më ardhjen e Ramës në krye të PSSH, kjo është kthyer në një parti autoritare me rregullat e një sekti, ku promovohen vetëm “sektarët” që urrejnë socialistët e ndershëm, të aftë, me eksperiencë dhe tolerojnë shërbëtorët, servilët. Anëtarët e sektit përzgjidhen dhe promovohen nga kupola e sektit përmes rregullash të qarta ndërkohë që po përmes këtyre rregullave asgjësohen dhe eliminohen të gjithë socialistët kontributues nga 1991 deri në 2005. 
Po senatorët e PS, përse heshtin? Nuk mbështetin as kritikat e Blushit, por as Ramën? 
Rama s’ka nevojë për mbështetjen e tyre dhe i përdor ata thjesht si alibi apo relikte të vjetra për të mashtruar socialistët e thjeshtë dhe mbyllur gojën kundërshtarëve të tij. Taktika e Ramës për të eliminuar fillimisht më të aftët dhe ata me karakter dhe lënë për më vonë të tjerët deri në eliminimin e të gjithëve është tashmë e qartë, por individët me karakter të lëkundur preferojnë çështjen personale sesa të bashkohen për t’i bërë ballë e ndaluar këtë strategjie sektare e makiavelike. Dhe ata që mbesin pas çdo eliminimi e dinë edhe vetë këtë rol që ju ka përcaktuar Rama, rol që e zbatojnë me servilizëm dhe për të cilin janë shpërblyer me një vend të përkohshëm në listën për deputet, në një, ose dy mandate. Për të gjithë këta Rama dhe kupola e sektit kanë një strategji dhe kalendar veprimi të qartë për ruajtjen e përkohshme, shmangien dhe eliminimin e tyre përfundimtar në zgjedhjet e ardhshme. Nga ana tjetër, këta për të cilët ju pyesni, nuk janë sjellë si “senatorë”, sepse Rama i ka përcaktuar rolin e “kukullave/relikte” të vjetra që Rama i ka gjetur në PS dhe për të cilët ai ka zbatuar një kalendar eliminimi gradual, sipas shkallës së servilizmit. Ndërkohë, Rama ka sjellë me vete disa “kukulla” nga Bashkia, apo Mjaft dhe në vijim ka promovuar “kukulla” të reja sipas kritereve sektare e klienteliste në hapësirat e krijuara nga spastrimi i socialistëve me përvojë, kontribute dhe integritet.
Mos vallë me qëndrimin e tyre, “as mish dhe as peshk”, këta deputetë socialistë, me shumë vite në PS, dëshmuan që meqë nuk kontribuojnë më, u ka ardhur koha e pensionit politik dhe duhet vetë të largohen? 
Edhe rolin edhe jetëgjatësinë ja ka përcaktuar Rama, pra aq sa i duhen për t’i përdorur për të mashtruar socialistët e thjeshtë dhe sulmuar kundërshtarët e tij. Natyrisht, karakteri dhe aftësia e secilit prej tyre është një parametër që Rama e ka pasur parasysh; konkretisht kanë jetuar më gjatë ata me aftësi relative më të ulët dhe karakter më të dobët. Asnjëri prej tyre, as më parë as tani s’e di sa gjatë do të jetë në politikë, i servilosen Ramës, duke ëndërruar disa prej tyre që t’i vijë Ramës fundi me shpresën se kështu mund të vazhdojnë të ruajnë mandatin. 
Derisa Rama nuk e ka të vështirë të rizgjidhet si kryetar i PS, cila është filozofia e tij politike, që shprehu, se meqë fitoi zgjedhjet, kryetari i partisë nuk rizgjidhet? Është thjesht një shpërfillje procedurale e Statutit të PS? 
Ramës po i vjen fundi dhe do të jetë viktimë e sjelljeve dhe rregullave të tij makiaveliste. Rama do të humbasë fillimisht postin e kryeministrit dhe pastaj të kryetarit të PSSH. Madje nuk do të jetë në gjendje as të përcaktojë “trashëgimtarin”. Sepse filozofia e rizgjedhjes së tij ishte: unë jam NJËSHI dhe të tjerët janë ZERO; çdo individ që tenton të konkurrojë për DYSH s’do të lejohet dhe nëse insiston do të eliminohet, pra do të kthehet në ZERO. Kjo do të thotë që Rama s’do as DYSH aktualisht dhe për rrjedhojë as Trashëgimtar të natyrshëm në të ardhmen. Lojërat me Statutin dhe Referendumin ishin për të mashtruar socialistët e ndershëm dhe disa nga socialistët servilë e mbështetën në këtë lojë të pistë.
Çfarë ndodh dhe çfarë është aktualisht PSSH?
