Vendosja e TVSH për biznesin e vogël, Basha: Rama të tregojë sa para u ka dhënë oligarkëve

577
Kryetari i Partisë Demokratike i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Rama, i cili lajmëroi se nuk do të ketë asnjë biznes që nuk do të paguajë TVSH. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Basha u shpreh se Rama bën mirë t’u bëjë të ditur shqiptarëve sa para u dha nga buxheti oligarkëve, në vend që të kërcënojë sipërmarrësit e vegjël. “Në vend që të kërcënojë sipërmarrësit e vegjël që punojnë sa për të mbajtur gjallë familjet e tyre, Edi Rama duhet t’u bëjë të ditur shqiptarëve, sa para u ka dhënë nga buxheti i shtetit oligarkëve këto katër vite; oligarkët e shëndetësisë e të ilaçeve, oligarkët e ndërtimit, oligarkët e koncesioneve, oligarkët e naftës dhe të telekomunikacionit.

Pastaj t’u tregojë shqiptarëve edhe sa taksa kanë paguar këta oligarkë në buxhetin e shtetit. Por ai nuk i tregon dot këto fakte, sepse ato zbulojnë një të vërtetë kriminale: Zhvatjen e pamëshirshme të njerëzve të thjeshtë për pasurimin e Edi Ramës dhe klientëve të tij”, shkruan Basha. Më herët Rama tha se “Opozita, front në mbrojtje të informalitetit. Ne mbrojmë njerëzit e zakonshëm. Asnjë biznes pa TVSH = Fund mashtrimit me lekët e populli. Biznesi i vogël do të vijojë të ketë zero tatim fitimi, por do të duhet të marrë çdo mall me faturë dhe të shesë çdo mall me kupon. Askush nuk mund të hajë më pas shpine, as konsumatorin, as shtetin, gjithkush atë që meriton, gjithkujt atë që i takon”.
Sigal