S’më intereson se ç’ndodh në PS. Kjo është tashmë prej 2005 një amalgamë e a) shumicës së socialistëve të abandonuar e të lënë rrugëve e pak të tjerëve të paaftë, servilë që sorollaten rreth Ramës për një “pjatë supë” dhe e b) sektit të i) pinjollëve të nomenklaturës së lartë puniste, disa relikteve të mykura, nostalgjikë të marksizmit e të ideve puniste, II oligarkëve të vjetër e të rinj, III) banditëve e individëve me rekorde të tmerrshme kriminale, IV) kusarëve të aseteve publike dhe zotëruesve të koncesioneve dhe ppp-ve, V) manjatëve të medias dhe disa zotërues mjeranë të gazetave, bllogjeve e portaleve të dështuara që shajnë dhe kërcënojnë nëpër portale e bllogje të gjithë kundërshtarët e Ramës për tu ushqyer me paratë e trafiqeve dhe evazionit fiskal, dhe v) personazheve perverse që kanë zënë postet kyçe të qeverisjes qendrore e lokale të vendit e të administratës publike, të përfaqësuara dhe të drejtuara nga Edi Rama. Socialistët çdo ditë po largohen nga ky sekt që ka marrë peng partinë e tyre, e cila i konsideron ata si muhaxhedinë, duke ju rrëmbyer me mashtrime votën një herë në katër vjet dhe me tej duke u tallur dhe ofenduar për katër vjet. Gjykoj se socialistët e abandonuar janë tashmë jetim dhe me siguri do të reagojnë në zgjedhjet e ardhshme. Gjithnjë e më i vogël është numri i atyre që për shkak të karakterit të dobët dëshirojnë të ushqehen me mashtrimet e Ramës dhe të sektit të tij. 
Zoti Islami, derisa si kryetari i PS ka mbytur demokracinë e brendshme të partisë, sa besueshmëri do të ketë, që si kryeministër të lejojë në qeverisje demokracinë, respektimin e raporteve të pushteteve? 
Kjo është një pyetje retorike. Kjo është qeverisje tipike e një oligarkie mediokre, pjellë e një sekti të rrezikshëm. Pra një qeverisje e mbështetur në po të njëjtat shtylla që mbështetet edhe sekti Rama: I) pinjollët, II) oligarkët, individët me rekorde kriminale, kusarët, manjatët dhe III) perversët. Një qeverisje klienteliste e mashtruese, antisocialiste, antipopullore dhe në disa momente edhe antikombëtare. Mediokre dhe më e paafta në 104 vjet shtet. 
Shikojmë që qeveria e Rilindjes ndërmerr politika të atilla, për të cilat nuk i kishte në programin elektoral, ose janë krejtësisht në drejtimin e kundërt nga programi elektoral. Mund të jetë i pranueshëm politikisht, justifikimi, se gjendja që gjeti është aq e vështirë, sa e detyrojnë qeverinë në këto politika, ose e detyron FMN? 
Gjëja e parë që bëri kjo qeveri është heqja dorë nga premtimet. Por edhe nga ato që vendosi në programin e qeverisë, asnjë nuk është realizuar. Ku është taksa progresive, dështoi gjë e cila u konfirmua me largimin e Ministrit të Financave por edhe FMN e ka shprehur qartësisht këtë dështim. Të ardhurat kanë rënë në nivele historike. Mjekësia falas dështoi dhe e vetmja gjë që do të mbetet është korrupsioni në këtë sektor dhe përkeqësimi i shërbimeve mjekësore. Pagat dhe pensionet s’janë ngritur ndërkohë që fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm, papunësia dhe varfëria janë rritur. Konsumi është në minimum historike ndërkohë që njerëzit po tërheqin paratë nga bankat. Bizneset mbyllen çdo ditë dhe po falimentojnë duke krijuar kredi të këqija nëpër banka, të cilat janë shumë të rrezikuara. Investimet publike, për shkak të uljes së rritjes ekonomike dhe rrëzimit drastik të të ardhurave, nuk ekzistojnë, por kjo nuk i ka penguar ministrat dhe kryeministrin të rrisin shpenzimet për udhëtime jashtë vendit, për rritjen e luksit të zyrave të tyre dhe blerjen e makinave të shtrenjta. Sistemi energjetik është në krizë duke ndikuar negativisht edhe në ekonomi. Vjedhja e fondeve publike, që janë siguruar deri tani vetëm nga rritja e paimagjinueshme e borxhit dhe rritja historike e taksave është kryer përmes mekanizimit partneritet privat-publik që është një vjedhje masive në të sotmen por me pasoja shumë të rënda për buxhetin edhe në të ardhmen; e thënë thjesht, këta po vjedhin të ardhurat buxhetore për 10 vjetët e ardhshëm, sepse këto në realitet janë tendera 10- vjeçarë. 
Sa ligjimitet mund të ketë qeveria, kësisoj, kur zbaton politika, për të cilat nuk ka marrë votëbesimin e elektoratit?
Mashtrimi është suksesi më i madh i kësaj qeverisje. Ministrat janë arrogantë me vartësit, sepse Rama është arrogant me të gjithë ata. Ministrat kohën më të madhe e kalojnë në median të cilën e ushqejnë me paratë e trafiqeve dhe të evazionit. Ministrat janë të zhytur në një jetë luksoze dhe ekstravagante. Ndërkohë që pasurimi i paligjshëm është synimi i tyre kryesor, shërbimet ndaj qytetarëve kanë rënë në minimumet historike. Më e tmerrshmja që do të mbahet mend nga kjo qeveri është mbjellja e të gjithë vendit me marijuanë/drogë dhe ruajtja, mbikëqyrja, blerja e transport ii prodhimeve nga policia. Të ardhurat vijnë nga bashkëpunimi i policisë me bandat për trafikun e drogës nga ajri, deti dhe toka. Është mungesa totale e sigurisë njerëzore për shkak se policia është palë me njërën nga bandat kundër bandave të tjera. Vjedhja në Rinas është shembulli më i qartë i lidhjes së krimit me shtetin për të vjedhur qytetarët dhe pasurinë kombëtare. Është represioni i qëllimshëm policor i qytetarëve dhe biznesmenëve për ti nënshtruar dhe varfëruar në mënyrë që t’i marrin ose t’i blejnë sa më lirë votën. Ministri i Brendshëm është personazhi tipik i njësimit të krimit e bandave me shtetin. E thënë përmbledhtas, kjo qeveri jo vetëm është jo legjitime, por ajo është edhe antipopullore sepse Rama ka ngritur modelin e së keqes që e promovon si model suksesi. 

PD 
Zoti Islami, Ju ku do t’i vinit pikat mbi “i” të humbjes, së PD në 2013: Në personazhet politike, apo mungesë vizioni politik? 
Një analizë multifaktoriale e rezultatit të zgjedhjeve të 2013 është bërë tashmë në forumet e PD. Unë në disa analiza publike jam marrë kryesisht me cilësinë e zgjedhjeve, blerjen e votave, intimidimin e votuesve, përdorimin e kandidatëve me rekorde kriminale, përdorimin e “të fortëve” me para të dyshimta që kanë pasur ndikim të qartë në “zgjerimin” e rezultatit. E thënë më konkretisht, rezultati prej 83 mandatesh është i “zgjeruar” me rreth 10 mandate për shkak të blerjes së votave, kërcënimit të votuesve, përdorimit të individëve me rekorde kriminale. Ndërkohë që një rezultat prej 73-74 mandatesh mund të shpjegohej me I) qeverisjen 8 vjeçare; II) mashtrimet e mëdha elektorale të Ramës; III) cilësinë relative të koalicioneve konkurruese; IV) lëvizjen e LSI nga aleanca qeverisëse me PD në aleancën parazgjedhore me PS, e tjerë e tjerë.
Disa kanë hedhur edhe tezat që PD duhet të gjejë lidership të ri. Cili është mendimi juaj për këtë? 
PD ka zgjedhur një kryetar të ri që është zgjedhur sipas parimit një anëtar një votë pas dorëheqjes së ish-kryetarit Berisha. Në forumet kryesore drejtuese, në grupin parlamentar dhe në strukturat vendore ka një balancë të arsyeshme dhe normale të individëve të të gjithë brezave, të individëve me eksperienca të larmishme në politikë, me profile profesionale e ekspertize të ndryshme, balancë shumë të mirë mes numrit të grave e burrave dhe një balancë e arsyeshme e atyre që zotërojnë eksperiencë dhe atyre që sjellin freskinë apo energjitë e reja. Gjithçka tjetër është spekulim i medias klienteliste të Ramës për ta zhvendosur vëmendjen nga dështimet e qeverisjes te cilësia e lidershipit të opozitës. 
Sipas jush, cili duhet të jetë roli i Sali Berishës në PD dhe në të djathtën? 
Të gjithë që janë jashtë PD nuk e kanë të qartë as rolin e saktë të Berishës, as reputacionin e tij, as mbështetjen që ai gëzon brenda PD e të djathtës dhe mbi të gjithë nevojën që ndjejnë demokratët për eksperiencën e tij. Jam impresionuar nga perceptimi i padiskutueshëm që demokratët kanë për Berishën. Berisha e përcakton vetë rolin e tij dhe është vështirë t’ia përcaktojë dikush tjetër dhe e pamundur t’ia kufizojë. Ai është një forcë goditëse e pazëvendësueshme në kuvend dhe besoj një këshilltar i pazëvendësueshëm për Bashën dhe cilindo tjetër lider të PD apo të opozitës, sepse autoriteti shumëplanësh dhe eksperienca e tij janë të vlerësuar maksimalisht brenda PD dhe të djathtës. 
Sigal

Jakup B. GJOÇA